Ja pra që dhe Kosova nuk i ka lënë gjë mangut Shqipërisë përsa i përket ndërtimeve pa leje. Sipas asaj çka informon ministri Agani, deri më tani janë regjistruar mbi 350 mijë të tilla e numri mund të shkojë deri në 400 mijë. Në një intervistë të dhënë për tesheshi.com, Agani flet se si do të legalizohen ato, por dhe për të tjera sfida të çështjes së mjedisit të Kosovë, ku siç thotë ai, Kosova nuk është se kryeson në rajon për nga aspekti dramatik i problematikave.. Madje ai thotë se sa i përket planifikimit hapësinor, Kosova është lider në rajon. Ministri Agani cek arritjet e dikasterit të tij për 2015-ën dhe paraqet një vizion pune të 2016-ës, mbi çështjet e komplikuara të menaxhimit të mjedisit në Kosovë…
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Agani, çfarë mund të thoni për vitin që po lëmë pas? A arritët t’i përmbushni objektivat e tuaja në MMPH?
Mendoj që objektivat kryesorë që ministria i ka pasur gjatë këtij viti janë realizuar. Me kënaqësi e them që buxheti i ministrisë në këtë institucion shfrytëzohet diku rreth 96% që është një shfrytëzim mjaftë i mirë i buxhetit. Janë iniciuar shumë projekte të reja, janë krijuar vizione të reja për avancimin e mëtutjeshëm të çështjeve mjedisore në vend, veçanërisht nëpërmjet themelimit të fondit mjedisor, i cili do të paraqet themelin e të ashtuquajturës ekonomi cirkulare ose ekonomi e cila do të bazohet në riciklimin e mbeturinave, ekonomi që do të bazohet në burime të reja të energjisë se ripërtritshme, po ashtu edhe në efiçencen e shtuar të ruajtjes të energjisë në vend.
Pra, krahas përmbushjes se detyrimeve primare që i ka ministria në segmentin e planifikimit hapësinor dhe të mjedisit po ashtu kemi arritur të krijojmë vizione të reja për avancimin e punës në vitin 2016.
A ishte i vështirë për ju kalimi nga Ministria e Shëndetësisë, të cilit e drejtonit në mandatin e kaluar, në atë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe si e gjetët këtë ministri?
Kalimi në MMPH-në natyrisht ka qenë një sfidë për mua, meqenëse kam kaluar prej një dikasteri ku kam pasur një ekspertizë profesionale të mirë, në një dikaster ku nuk kam pasur ekspertizë të plotë përveç ekspertizës në fushën e shëndetit mjedisor. Natyrisht që gjithmonë ka qenë pjesë e prioriteteve të mia në Ministrinë e Shëndetësisë, por megjithatë mendoj se brenda një kohe shumë të shkurtër e kam pasur që kjo ministri e ka një spektër të veprimit tejet interesant, tejet të gjerë. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës mbulon de facto tri ministri të tjera.
Unë kur shkoj në shtetet e rajonit me homologët e mij, si p.sh në Shqipëri, takohem me tre ministra që i kryen fusha të veçanta të veprimit që janë planifikimi hapësinor, ndërtimet, mjedisi, ujërat, pyjet do të thotë të gjitha këto janë të fokusuara në këtë ministri dhe si e tillë natyrisht që ka paraqitur një sfidë për mua të cilën mendoj që me sukses e kam kaluar në vitin e parë, duke ju falënderuar natyrisht mbështetjes së stafit të MMPH-së, i cili është një staf mirë i konsoliduar, i cili ka punuar me vite të tëra në ministri dhe i cili është mirë i informuar dhe udhëheq me suksese projektet me vite të tëra.
Gjendja e mjedisit duke përfshirë resurset ujore në Kosovë është dukshëm më e rëndë krahasuar me vendet në rajon. Ligjet bazike ose nuk janë kompletuar ose nuk janë zbatuar. Ç’masa keni ndërmarrë kundër stafit neglizhent?
Shikoni, gjendja e mjedisit në vendin tonë është paraqitur në raportin e mjedisit, të cilin Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e ka përgatitur, për herë të parë e ka dorëzuar në qeveri dhe ky raport është miratuar në Kuvendin e Kosovës, siç e dini në njërën prej mbledhjeve të fundit të Kuvendit. Në këtë raport nuk qëndron fakti se gjendja e mjedisit në Kosovë është më e keqja sesa vendet në rajon, përkundrazi, natyrisht ne kemi sfida serioze, tejet serioze kur janë në pyetje veçanërisht cilësia e ujërave të lumenjve dhe gjendja e lumenjve të vendit. Kemi problem serioz me menaxhimin e ujërave të zeza, të cilat në masë të madhe derdhen në lumenj, po ashtu edhe në cilësinë e ajrit, por jo në gjithë parametrat e tij, përveç ajo e grimcave të pluhurit PM10 të cilat janë parametër i rëndësishëm i ndotjes se ajrit veçanërisht për qendra urbane po flasim dhe natyrisht në qendra ku ekzistojnë komplekset më të mëdha siç është Obiliqi ku e kemi Termoelektranen.
