Nga Vepror Hasani
Iljaz bej Mirahori kishte vetëm një ëndërr: të ngrinte një qytet të madh dhe të bukur. Njerëzit të ndaleshin diku e ta vështronin me ëndje pa u larguar dot prej tij. Të harronin për ku ishin nisur. Edhe qyteti një emër të tillë të kishte – “shiko e shko”, ku të gjithë të ktheheshin sërish e sërish për ta soditur nga fillimi. Kërshëria e tyre të mos shuhej kurrë. Sa herë të vinin për ta parë, gjithnjë ta gjenin më të bukur. E njëjta gjë duhej të ndodhte edhe me të huajt. Kjo ishte ëndrra e Mirahorit, themeluesit të qytetit të Korçës, dhe kështu ndodhi. Vendin ku u ngrit Korça e quajti “Gierixhë”; e përkthyer nga turqishtja do të thotë “shiko e shko”. Nuçi Naçi, ndërsa hulumtonte mbi historinë e Korçës, mbeti pa përgjigje kur u gjend para një emërtimi të tillë. Ku u gjet ky emër? – pyeti ai.
Në librin e tij “Korça dhe fshatrat për qark”, Naçi shkruan:
“Në këtë ferman’ e fundit (Vakëfnamenë) përmëndet një fshat me një emër Gjorçë (nuk dimë nga e kanë marë turqit këtë emër që në shqip do të thotë, shiko – e – shko”).
Nuçi Naçi emrin e Korçës e shkruan “Gjorçë”, ndoshta ashtu siç shqiptohej, por saktësisht kjo fjalë në arabisht shkruhet Gierixhe, kurse në frëngjisht Gueuridije. Në turqisht ka kuptimin “shiko e shko”. Shkrimin e saktë të kësaj fjale e gjejmë të historia e filatelisë shqiptare:
Më 1890-92 në Korçë kishte një vulë me gërma arabe ku shkruhej Gierixhe, (frengj. Gueuridje), që quhej Korça në Turqisht. (Kolë Gjinaj, Historia e filatelisë shqiptare)
Shpjegimet e studiuesve shqiptarë mbi termin “Korça” mungojnë. Studiuesit sllavë mendojnë se emri i Korçës rrjedh nga fjala “Goricë” që do të thotë malësi, ashtu siç ka të tjerë që mendojnë se Korça e ka marrë emrin nga dradha e egër, e quajtur ndryshe “goricë”, sepse sipas tyre, në Korçë kishte shumë gorica. Megjithatë, nëse doni të keni një ide mbi emrin e Korçës, ndiqnin rrëfimin që vjen më poshtë.
Historia e Korçës është e lidhur me jetën e themeluesit të saj. Mirahori u mor peng nga sulltan Murati II që kur ishte i vogël. Jeta i kaloi në luftra dhe beteja. U shqua për trimëri dhe si gjeneral i zoti. Sulltan Mehmeti II nuk nguroi t’i jepte bijën e vet për nuse. Iu dhuruan prona dhe pasuri të shumta. I falën Manastirin e famshëm të Shën Ioon Studitit (Theologut), që gjendej në afërsi të Shtatë Kullave në Stamboll. Të tjera pasuri, xhami, shkolla, dyqane, shtëpi dhe hamame që ndodheshin në lagjen “Ivlanka” u bënë pjesë e pronave të tij. Një lagje e Stambollit u quajt “Mirahor Mahalasi”. Edhe pse bashkëmoshatar me sulltan Bajazitin II, ai u bë për të kujdestar dhe pedagog. Ishte njeri me shkollë dhe i ditur; konsiderohej njeri i shenjtë. Nderimet, titujt, gradat dhe vlerësimet nuk i munguan kurrë.
