Kreu i SPAK-ut Altin Dumani kërkoi ngritjen e kufirit minimal për hetimin e dosjeve të korrupsionit, kufi i cili qëndron në shifrën e 50 mijë lekëve të reja. Sipas Dumanit, kjo ka sjellë mbingarkesë në SPAK, institucion i cili sipas tij duhet të hetojë vetëm rastet e korrupsionit të madh.
“SPAK duhet të fokusohet vetëm në çështjet e korrupsionit të madh, ndaj kemi vendosur një limit. Shuma prej 50 mijë lekësh është një kufi që na ngarkon më shumë dhe besoj se prokuroritë e tjera mund të ushtrojnë ndjekjen penale për këto raste. Ne kemi pasur konkluzionin që ky kufi minimal duhet të jetë më i lartë”, tha ai në mbledhjen të Këshillit Kombëtar të Integrimit.
Ndër të tjera, ai shtoi se për hetimet mbetet shumë e rëndësishme edhe teknologjia, e cila është gjithnjë në zhvillim.
“Të hetosh vepra penale të korrupsionit, të fshehjes së pasurisë të deklarimit të rremë, është shumë e vështirë. Kërkon kohë dhe burime njerëzore. Më këtë vështirësi ne hasemi përditë.
Tashmë ne kemi sektorin e hetimit financiar, ku ne delegojmë një pjesë të mirë të hetimeve që kanë të bëjnë me korrupsionin.
Metodat klasike të hetimit tashmë nuk vlejnë, kanë shumë pak vlerë në procesin e provave. Përdorimi i teknikave dhe metodave speciale të hetimit bëjnë që të kesh hetime të suksesshme”,tha Dumani. /tesheshi.com/