Pra, kjo gjendje e mjedisit nuk është e tillë që duhet të na kënaq, do të përmirësohemi nga dita në ditë, çdo herë e më tepër. Unë kam bërë përpjekje të jashtëzakonshme që të sigurojmë një komunikim në ministri, një koordinim më të mirë të aktiviteteve brenda dikasterit të ministrisë, brenda agjensioneve ekzekutive, por edhe në ministri të tjera, sepse çështjet mjedisore janë shumë të ndërlidhura me ministrit e tjera dhe shpresoj që do të kemi rezultate. Nuk mund të them se kemi ndonjë neglizhencë të stafit, por ndoshta mund të them se kemi të bëjmë me mosshfrytëzim të duhur të gjitha kapaciteteve të tyre profesionale dhe mosshfrytëzim të duhur të kohës së tyre gjatë orarit të punës, dhe në këtë aspekt i kemi ndërmarrë masa konkrete.
Si po shkon procesi i legalizimit të ndërtimeve të bëra pas luftës së fundit? A e keni përkrahjen e institucioneve të tjera të përfshira në këtë proces?
Mendoj që ky është një prej arritjeve më të mëdha të ministrisë për vitin 2015. Ne, për herë të parë në Kosovë e pas luftës kemi arritur që të përpilojmë regjistrin shtetëror të ndërtimeve pa leje, i cili tani edhe në këtë moment janë 352 836 objekte. Por ky numër është duke u rritur me paraqitje të regjistrimeve plotësuese që janë bërë në muajt e fundit, nga fundi i këtij procesi do të kemi diku katërqind mijë objekte të regjistruara, do të dimë distribuimin e tyre nëpër komuna të vendit dhe natyrisht do t’i ndihmojë shumë në proceset e ardhshme të legalizimit të këtyre objekteve, jo të gjitha natyrisht por të atyre që janë të lejuara në bazë të ligjit dhe po ashtu edhe planifikimeve të ndryshme, sektorëve të ndryshëm.
I kemi disa vështirësi në procesin e implementimit të ligjit për tatimin e ndërtimit pa leje që kanë të bëjnë me afate kohore, sepse ligji parasheh që ky proces i legalizimeve në një farë mënyrë të përfundojë deri në pranverën e vitit që vjen, gjë që është e pamundur të bëhet dhe, në proces është ndryshimi dhe plotësimi i këtij ligji, i cili do të mundësojë që i tërë procesi i legalizimit të kryhet në mënyrë ligjore dhe në pajtim me resurset që i kemi njerëzore si në nivelin qendror si dhe atë lokal.
Mbështetja është jashtëzakonisht e mirë për ministrinë, veçanërisht nga projektet mbështetëse që i kemi nga USAID-i, i cili ka angazhuar kompani të veçantë e cila punon me ministrinë jo vetëm në çështjen e legalizimit por në përgjithësi reformën e planifikimit hapësinor në vend. Ne jemi shtet lider në tërë rajonin me reformën dhe planifikimin hapësinor, jemi duke shkuar nga koncepti i vjetër kah koncepti i ri i të ashtuquajturës harta zonale të komunave dhe të Kosovës me norma dhe standarde të reja teknike për këtë qëllim të inkorporuar në plane të reja zhvillimore komunale.
Lumenjtë kryesorë në vend dhe gjithë ekosistemi i tyre po shkatërrohet nga dita në ditë si pasojë e derdhjes së ujërave të zeza, mbeturinave, kimikateve dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit. Ç’hapa keni ndërmarrë për të vënë këtë situatë nën kontroll?
Siç deklarova edhe me parë, ky është njëri prej brengave më të mëdha dhe shqetësimeve më të mëdha që i kam si ministër. Ky është një problem i cili është akumuluar me vite të tëra të gjitha investimet publike që janë bërë nëpër komuna të vendit, pas ndërtimeve të shkollave, pas ndërtimeve të rrugëve, çerdheve të objekteve të tjera publike që kanë qenë më rëndësi për komuna ose shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit ose të kanalizimeve etj, etj. Trajtimi i ujërave të zeza ka ngel plotësisht i paadresuar në të gjitha komunat e vendit, me përjashtim të Komunës së Skënderajt e cila e vetmja e ka një impiant për trajtimin e ujërave të zeza në vend.