“… Ai arriu njëra pas tjetrës grada të larta; kështu u bë sanxhak bej i Janinës dhe në kohën e Bajazitit II u ngjit gjer në shkallën e lartë të Mirahorit, të komandantit të kalorisë së sulltanit; Iljaz beu përmendet dhe me gradën “Mirahor Evel”, d.m.th. Mirahor i parë. Sami Frashëri Iljaz benë e quan Khoxha Mirahor; khoxha do të thotë i madh, i respektuar, trim, dhe ishte një emër (titull) që e jepnin vetëm sulltanët”. (Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, f. 271)
Para se të kthehej në Shqipëri Mirahori punoi për vite me radhë si sanxhakbej i Janinës. Studiuesi Sejdin Ramo, duke iu referuar dekreteve të pronësisë në emër të Iljaz bej Mirahorit përcaktoi harkun kohor të mundshëm të qëndrimit të tij në këtë post:
“Nga shqyrtimi i dokumenteve mund të arrijmë në përfundimin se Iljaz bej Mirahori do ta ketë zënë postin e valiut në vilajetin e Janinës para vitit 1496, por pas vitit 1484. Këtë post do ta ketë lënë para vitit 1503, pasi në dekretin e këtij viti, lëshuar Iljaz bej Mirahorit, nuk përmendet cilësimi “beu i sanxhakut të Janinës”. (Sejdin Ramo, “Ilia Panariti dhe Korça”, f.32)
Por erdhi një ditë, kur Mirahori kërkoi ta linte përgjithmonë Stambollin. Vendosi të kthehej në vendlindje. Edhe varrin dëshironte ta kishte atje. Aty do të ngrinte qytetin e tij të ëndërruar prej shumë vitesh. Pritej vetëm leja e sulltanit që ai të nisej për në atdhe. Për vetë madhështinë që kishte Mirahori, fjala nuk mund t’i bëhej dysh. Do të udhëtonin të gjithë bashkë si familje: Mirahori, gruaja e tij, vajzat Fatime. Shoh-Hatun, Aishe, Hondi dhe Hatixheja; djemtë Muhamet Bej e Sefer Shah Çelebiu, (Njëri prej djemve, Ine Beu, ose siç njihej ndryshe, Mehmet Beu, ishte vrarë në betejat e Bagdatit). Mirahori mori me vete edhe nipin e tij. Mustafa Çelebiun, skllevërit që u kishte dhënë lirinë, Sulejman Zajimin dhe Ali Abdullahun, si dhe skllaven, gjithashtu të liruar, Hurshide Abdullahun. Bija e Sulltan Mehmetit II kishte pranuar të jetonte në Panarit, në një fshat të vogël me dy lagje: “Shën Gjon” dhe “Lëmbath” të cilat përbëheshin nga disa mëhalla, që ndaheshin prej njëra tjetrës nga një lumë i vogël që derdhej në Osum. Pas vitit 1431 me organizimin e ri të territoreve, Panariti u bë pjesë e Ziametit të Çakderit:
“Fshati Panarit bënte pjesë në Ziametin e Çakderit, ose siç e quanin turqit Vilk-Ili. Ziameti i Çakderit bënte pjesë në krahinën e Përmetit, në sanxhakun e Vlorës e në vilajetin e Janinës. Në Ziametin e Çakderit përfshiheshin fshatrat Panarit, Treskë, Trebickë, Potom, Melckë, Lubonjë, Rehovë, Blush, Qafëzez, Psar dhe Gostivisht”. (Sejdin Ramo, “Ilia Panariti dhe Korça”, f. 12-13)
Kohë më parë, para se të kthehej në atdhe, sulltan Bajaziti II i kishte dhënë si pronë personale Panaritin (fshatin e lindjes), ku Mirahori mund të ngrinte qytetin e tij të ëndërruar dhe fshatin Trebickë. Dekreti i firmosur në mbarim të Muharremit të vitit 909, sipas kalendarit hixhri, ose më 1484, sipas kalendarit të sotëm, përshkruan me hollësi gjithçka:
