Nga Gjergji Koja
Në 25 qershor, Partia Socialiste e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama siguroi mandatet e nevojshme për të qeverisur e vetme, pa pasur nevojën e aleancave apo krijimin e koalicioneve.
Kjo do të thotë se ish-aleatja e PS në qeverisjen e vendit, LSI, bashkë me Partinë Demokratike do të jenë në opozitë, ndërsa Rama ka komoditetin që të mirëpresë çdo deputet apo subjekt politik për të mbështetur reformat, pa pasur nevojën apo presionin e dhënies në shkëmbim të posteve ministrore,deri të niveleve të tjera në qeverisjen e vendit.
Rezultati i zgjedhjeve të fundit për herë të parë po prodhon debatin mbi krijimin e një koalicioni opozitar, ndërsa deri më sot politika shqiptare pas çdo proçesi zgjedhor fliste për krijimin e aleancave bashkëqeverisëse.
Ndoshta kjo është edhe risia më e madhe pas zgjedhjeve, ku vëmendja është përqëndruar në faktin e një opozite të bashkuar PD-LSI.
Demokratët duken të dyzuar mes vendimit për t`iu përgjigjur pozitivisht ftesës së ardhur nga LSI për krijimin e një fronti opozitar, apo mbajtjes së flamurit si opozita e vetme reale në Kuvendin e ri.
Vendimi zyrtar pritet të merret me nisjen e legjislaturës së re parlamentare, por pikëpyetjet qëndrojnë tek qëndrimi që do të mbajë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili vijon të mbetet politikani me ndikimin më të madh në PD dhe shumë prej aleatëve të saj.
Berisha ka ruajtur një distancë nga Basha në qëndrimin e shfaqur nga ky i fundit në fushatën për zgjedhjet e 25 qershorit, teksa sulmoi ashpër LSI-në. Ish-Kryeministri shfaqej në emisione apo përmes rrjeteve sociale, duke lënë të hapur gjithmonë një derë për ish-aleatin e tij në qeverisje në periudhën 2009-2013.
Në anën tjetër, ndërsa drejtuesit e LSI-së ndërsa i kundërpërgjigjeshin ashpër Bashës për akuzat e tij, nuk e kishin aspak problem që të lëshonin sinjale të qarta se Berisha kishte një tjetër vlerësim. apo se ish-Kryeministri ishte i preferuari mes drejtuesve të politikës shqiptare.
Ky raport politik mes Berishës dhe LSI e anasjelltas, mund të mbizotërojë mbi cilindo vendim tjetër që mund të ketë në mendje Lulzim Basha apo çdo deputet tjetër i PD-së.
Deri më sot ish-Kryeministri nuk ka dhënë ndonjë qëndrim mbi atë çka është propozuar dhe heshtja e tij mund të merret si një aprovim apo si një kundërshtim.
Berisha po mban të njëjtin qëndrim sikundër ndaj zgjedhjeve të brendshme në PD, ku përgjatë 3 javëve nuk reagoi dhe ditën e zgjedhjeve dha mesazhin e qartë se proçesi ishte statutor, duke mos fshehur mbështetjen ndaj Bashës, edhe pse dyshimet për të kundërtën ishin minimale.
Në këtë këndvështrim, çdo kusht që PD mund të artikulojë sot në raport me bashkëpunimin me LSI-në, apo çdo protagonizëm i Bashës për këtë çështje, mund të zerohet në momentin e fundit me një qëndrim të prerë të Berishës.
Këtë gjë e di fare mirë LSI, e cila hodhi në tryezën e PD-së një “dorashkë” , duke pritur jo komentet e deputetëve të vjetër dhe të rinj, as vendimmarrjen e forumeve të kësaj partie, por thjesht një sinjal të hapur nga ish-Kryeministri.
Dhe ndoshta për t´ja bërë më të thjeshtë Berishës “sugjerimin” drejtuar grupit parlamentar apo kreut të PD-së Lulzim Basha për opozitën e re, LSI është pozicionuar në ekstremin e goditjeve ndaj kryeministrit, duke përdorur ndoshta edhe shprehjen “fajin e ka Edi Rama, për gjithçka”. /tesheshi.com/