Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon nga qeveria që të anulohet projekti i krijimit të parkut industrial në Spitallë të Durrës, të cilin qeveria e ka cilësuar një një investim i madh.
KLSH në shkresën e saj thekson se fituesi i tenderit është shpallur në mënyrë jo korrekte, pasi po sipas këtij institucioni, duhet të kishte fituar një tjetër konkurrues.
“Nga auditimi i përgatitjes së procedurës si dhe vlerësimit të metodologjisë së shpalljes së fituesit, për zhvillimin e ZTZHE rezultoi që nga verifikimi i kryer në dosjen e kësaj procedure u konstatuan se vlerësimet individuale, të kryera nga specialistët e fushës për kriteret respektive, nuk janë marrë në konsideratë nga KVO, duke ndryshuar padrejtësisht edhe rezultatin përfundimtar të operatorëve ekonomikë konkurrues. KLSH ka rekomanduar marrjen e masave për anulimin e shpalljes fitues të bashkimit të operatorëve ekonomikë “Ofertuesi 2”, pasi nga auditimi ka rezultuar që si fitues duhet të ishte shpallur operatori tjetër ekonomik “Ofertuesi 1” në ofertën e të cilit parashikohej një investim prej 54 milionë euro dhe punësimi i 9,500 punonjësve më tepër se bashkimi i operatorëve i klasifikuar në mënyrë të padrejtë në vend të parë”, theksohet në shkresën e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Tenderi për parkun e Spitallës u dha në fillim për një kompani kineze dhe më pas procedura u thye mbrapsht dhe sërish të dytët që e kërkojnë parkun janë sipërmarrës nga Kina.
Por sipas KLSH-së, qeveria duhet të kishte dhënë licencën për atë që oftonte më shumë dhe punësonte një numër më të madh njerëzish. /tesheshi.com/