“Të gjitha këto (Panariti, Trebicka, taksat dhe pronat) më përpara kanë qenë (prona) personale të prijësit të urdhëruesve të nderuar autoritetit të të mëdhenjve të lartë, sot Mirahor Iljazit – qoftë gjithmonë fatbardhë. Këto kanë qenë pronat e tij me Eshkini dhe i ka poseduar si pronë personale dhe në kohë të luftës mbretërore paraqeste xhebelut e tij dhe përmbushte radhorin. Tani i lartpërmenduri ka ardhur në Stamboll dhe ka lërkuar t’i jepet berat (dekret). Dhe unë ia përtëriva beratin dhe i dhashë urdhërin që ia bën pronë personale…” (Pjesë nga dekreti perandorak i Panaritit dhe Trebickës)
Me të mbërritur në Panarit, Mirahori mund të fillonte me ngritjen e qytetit. Aty bëhej pazari i gjithë zonës që nga kohët më të hershme. Njerëzit tregtonin gjithçka që prodhonin. Edhe romakët kur mbërritën për herë të parë në këtë vend u mrekulluan nga hijeshia që ofronte natyra. Një prej mëhallave të Panaritit e quajtën “Vila”, që do të thotë “qytet”. Pra, aty mund të ndërtohej një qytet i madh dhe i bukur, por Mirahori me të mbërritur në Panarit, ra në mëdyshje. Pati bindjen se as Panariti dhe as Trebicka nuk e përmbushnin dot ëndrrën e tij. Kohët kishin ndryshuar. Ngritja e qytetit në një vend kaq të thellë do të ishte e mundimshme dhe e pafat. I duhej të gjente një vend tjetër:
Kështu shkruan edhe studiuesi Nuçi Naçi te libri i tij Korça dhe katundet përqark”:
“Edhe kështu, (Mirahori) ardh’ e qëndroj së pari në Panarit, po nuk dihet më sa (në ç’datë ). Me që viset e këtyre fshatrave janë malësi, e me që shikonte se mëmëdhedh’ i tij nuk ish në vënt të mirë që të mundte të bëhej një qëndër, kërkoi nga Sulltani Vidhkuqnë dhe Leshnjën; dhe këto ju dhanë me ferman…”.
Dekreti i hartuar në fillim të muajit Dhilkade 8897, sipas kalendarit hixhri, ose më 20 nëntor të vitit 1484, sipas kalendaritë të sotëm, shpjegon gjithçka për Leshnjën dhe Vithkuqin:
“Pra edhe mbajtësi i këtij dekreti, prijësi i urdhëruesve të nderuar, shtylla e të mëdhenjve të lartë, Mirahor Iljazi – i lartë qoftë gjithnjë – ka kërkuar prej meje katundin harbi të quajtur Leshnica (Leshnjë) që është në krahinën e Gjerixhës (Korçës). Ky fshat është afër e ngjitur ne kufijtë e fshatit Bitukuq (Vithkuq) harracin e të cilit e pat kërkuar prej meje qysh më përpara ia pata bërë pronë personale. Unë me mirësinë time auguste dhe me favorin tim mbretëror, ia bëj pronë personale edhe fshatin Leshnica (Leshnjë)…” (Pjesë nga dekreti perandorak i Vithkuqit dhe Leshnjës)
Tashmë Mirahori kishte në pronësi të tij Panaritin, Trebickën, Leshnjën dhe Vithkuqin, por as Vithkuqi nuk i përmbushi pretendimet e tij. Në vitin 1486, i kërkoi sulltanit t’i jepte Boboshticën dhe sulltani ia dha. Bobshtica ishte një vend i bukur, banohej prej disa familjesh sllave të mbetura nga koha e pushtimit bullgar, gjendej pranë rrugëve që të çonin në Maqedoni, Greqi e gjetkë, kishte ujë, pyje dhe kullota. Tundimi i Mirahorit duhet të ketë qenë i madh, por pse nuk e ndërtoi qytetin në këtë vend, nuk dihet. Ndoshta banorët e Boboshticës nuk kishin përvojë në tregti, nuk ishin as zanatçinjë. Kjo mund jetë një nga arsyet pse hoqi dorë edhe nga Boboshtica. Pas Boboshticës mori në pronësi një sërë fshatrash të tjera: Treskën, Vodicën dhe Statobërdën, por si vakëfe, (ish-prona të tij), njihen edhe fshatrat Grabockë dhe Katund. Gjithë zona e Panaritit u bë pronë e Mirahorit, por ai hoqi dorë përfundimisht edhe prej saj.