Dhe, derdhja e ujërave të zeza në lumenj nga njëra anë, si dhe degjenerimi i shtretërve nga veprimtaria ilegale në radhë të parë e operatorëve të ndryshëm ekonomik në shfrytëzim të rërës dhe zhavorrit, ka kushtëzuar që gjendja e lumenjve me të vërtet të vijë në një situatë dramatike. Kësaj iu kemi qasur në dy mënyra, nga njëra anë duke bërë përpjekje që të sigurojmë impiantet për trajtimin e ujërave të zeza në qendrat kryesore komunale të vendit që shtrihen përgjatë pellgjeve të lumenjve të mëdhenj të Kosovës, që do të sigurojë që në këto lumenj të derdhën ujëra të pastër, ndërsa mbeturinat të trajtohen në bazë të asaj që e thash në fillim, në bazë të parimeve të ekonomisë së riciklimit të mbeturinave, dhe qasja e dytë ndaj lumenjve ka të bëjë më atë se gjatë gjashtë muajve të fundit kemi punuar në përpilimin e planit të veprimit në bazë të ligjit për ujëra, plani i veprimit i cili përfshin njëmbëdhjetë institucione, ku secili institucion në mënyrën e vet e ka përgjegjësin ligjore për t’u qasur këtij problemi.
Ka munguar koordinimi dhe komunikimi ndërinstitucional në adresimin e kësaj çështje. Veprimet e deritanishme për vitet e kaluara ka qenë fragmentare, nuk ka qenë mirë të themeluar dhe nuk kanë dhënë rezultate pozitive dhe përfshihet gjendja aktuale. Ky plan i veprimit është para finalizimit dhe para miratimit në qeveri, në momentin që do të miratohet atëherë personalisht do të jem i impenjuar në mbikëqyrjen dhe zbatimin të tij.
Ditëve të fundit vendin tonë e ka mbuluar një mjegull e dendur, ndërsa dëgjojmë zëra se kemi të bëjmë me smog. A e ka konstatuar ministria që ju drejtoni se ç’është kjo në të vërtetë, fenomen meteorologjik apo ndotje enorme e ajrit?
Ministria e ka vlerësuar raportin për cilësinë e ajrit në javët e para të muajt dhjetor dhe raporti është në faqen zyrtare të ministrisë, të dhënat janë në dispozicion. Nuk bëhet fjalë për ndotje të cilat janë të jashtëzakonshme ose jo të pritura për këtë pjesë të vitit. Dihet mirë se gjatë dimrit kemi ngrohjen prej drurit ose thëngjillit të ekonomive familjare, pra prej shtëpive dhe këto ndikojnë veçanërisht në qendrat urbane në ndryshimin e cilësisë së ajrit. Por në këtë aspekt po them jemi duke punuar, edhe më tepër do të punojmë edhe më shumë, por gjendja aktuale përveç siç thash rritjes së vlerave të grimcave të pluhurit PM10, d.m.th grimcat e pluhurit me madhësi pak më të madhe nuk janë jashtë parametrave të cilat pritën për këtë pjesë të vitit.
Ndërsa konkretisht, kur është në pyetje ajri unë doja të theksoja prioritetin e dytë që e thash që është shumë më rëndësi, e kjo është se do të provojmë të zvogëlojmë ndotjen e ajrit në radhë të parë nga automjetet. Deri me tani asnjëherë nuk është zbatuar gjatë kontrolleve teknike matja e gazrave të automjeteve. Dhe, këto gazra në masë të madhe diku rreth 26% i kanë kontribuar ndotjes së përgjithshme të ajrit nëpër qendrat tona urbane.
E kemi nxjerrë një udhëzim administrativ i cili është përpiluar është në fazën përfundimtare para miratimit në qeveri, i cili do t’i obligoj qendrat e kontrollit teknik që në të gjitha qendrat të zbatohen standarde Euro3 për emisionin e gazrave të automjeteve si një standard fillestar me të cilin do të fillojmë këtë praktik në vendin tonë ta bëjmë obligative dhe të jemi të sigurt që asnjë automjet në vend nuk është në këtë standard e pastaj nga viti në vit duke i ngritur kapacitetet kontrolluese, monitoruese dhe qendrat kontrollore dhe teknike duke krijuar edhe mentalitetin, duke ngritur vetëdijen e vozitësve për nevojën e respektimin të kësaj norme ligjore, të rrisim nivelin e standardit në Euro4,5 dhe 6 që është maksimumi sot në Evropë.
