Kreu demokrat Basha dha alarmin për afrimin e koronavirusit me Shqipërinë, referuar Italisë, e tha se qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme parandaluese.
“Për fat të keq në Italinë fqinje janë shënuar viktimat e para nga coronavirus, ndërkohë që po rritet numri i të prekurve prej tij. I kërkoj qeverisë të marrë masa serioze dhe të menjëhershme. I bëj thirrje autoriteteve shëndetësore të nisin kontrollet në pikat kufitare.
Çdo pikë kontrolli kufitar dhe qendër shëndetësore të pajiset pa asnjë vonesë me personelin dhe aparatet e duhura për të evidentuar dhe trajtuar në kohë çdo rast të mundshëm.”, shkroi Basha.
Nga ana tjetër, specialistja e njohur e shëndetit publik Silva Bino, tha se mbrojtja nga koronavirusi nuk është vetëm punë e qeverisë.
“Ky virus nuk luftohet vetëm nga strukturat qeveritare, por ky virus luftohet duke u përkujdesur për veten dhe të afërmit tanë nëpërmjet masave të thjeshta higjieno-sanitare, mos të pështyjmë përtokë, të vendosim gropëzën e bërrylit kur teshtijmë, mos të prekim me duar hundët, fytyrën, janë disa rregulla të thjeshta që të gjithë mund të mbrohemi. Virusi është i thjeshtë, përhapet në rrugën si gripi. Janë sëmundje të ngjashme me njëra-tjetrin, përveç faktit që ky ka një vdekshmëri fare pak më të lartë se virusi i gripit”, tha ajo në një dalje publike.
Sipas saj, në Shqipëri janë të njëjtat masa të marra si kudo në botë.
“Ne jemi në atë hap që janë të gjitha vendet e botës.
janë përforcuar masat në kufi. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që udhëtojnë si nga Italia apo nga Italia si dhe ata që do të udhëtojnë në këto vende të jenë të kujdesshëm.
Personeli shëndetëso është përforcuar ditët e fundit, pasi edhe kontakti me Italinë është më i shpeshtë se vendet e tjera.
Virusi në asnjë vend të botës nuk mund të ndalet në aeroport. Skanerat e temperaturës nuk i kemi, ashtu siç nuk i kanë edhe disa vende të tjera, por ato nuk shërbejnë në kapjen e hershme.
Jo më pak se javën që shkoi përfunduam një testim për të parë se sa shpejt i kapim kontaktet, pasi është një element shumë i rëndësishëm, kapja e kontaktit.
Në lidhje me karantinën. Ajo është vend për të shëndoshët, nëse do të flasim se kemi një kontakt të një sëmuri. Ai futet në vetë karantinë në rast se kushtet e lejojnë, apo futet në një vend karantinë që është e përcaktuar”, tha Bino. /tesheshi.com/