Zëvendësministri i Brendshëm i Kosovës Selami Shkodra diskutoi zbatimin e një marrëveshjeje për të hequr kontrollin kufitar midis Kosovës dhe Shqipërisë me një delegacion nga Shqipëria, kryesuar nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane Etien Xhafaj.
Tema kryesore e diskutimit ishte zbatimi i marrëveshjes për eliminimin e kontrollit kufitar mes dy vendeve, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e marrëveshjeve dhe detyrimeve të tjera të ndërmarra në takimet e përbashkëta të dy qeverive, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.
Në takim u diskutua për përshpejtimin dhe harmonizimin e të gjitha ligjeve dhe akteve nënligjore me qëllim të fillimit të zbatimit të marrëveshjes “mini-Schengen” ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Kjo marrëveshje u iniciua dhe morri dakordësi në një takim të mëparshëm të përfaqësuesve të dy qeverive të mbajtur në Pejë në fund të vitit të kaluar.
Të dy palët ranë dakord se kjo marrëveshje është në funksion të lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe të lehtësimit të trafikut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjithashtu, të dy palët ranë dakord të mbajnë të tjera takime në ditët në vijim me qëllim të finalizimit të marrëveshjes. /tesheshi.com/