Qeveria nuk ndan aq fonde për mjedisin. Por ju si ministri nuk jeni fare pa para. Ku përfundojnë mjetet nga gjobat mjedisore, taksat mjedisore, taksat për regjistrimin e automjeteve, etj?
Të gjitha këto përfundojnë në buxhetin e Kosovës, pra në bazë të ligjit për menaxhimin e financave publike çdo e hyrë të cilën e realizojnë organizatat buxhetore të vendit shkon në buxhetin e Kosovës, ato nuk janë taksa të dedikuara vetëm për ministrinë tonë. Pra, ne të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion i kemi ato që i marrim si pjesë e buxhetit për vitin, p.sh 2016, pra tash vitin rrjedhës dhe mjetet tjera përveç donacioneve të cilat i sigurojmë në marrëveshje ndërkombëtare nuk ka do të thotë këto janë të vetme mjete që kemi në dispozicion.
Buxheti i MMPH-së është shumë i ulët vetëm për mjedis është 0.5% buxhetit të vendit që është minimal në krahasim me sfidat që i kemi i tërë buxheti në këtë ministri është rreth 1% e buxhetit të gjithëmbarshëm të Kosovës pra përfshirë komponentët e planifikimit hapësinor banimin dhe ndërtimeve dhe kjo fletë për atë që ky sektor është më të vërtet i mirë financuar rënd dhe kjo është konstatuar në raportet e progresit për vitin në vit. Unë do të mundohem që edhe mjedisin këtë sektor të planifikimit hapësinor ta bëjë prioritet të qeverisë dhe veçanërisht mjedisin ashtu siç kam arritur ta bëjë prioritet shëndetësinë në fund të mandatit tim atje. Por është e domosdoshme që të kemi ndarje më të madhe buxhetore.
Sa aplikohet parimi “ndotësi paguan dhe shfrytëzuesi paguan” nëse marrim në konsideratë ndotjen industriale dhe shfrytëzimin e resurseve ujore?
Për fat të keq shumë pak, ky është një problem që kam gjetur në ministri një problem të akumuluar me vite të tëra dhe se ministria e ka zgjedhur nëpërmjet dërgimit të operatorëve të ndryshëm ekonomikë në gjykata dhe inicimin e procedurave gjyqësore ndaj tyre. Pas ardhjes time në këtë ministri një lëndë që ka pasur të bëjë me mos pagesën e një takse për shfrytëzimin e resurseve ujore nga ana e prodhuesve të ujit të ambalazhuar në vend është dërguar edhe në prokurori për hetime për të pa se a ka pasur këtu shkelje ligjore të qëllimshme në përudhen e kaluar apo jo, bëhet fjalë për një problem të akumuluar në nëntë vitet e shkuara.
E kemi adresuar edhe këtë problem gjatë këtij viti, duke e rishkruar udhëzimin administrativ për të ashtuquajturën strukturat e pagesave ujore që kanë të bëjnë më këtë qëllim, ky udhëzim është para miratimit në qeveri, është kryer nga grupi punues dhe presim deklaratën financiare dhe fillimin e implementimit menjëherë prej vitit që vjen dhe do ta bëjmë një prerje sa i përket kësaj çështje, me të kaluarën do të merren gjykatat dhe organet kompetente.
A ndikon mbrojtja e mjedisit në zhvillimin ekonomik të Kosovës?
Pa asnjë dilemë ish dashur të ndikoj, për momentin, për fat të keq nuk ndikon aq shumë sepse sic thash nuk është prioritet edhe i programit qeveritar, por në qoftë se e bëjmë në vendin që duhet, në qoftë se i adresojmë projektet mjedisore në bazë të parimit të ekonomisë cirkulare që përmenda me siguri që do të njëri prej shtytësve më të mëdhenj të zhvillimit ekonomik të vendit duke krijuar me mijëra vende të punës. E them këtë më përgjegjësi të plotë sepse kjo është përvojë e shteteve evropiane.
Ne fare në Kosovë nuk merremi me riciklimin e mbeturinave as ato të ngurta siç quhen solide, as mbeturinave të ujërave të zeza të cilat do krijohen me fillimin e punës së fabrikave për trajtimin e ujërave të zeza në vendin tonë. Pra këto mbeturina vetëm deponohen në deponi ato fare nuk shfrytëzohen, kurse në botë këto paraqesin ndoshta njërën prej tri katër fushave me profitabile për investime të jashtme në vend. Pra bëhet fjalë për një resurs të cilin ne nuk jemi duke e shfrytëzuar fare, nuk jemi duke e vu në funksion të zhvillimit ekonomik. Tash me strategjinë e re kombëtare të zhvillimit ekonomik e cila është para miratimit që drafti i fundit veç është shpërnda për komente nga ana e zyrës së kryeministrit.
