Këshilli i Sigurisë i Kosovës, përmes një kumtese shprehet se dënon eskalimin në dhunë të protestës së organizuar nga partitë opozitare në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
“Duke e njohur dhe respektuar të drejtën për protestë paqësore, Këshilli i Sigurisë i Kosovës fton organizatorët e saj të ushtrojnë përgjegjësinë që u takon për t’i larguar nga rrugët e kryeqytetit të Kosovës, të gjithë protestuesit e dhunshëm. Këshilli i Sigurisë kërkon nga partitë opozitare të heqin dorë nga ky skenar për përdorimin e dhunës dhe mjeteve të rrezikshme, për rrënimin e rendit institucional e kushtetues të Kosovës”, thuhet në kumtesë.
KSK kërkon nga organizatorët e protestës që të bashkëpunojnë me organet e shtetit për t’i vënë përpara drejtësisë përgjegjësit për pasojat e protestës, nga e cila janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, disa protestues, por edhe disa qytetarë, kalimtarë të rastit. Është përgjegjësi e organizatorëve të protestës lëndimi i njerëzve dhe dëmi material në pronat publike dhe private.
“Këshilli i Sigurisë i Kosovës kërkon nga organet e rendit dhe të ligjit, që konform ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të marrin të gjitha masat për hetimin e plotë të ngjarjeve të sotme dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë”, thuhet në kumtesë.
/tesheshi.com/