Donald Trump ka kërcënuar të shkurtojë ndihmën për vendet që votojnë në favor të një draft-rezolute të OKB-së që dënon vendimin e SHBA-së për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.
Presidenti amerikan tha të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë se SHBA do t’i “vëzhgojë ata që po votojnë”.
“Ata marrin qindra miliona madje edhe miliarda dollarë, dhe pastaj votojnë kundër nesh. Epo ne po i vëzhgojmë këto votime. Le të votojnë kundër nesh. Do të kursejmë shumë. Nuk na intereson”, tha Trump, i cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.
Asambleja e Përgjithshme e OKB do të zhvillojë një seancë urgjente të enjten për të votuar mbi vendimin e diskutueshëm të SHBA.
Mocioni pritet të kalojë lehtësisht në trupin e OKB-së prej 193 anëtarësh, por ajo nuk do të jetë e detyrueshme.
Komentet e presidentit erdhën pasi Nikki Haley, ambasadorja e SHBA-ve në OKB, dërgoi letra kërcënuese për shtetet anëtare të OKB-së duke u bërë thirrje atyre të votonin kundër mocionit.
Haley tha gjithashtu në Twitter se “Shtetet e Bashkuara do të marrin emrat” e vendeve që votojnë në favor të rezolutës.
Ministri i Jashtëm palestinez Riyad al-Malki të mërkurën akuzoi SHBA-të për “kërcënimin” e vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB përpara votimit.
Malki tha se zyrtarët amerikanë kanë “bërë një gabim tjetër kur ata kanë shpërndarë këtë letër të famshme, duke u përpjekur që të kërcënojnë vendet, dhe që të kërcënojnë vendimin e tyre sovran për të zgjedhur si të votojnë”.
“Kjo është me të vërtetë një përkufizim i ri i rendit botëror në politikë dhe duket se administrata amerikane po vendos vulën e tyre në një realitet të ri politik të cilën shumë vende do ta refuzojnë”, tha Malki.
Trump e shpalli Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit më 6 dhjetor dhe njoftoi synimin e SHBA-së për të lëvizur ambasadën e saj në qytet.
Masa kontradiktore nxiti protesta të mëdha dhe dënime nga udhëheqësit në mbarë botën./tesheshi.com/