Është përfolur se ministria e juaj vepron në fusha, të cilat sipas rregullores së Qeverisë së Kosovës, janë të mandatuar ministri të tjera, si p.sh. shpronësimi, banimi dhe ndërtimi, agjensioni kadastral, komplekset memoriale, etj. Çfarë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj në trajtimin e këtyre çështjeve dhe se a do t’i bartni ato te ministritë relevante?
Fillimisht kjo që thatë nuk qëndron përfundimisht, këto fusha që i përmend ju nuk janë të pa mandatuara për ministrit të tjera. Këto fusha janë të mandatuara në bazë të rregullores së punës të qeverisë dhe nga Qeveria e Kosovës janë të mandatuara për këtë qeveri dhe organizimi i mençur i MMPH-së i reflekton këto fusha. Tjetër çështje është se a kisha pasur unë dëshirë të gjendën në ministrin time apo ndoshta e kanë vendin në ministri tjera. Mendoj që shumë prej këtyre fushave nuk e kanë vendin në MMPH por duke e falënderuar historisë institucionale periudhës së kaluar fazave të ndryshme të ndërtimit të qeverisë së vendit, funksionimit të shtetit tonë ato në një pjesë kanë ngelur me ne në këtë ministri ose e kanë vendin në ministri të tjera.
Por për momentin ne jemi plotësisht brenda mandatit kushtetues dhe ligjor që parashihet për punën e ministrisë p.sh konkretisht njëri prej këtyre çështjeve me të cilën është marrë ministria me vite të tëra e që tash prej sivjet nuk merret është çështja e komplekseve memoriale që i keni përmend, kjo çështje është bartur të agjensioni për trajtimin e komplekseve memoriale, agjension ekzekutiv që merret me këtë çështjeve, tani ministria vetëm po i përfundon projektet të cilat janë nisur më herët. Në anën tjetër agjensioni kadastral i Kosovës pas shëtitjeve nëpër disa ministri para disa viteve është bërë pjesë përbërëse e MMPH-së,
Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor janë përfolur për afera korruptive. Pse duhet mbajtur zyrtarë të tillë?
Shikoni, përfolje për afera korruptive, përfolje ka gjithandej edhe neper dikastere të tjera. Ne nuk merremi më përfolje por merremi me veprime konkrete të institucioneve shtetërore. Aty ku kemi pasur aktakuza të ngritura nga prokuroria për zyrtarët e ministrisë, është vepruar me njëherë në mënyrë të përgjegjshme. Ne momentalisht kemi dy drejtorë të departamenteve të suspenduar, ma mirë të themi të pezulluar nga puna me 50% të pagës, dhe kemi një zyrtare e cila po ashtu është e suspenduar nga puna sepse është pjesë të një procedure gjyqësore. Në këtë aspekt ne kemi ndërmarrë masa të duhura aty ku ka pasur veprime të institucioneve shtetërore kemi reaguar menjëherë.
Për fund, z. Agani, cilat janë prioritet tuaja për vitin 2016?
Unë e përmenda gjatë intervistës time dy janë të veçanta: 1. Gjendja e lumenjve në vend, pra adresimi i çështjes së trajtimit të ujërave të zeza në lumenj, po ashtu adresimi i çështjes shtretërve të lumenjve dhe përfundimisht ndërprerja e keqpërdorimit të rërës dhe zhavorrit dhe shfrytëzimi jo ligjor të tyre. Pra, duke e rrënuar strukturën e shtretërve të lumenjve në vendin tonë. Kjo do të bëhet nëpërmjet monitorimit dhe zbatimit të planit që e kemi përpiluar dhe që do të miratohet në qeveri. 2. Prioriteti i dytë do të jetë cilësia e ajrit, monitorimi i zbatimit të akteve ligjore të cilat janë në fuqi dhe të cilat do të miratohen që fola për udhëzimin administrativ emisionin e gazrave nga automjetet gjatë vitit 2016, do ta monitorojmë zbatimin e këtij udhëzimi administrativ dhe do të sigurojmë që një praktikë e re të instalohet në vendin tonë dhe në këtë mënyrë do të ngrejmë përgjegjësinë institucionale dhe publike për cilësinë e ajrit. Natyrisht, ka shumë prioritete të tjera me të cilat do të merremi. /tesheshi.com/