Nga Blendi Gashi
Presidentja Atifete Jahjaga ka nisur proceduat për krijimin e një komisioni vlerësues ad-hoc më ekspertë ndërkombëtarë, për të vlerësuar shënjimin e vijës kufitare më Malin e Zi.
Megjithatë nuk bëhet me dije se kur mund të jetësohet ky komision.
Opozita dhe deputetë të mazhorancës, njëherit dhe ekspertë, që kanë shprehur shqetësimin e tyre për çështjen e Demarkacionit, thonë se përbërja e komisionit duhet të dominohet nga ekspertët vendorë, ndërsa ata ndërkombëtarë duhet të kenë më shumë rol këshilldhënës.
Deputeti i partisë në pushtet (LDK), Shpejtim Bulliqi, njëherësh profesor i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, ka deklaruar për tesheshi.com se çfarëdo komisioni që të formohet për çështjen e Demarkacionit, përbërja duhet të jetë gjithsesi e dominuar nga ekspertët vendorë, sepse askush nuk e njeh më mirë se ata problematikën e përcaktimit të kufijve në ish-jugosllavinë e Titos.
“Duhet të ketë edhe prezencë të ndërkombëtarëve e cila vetëm sa do ta ndihmonte/plotësimin e argumenteve të vendorëve. Por ekspertët ndërkombëtarë duhet ta kenë rolin e këshilldhënësve në këtë proces e jo rol vendimmarrës”, thotë Bulliqi.
Deputeti opozitar, Zafir Berisha thotë se edhe presidentja Jahjaga me veprimet që po tenton të ndërmarrë dëshmon se është bindur se nënshkrimi për Demarkacionin ka qenë një gabim i madh, por nuk shpreson shumë se hapi i të parës së shtetit do të jap ndonjë efekt aktualisht.
“Në momentet që po kalon Kosova hapi i Jahjagës nuk pritet të ketë ndonjë efekt, sepse vendi është në një krizë të thellë institucionale dhe politike.
Por, pas zgjedhjeve besoj se iniciativa e saj do të mund të vijë në shprehje. Natyrisht se çdo komision që formohet duhet të dominohet nga ekspertët vendorë, ndërsa ndihma profesionale e ekspertëve ndërkombëtarë do të jetë e mirëseardhur”, ka deklaruar Berisha, për tesheshi.com.
Zëdhënësi i VV-së Frashër Krasniqi, thotë se asnjë nismë nuk ka kuptim nëse nuk tërhiqet marrëveshja aktuale për Demarkacion si dhe nuk shkarkohet komisioni aktual.
“Ne mendojmë që presidentja Jahjaga po përpiqet të luajë një rol unifikues, por rreshtimi i saj krah pushtetit është i qartë. Ajo nuk ka marrë parasysh dhe as që ka folur ndonjëherë për peticionin e mbi 200 mijë qytetarëve që i janë adresuar. Përpjekja e saj aktuale nuk ka ndonjë vlerë serioze”, thotë Krasniqi, për tesheshi.com.
Njohësi i rrethanave politike në vend, Avdullah Bytyqi mendon se hapi i presidentes për çështjen e Demarkacionit është i vonuar dhe vështirë se mund të sjellë ndonjë rezultat.
Njëjtë si deputetët Berisha e Bulliqi mendon edhe analisti Bytyqi, i cili ka pohuar për tesheshi.com se nëse në komision nuk ftohen edhe ekspertët vendorë për të dhënë mendimin e tyre, atëherë nisma e Jahjagës do të jetë e dështuar.
“Në fund të mandatit ajo përpiqet të bëjë diçka sa për të kujtuar nismat e saj në zgjidhjen e krizës, por ajo gjithmonë ka qenë e hendikuapuar.
Pjesë e këtij komisioni duhet të jetë gjithsesi edhe ekspertët vendor që kanë ngritur shqetësimin e tyre për Demarkacionin, në të kundërtën nuk pritet të ketë efekte çfarëdo rekomadimi që jep kmisioni në fjalë.
Megjithatë, është e vështirë të mendohet që nisma e Jahjagës të jetë frytëdhënëse, por së paku mirë që ka bërë përpjekje sesa të mos lëvizte fare”, ka deklaruar Bytyqi.
/tesheshi.com/