Nga Bashkim Kastrati
Ka një vit që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), ka hyrë në fuqi, ndërkaq janë ndjerë efektet e saj të para në ekonominë e Kosovës. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, rezulton se MSA-ja ka dhënë efekte pozitive, por edhe efekte negative sa i përket të hyrave nga dogana. Këto të fundit janë ndër gjeneruesit kryesor të buxhetit të Kosovës.
Nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim-Asocim (MSA) u prit më bujë të madhe dhe u konsiderua si një ndër arritjet më të mëdha të Kosovës në vitet e fundit. Zyrtarë të institucioneve deklaronin se Kosova do të fitojë shumë edhe në aspektin ekonomik pasi që po i hapen dyert e Evropës.
Prej se ka filluar zbatimi i MSA-së, pra për një vit, të hyrat doganore në Kosovës kanë shënuar ulje prej më shumë se 21 milionë euro, derisa në vitin e dytë të zbatimit të MSA-së këto të hyra parashihet të ulen deri në 30 milionë euro. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se këto humbje kanë qenë të ditura dhe se Qeveria e Kosovës është dashtë që të mendojë se si t’i gjenerojë përmes formave tjera.
Por në anën tjetër, qasja e lirë në tregun e BE-së ka hapur mundësi të reja për bizneset që të eksportojnë produktet e tyre pa pengesa të mëdha doganore. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2016, eksportet drejt BE-së janë rritur me mbi 20 për qind, ndërsa importet me 8 për qind. Disa nga kompanitë, të cilat eksportojnë në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian, kanë pasur efekte pozitive.
MSA-ja ofron mundësi më të mëdha të eksportit për bizneset e Kosovës, por një pengesë e madhe në këtë drejtim mbetet regjimi i vizave. Praktikisht, nëse kompani ka gjetur treg në ndonjë vend të Bashkimit Evropian, ajo duhet që të pajis punëtorët e angazhuar në eksport me viza. Procedurat për pajisje me viza janë shumë të komplikuara, marrin kohë dhe kanë kosto financiare, ndërsa edhe përkundër kësaj, ambasadat shpesh ua refuzojnë vizat, ose iu japin viza me afat shumë të shkurtër dhe për të dërguar sërish produktet, duhet që procesi të kthehet në pikën zero sa i përket pajisjes me viza dhe të aplikohet prej fillimit.
“Kosova nuk ishte e gatshme për MSA-në”
Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se Qeveria e Kosovës është ngutur për ta nënshkruar MSA-në, pasi që sipas tij Kosova nuk ka qenë në shumë aspekte e gatshme për ta nënshkruar këtë marrëveshje, pasi që ka fuqi të vogël konkurruese në një treg të madh siç është BE-ja.
“Për fatin jo të mirë ashtu siç nuk kam pritur para një viti poashtu edhe po të njëjtat rreziqe që i kam parashikuar, ashtu doli sepse parimet ekonomike nuk e thonë ndryshe. Kosova ka hyrë në një marrëveshje siç është MSA-ja pa i plotësuar kushtet as për së afërmi. Produkti kosovar nuk është konkurrent në një treg siç është tregu Evropian por njëherit edhe kërkesat e konsumatorit kosovar ende nuk i plotëson si për nga cilësia dhe për nga sasia”, thotë Kadriaj.
Ai mendon se më e keqja është se Qeveria e Kosovës para se t’i kryejë detyrat e veta që të ofrojë siguri si teknike dhe ligjore për prodhuesit vendor poashtu edhe për investitorët e huaj nënshkruan MSA-në. Ai përmend faktin Kosova ka reduktime të energjisë elektrike, siguria ligjore e dobët, prodhuesit vendor edhe të huaj nuk kanë siguri, tatimet dhe taksa jo të favorshme për prodhuesit vendor. Një prodhues në bazë të vëllimit të prodhimit poashtu edhe numrit të punëtorëve që i punëson duhet të ketë pushime tatimore si në norma tatimore poashtu edhe në kohë të caktuar derisa të hynë në treg.
“Argumenti më i mirë që ende importi me eksport është 9 me 1 poashtu edhe sipas Doganës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave që janë deklaruar që sipas tyre e kanë marr pozitiv rritjen e importit duke u mundu që të paraqesin si pozitive MSA-në që në fakt është kundërta sepse qëllimi i çdo qeverie duhet të jetë rritja e eksportit”, theksoi Mustafa.
Ai thotë se me këto politika ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës, MSA-ja në afat shkurtër ndoshta edhe në afat të mesëm do të jetë ngulfatëse për prodhimin vendor sepse prodhuesi vendor me këtë nivel të cilësisë dhe sasisë së prodhimit nuk mund të përballon konkurrencën nga importi si dhe me këtë nivel të sigurisë jo të favorshme investitori i huaj nuk mund të sheh Kosovën si një vend që mund të investojë.
/tesheshi.com/