Nga Blendi Gashi
Presidenti Hashim Thaçi i është rikthyer sërish premtimit se Kosova do bëhet me ushtri deri në fund të këtij viti, siç thotë përmes ndryshimeve kushtetuese e jo siç deklaroi kohë më parë përmes ligjit, ide që u kundërshtua fuqishëm nga ndërkombëtarët. Ai për më tepër ka thënë se i gjithë ky proces do të ndodhë në partneritet me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në.
“Pres që ushtria të përfundojë deri në fund të këtij viti. Kemi mundësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe e mbështes fuqishëm që të ndodhë. Dhe, askush s´ka të drejtën e vetës mbi ushtrinë”, ka thënë së fundmi Thaçi për mediat.
Se ushtria do bëhet ka deklaruar gjatë fushatës edhe Ramush Haradinaj, i cili është shprehur se kjo do të ndodhë brenda tre mujorit të parë të punës së qeverisë, që i bie para dhjetorit.
“Nga fillimi i punës së qeverisë mundet mos të shkojmë 90 ditë ose mundet, por unë mendoj se është kohë optimale”, deklaroi Haradinaj gjatë fushatës.
Por këto premtime të krerëve të shtetit bien në ujë si edhe shumë të tjera, nëse kihen parasysh deklarimet e vazhdueshme të Listës Serbe se në asnjë variant nuk e votojnë ushtrinë, pa votat e të cilëve nuk bëhet asesi.
“Mashtrimi i radhës i Thaçit”
Opozita, deklaratat e Thaçit e Haradinajt, nuk i sheh serioze dhe nuk beson se ushtria do bëhet sivjet, për më tepër pa lejen e ndërkombëtarëve.
Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosje-s, pohon se Thaçi në çdo prag fushate mashtron qytetarët dhe i fyen ata përmes përsëritjes së gjërave të njëjta dhe për më keq bën lojë me gjëra të mëdha diç si është ushtria.
“Kjo deklaratë me plot arsye dhe të drejtë merret si jo serioze”, thotë Selimi.
Ai ka edhe një porosi për Haradinaj, për çka thotë se kryeministri nuk do të duhej asnjëherë ta ndiqte shembullin e Thaçit dhe të jap premtime në përputhje me dëshirat dhe interesin e qytetarëve dhe të mos i realizoj ato.
“Do të doja që z. Haradinaj ta bënte ushtrinë por e ka të pamundur ta bëj për shumë arsye, por një prej tyre është se ai duhet ta dijë se në koalicion me PDK-në dhe Listën Serbe kurrë një gjë të tillë nuk mund ta bëjë. Në koalicion me PDK-në nuk do ta bëjë sepse ata vetëm mashtrojnë, kurse në koalicion me Listën Serbe nuk do ta bëjë sepse ata e sabotojnë dhe e kanë të drejtën e vetos edhe brenda koalicionit PANA dhe vetos edhe në Parlament, prandaj të gjitha këto janë deklarata të kota”, thotë Selimi për tesheshi.com.
Edhe opozitari tjetër Lutfi Haziri nga LDK fare nuk beson se ushtria do të bëhet sivjet për çka shprehet se premtimi i sërishëm i Thaçit edhe këtë herë do mbetet i parealizuar.
“Është një tentativë e sërishme e presidentit. Për të formuar ushtrinë presidenti duhet ta bindë veç NATO-n dhe asnjë faktorë të brendshëm në Kosovë”, ka thënë Haziri për tesheshi.com
Kurse Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë pohon se Kosova me strukturën e saj aktuale FSK i ka plotësuar të gjitha kapacitetet e saj operative si struktur civile-emergjence, dhe se formimi i ushtrisë varet nga vullneti dhe guximi politik.
“Qeveritë e kaluara kanë përfunduar gjitha procedurat teknike për të shndërruar FSK-në në FAK, por ka munguar vullneti dhe guximi politik. Deklarimet e presidentit dhe kryeministrit se Kosova do të ketë ushtrinë brenda këtij viti janë të mundshme vetëm nëse do ketë guxim politik në raport me Listën Serbe”, thotë Shala për tesheshi.com.
Ai shton se Akademia Ushtarake nga Danimarka, pjesë e së cilës është ka shprehur dëshirën dhe mundësinë për t’i afruar ndihmën e nevojshme në aspektin edukativ për ta shndërruar FSK-në FAK në një fazë tranzitore 4 vjeçare e jo siç është tani 10 vjeçare. /tesheshi.com/