Një ndër gazetarët dhe opinionistët më në zë që ia ushqyer rrugën e djegies së mandateve nga opozita, është Armand Shkullaku. E mbrojti dhe të hënën në Opinion aktin e paprecedent opozitar, ku si argument ofronte gjithnjë të (mos)qënit e opozitës fasadë. Në asnjë moment nuk rendi ta zbërthejë se si e kuptonte ai të qënit e opozitës si fasadë, por, siç dhe herë të tjera të ngjashme, ofroi krahasimin me Turqinë.
Sipas Shkullakut, edhe atje opozita përballë Erdoganit ishte thjesht fasadë. As për këtë rast nuk solli asnjë shembull, asnjë zbërthim se si arrinte ai në konkluzionin se opozita turke na qenkësh fasadë.
Pra, është tipikisht lloji i ligjërimit partizan nga një kastë gazetarësh, që ngërthehet në një set frazash shabllone, pa ofruar asnjë të dhënë të detajuar për të mbështetur konkludimet e tyre.
Do ishte me interes të dihej se sa e njeh Shkullaku politikën turke, spektrin e partive atje, lëvizjet që ndodhin, qëndrimet, përplasjet, etj., pra të gjithë atë proces që me mundet mos ketë asnjë lidhje me atë që ndodh në Shqipëri dhe sigurisht që nuk ka. Mjafton fakti se opozita në Turqi nuk ka kontestuar asnjë proces zgjedhor, sado humbëse në seri, se ka respektuar në maksimum rregullat e lojës demokratike, e në momente delikate, siç ka qenë dhe grushti i shtetit i korrikut 2016, ka mbajtur qëndrim atdhetar duke iu bërë krah qeverisë, gjë e paimagjinueshme nahies shqiptare.
Opozita në Turqi nuk është fasadë; ajo është një opozitë klasike, me politikëbërjen e saj normale, na bazë të votëbesimit popullor që kë marrë në çdo zgjedhje. Në këtë pikë, as opozita shqiptare nuk ka pse ngre pretendime të tilla, gjersa në asnjë rast nuk artikulon padrejtësi që mazhoranca po i bën asaj, veçanërisht në jetën parlamentare, aty ku dhe shfaqet standarti i sjelljes politike të shumicës ndaj pakicës.
Kjo e fundit, të gjitha pretendimet që shfaq për të përligjur djegien e mandateve, i lidh me keqqeverisjen, me ato që i quan skandale etj., por jo në lidhje me ndonjë persekutim të mundshëm a padrejtësi, së cilën ia bën qeveria.
Edhe akuza me pretendimin e blerjes së votave, në thelb nuk ka të bëjë me të qënit ose të opozitës si fasadë. Po nëse është e tillë, pra fasadë, çfarë duhej të ishte për të mos qenë fasadë?! Opozita është dhe duhet të jetë, reflektuesja e mbështetjes popullore që ka marrë më votë. Nëse ngjan si fasadë nga të qënit në opozitë, kjo është thjesht problem i saj. /tesheshi.com/