Më në fund Mirahorët e gjetën vendin ku do të ngrihej qyteti. Quhej Peskëpi, që do të thotë pesë shtëpi, ose ndryshe Peskopje. Fshati gjendej më të djathtë të lumit të Moravës. Ashtu si Boboshtica edhe ky fshat banohej nga banorë sllave të mbetur nga pushtimi bullgar. Qyteti do të ngrihej më të majtë të lumit. Për të marrë këtë vend, Mirahorit iu desh të linte Panaritin dhe Treskën, me pretendimin se këto dy fshatra, (të banura nga njerëzit e tij dhe bashkëfshatarët), nuk paguanin taksat. Sulltan Bajaziti II nuk e refuzoi as këtë kërkesë të Mirahorit. Sulltani ishte vëllai i bashkëshortes së Mirahorit. Dekreti u firmos në muajin Sheval të vitit 1901 sipas kalendarit hixhri, ose në vitin 1486 sipas kalendarit të sotëm:
“Mbajtësit të këtij dekreti të lartë, prijësit të urdhëruesve të nderuar të të mëdhenjve të lartë, të përforcuar me fuqinë e Zotit të ditur, beut të sanxhakut të Janinës, Iljazit, i lartë qoftë gjithnjë, ia kam dhuruar si pronë personale edhe taksën e deleve të fshatit të quajtur Panarit që varet nga Përmeti krejt farën e produkteve dhe taksën e deleve, përveç haraçit të fshatit Treskë që varet nga Çakdari… Por tani, me qenë se mbledhja e të ardhurave e dy fshatrave të përmendura, është punë e vështirë, i lartpërmenduri, i lë ato e në vend të tyre kërkon fshatin Peskopje, që është në varësi të Korçës…” (Pjesë nga dekreti perandorak, Shkëmbimi i Panaritit dhe Treskës me fshatin Peskopje)
Më të majtë të lumit të Moravës nuk banonte askush. Gjithçka u bë për herë të parë. Fillimisht u ndërtua xhamia.
Sipas Nuçi Naçit, “Mirahori bëri xhamin e madhe si dhe teqen’ e tarikut Synbyli që janë edhe sot; në këto vjete duket t’ish mjaft plak nga mosha”.
U ndërtua medreseja dhe qendra sociale për të varfërit. Drejtor i Bamirësisë u vu skallavi i liruar Ali Abdullahu. Mirahorët sollën aty tregtarët dhe zanatçinjtë e pazarit të kalasë që gjendej në afërsi të Mborjes; gjithsej 26 familje myslimane. Qyteti u quajt “Gierixhë”; e përkthyer nga turqishtja do të thotë “shiko e shko”. Shpjegimit të kësaj frazeologjie studiuesit tanë nuk i kanë kushtuar vëmendje, ndërsa studiuesit sllavë mendojnë se emri i Korçës rrjedh nga sllavishtja; kjo hipotezë mbështet edhe nga studiues shqiptarë. Ideja e tyre është kjo:
“Emri i Korçës në pikëpamje etimologjike shpjegohet nga fjala “Gorica”, që ka të bëjë me vende të vogla malore (shih A.Selishçev, Sllavianskoe naselenie v Albanii, Sofje 1931, fq 214); të tjerë mendojnë se emri i Korçës lidhet me fjalën “goricë”, dardhë e egër”. (Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, f. 274)
Shpjegimi etimologjik i mësipërm nuk duket bindës. Në zonën e Prespës në Korçë ekzistojnë dy fshatra me emrat Goricë e Vogël dhe Gorica e Madhe, por në asnjë rast ato nuk janë quajtur Korça e Vogël dhe Korça e Madhe. Nuk mund të ndodh kështu, sepse gjuha shqipe nuk paraqet asnjë vështirësi në artikulimin e fjalës “goricë”. Edhe gjuha turke nuk e ka këtë vështirësi në shprehjen e këtij termi. Atëherë, pse fjala “goricë” duhej të vinte e deformuar?
Kuptimi i emrit “Korça”, gjendet te fjala “Gierixhe” ose siç shkruhet në frëngjisht “Gueuridije” dhe që në turqisht ka kuptimin “shiko e shko”. Por edhe nëse deri më sot kësaj shprehjeje nuk i është dhënë ndonjë shpjegim, sërish ajo ofron një kuptim simbolik mjaft domethënës – “shiko dhe shko”, sepse Korça nuk të lë të qetë nëse nuk e sodis para se të shkosh. Emri i saj lindi nga mënyra e shqiptimit të fjalës së shkruar “Gierixhe” ose “Gueuridije”. Nuçi Naçi fjalën “Gierixhë” e sjell të artikulluar “Gjorçë”, nga ku ka lindur emri Korçë. /tesheshi.com/