Ashtu si pjesa më e madhe e sporteve, futbolli mbetet i paralizuar globalisht nga efekti i koronavirusit.
Me pak përjashtime, futboll nuk luhet më. Në vend të tij, tani ka debat mbi rregullimet e kalendareve kur veprimtaritë të rinisin, apo për shtyrje dhe anulim të plotë aktivitetesh.
UEFA bëri dje një tjetër njoftim për shtyrjen e të gjitha veprimtarive të saj të kësaj jave; një fakt jo i ri, i ditur dhe më parë.
Shtyrja përfshin ndeshjet e mbetura të një të tetave të Champions League që do të luheshin më 17 dhe 18 mars, ndeshjet e 19 marsit në Europa League, si dhe çerekfinalet e Ligës së të Rinjve.
Pasojë e këtij pezullimi është dhe shtyrja e hedhjes së shortit për fazat e mëtejshme të dy aktiviteteve kryesore europiane për klube, planifikuar për më 20 mars.
UEFA i ka ftuar përfaqësuesit e 55 federatave anëtare në një takim të martën, nëpërmjet një videokonference, ku do të diskutohet mbi hapat e mëtejshëm për futbollin në Europë në përgjigje të situatës.
Kampionati Europian pritet të shtyhet për në nëntor-dhjetorin e këtij viti apo qershorin e vitit të ardhshëm, ndërsa ka në diskutim një formulë me Play Off për fazën finale të Champions League dhe Ligës së Europës, përkatësisht në Stamboll dhe Gdansk.
Vendimi do të merret nesër në takimin e UEFA-s, por tashmë është pranuar nevoja e shtyrjes së Europianit për t’u dhënë mundësi ligave lokale europiane të përfundojnë aktivitetet e tyre sezonale.
Në mes të kësaj paqartësie për të ardhmen, drejtuesi i shoqatës së lojtarëve në Itali, Damiano Tomasi, ka paralajmëruar se është e pamundur që Seria A të rifillojë në prill.
“Është qartas e pamundur që të fillohet të luhet në fillim të prillit,” tha ai për një emision të njohur televiziv.
Sipas tij, nëse situata përmirësohet, kampionati italian mund të rinisë në maj ose qershor.
Italia është vendi më i prekur europian nga koronavirusi.
Skuadra e Atalantës është futur e tëra në karantinë pasi u mësua se ekipi spanjoll i Valencias ka të infektuar me koronavirus në radhët e tij.
Dy ekipet u ndeshën në Champions më 19 shkurt dhe më 10 mars, ndërsa nga të tre lojtarët e Valencias të përmendur si të prekur nga koronavirusi, vetëm Hoze Gaja luajti në “Mestaja” në ndeshjen e dytë.
Atalanta ndryshon kështu planet, tek pritej të kthehej në stërvitje.
Nga 11 lojtarët e Serisë A që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, shtatë nga ata janë të Sampdorias, tre të Fiorentinës dhe një i Juventusit. /tesheshi.com/