Komunizmi ra gati 30 vjet më parë, por ndikimi i Karl Marksit jeton ende. Qasjet marksiste gjenden në disa nga tekstet më interesante historike e sociologjike që botohen sot. Punimet e Marksit, përfshirë edhe “Manifestin Komunist”, të shkruar me Fridrih Engelsin në vitin 1848, mund të kenë më shumë ndikim në botën moderne sesa shumë mund të imagjinojnë. Nga dhjetë kërkesat kryesore të Manifestit, ndoshta katër prej tyre janë zbatuar në shumë vende të pasura, përfshirë “arsimin falas për të gjithë fëmijët në shkolla publike” apo dhe “taksën progresive mbi të ardhurat”.
Nuk ka udhërrëfyes më të mirë për Marksin sesa Gareth Stedman Jones nga universiteti “Queen Mary” i Londrës. Në librin e tij të ri, sipas kritikës në “The Economist”, ofrohen përshkrime të pasura të jetës së Marksit, pjesa më e madhe e së cilës u kalua në varfëri. Karli, lindur në Gjermani, si i referohet autori atij, punonte tre apo katër ditë me radhë pa gjumë dhe ishte vazhdimisht i sëmurë (dieta e tij që nuk njihte kompromis bazohej në “pjata me shumë erëza, peshk të tymosur, kavjar dhe kastraveca turshi së bashku me verë, birrë dhe liker). Ai vjen në libër si një njeri i pakëndshëm: arrogant, racist dhe gjithnjë duke kërkuar borxh nga Engelsi.
Për lexuesit më të interesuar për detaje të tilla, biografia e Marksit nga Francis Wheen, publikuar në vitin 1999, mund të jetë një zgjedhje më e mirë. Libri i Stedman Jones është mbi të gjitha një biografi intelektuale, që fokusohet në kontekstin filozofik dhe politik në të cilin shkroi Marksi. Ai përfundoi doktoraturën në filozofi në vitin 1841 dhe rrethohej nga debate të ndezura për pasojat e industrializimit dhe vendin e besimit në botën moderne.
Marksi ishte lexues i “The Economist”, të cilën e kritikoi publikisht duke e cilësuar “organin europian të aristrokracisë së financës”.
Në kontrast me atë që supozohet shpesh, Marksi nuk e shpiku komunizmin. Radikalët, përfshirë Pierre-Joseph Proudhon (1809-65) dhe lëvizja Çartiste në Angli e kishin përdorur prej kohësh gjuhën që lexuesit e ditëve të sotme do ta kishin identifikuar si “marksiste” – si p.sh “të gëzosh barazinë, nxirr jashtë ligjit pronën”, “ushtria rezervë e punës” dhe kështu me radhë.
Cili është atëherë kontributi i tij? Pjesën më e madhe e jetës së tij u kaluar duke mos rënë dakord me radikalë të tjerë, duke sulmuar sidomos Prudonin, të cilin ai pëlqente ta quante si një prej “ekonomistëve borgjezë”. Shumë më domethënëse, është përpjekja e tij për të sjellë një përshkrim të përgjithshëm teorik sesi funksiononte kapitalizmi, sidomos tek “Kapitali”, që u publikua në vitin 1867.
Karakterizimi i tij për kapitalizmin është elegant në thjeshtësinë e vet. Çdo ditë, argumentonte Marksi, punëtorët prodhojnë një vlerë më të madhe të mirash sesa është e nevojshme për të mbajtur veten; kapitalistët përvetësojnë atë që mbetet. Punëtorët nuk mund ta zotërojnë këtë surplues pasi ata nuk zotërojnë kapital (makineri, ndërtesa e kështu me radhë). Por, ndërsa ata prodhojnë më shumë, ata krijojnë më shumë kapital, duke përforcuar në këtë mënyrë dominimin nga kapitalistët. “Një sistem që bazohet gjoja mbi shkëmbimin e barabartë dhe të drejtë do të grumbullojë vazhdimisht surplusin tek njëra nga palët e këtij shkëmbimi”.
Stedman Jones është historian me prirje marksiste. Si i tillë, lexuesi mund të presë mbështetje të ideve të njeriut të madh. Sidoqoftë, në shumë pjesë të librit, autori është mjaft kritik. Për shembull, ai vë në dukje se Marksi shfaqte “shpërfillje ndaj zhvillimeve në ekonominë politike”, një gabim i madh duke pasur parasysh sesa shpejt po ndryshonte kjo fushë në atë kohë. Edhe më shumë kritika shkojnë për “Plan-projektet”, një dorëshkrim i papërfunduar që shumë neo-marksistë e shohin si një guvë thesaresh teorike, që sipas autorit “ka mangësi në argumentet thelbësore”.
Stedman Jones ka madje, kritika për disa pjesë të “Kapitalit”. Në një pasazh, Marksi niset t’i përgjigjet një enigme. Ndryshimi i niveleve të ofertës dhe kërkesës shpjegon përse ulet apo ngrihet çmimi i të mirave, por nuk shpjegon përse ekuilibri i çmimit të mallit është ai që është. Për shembull, përse janë luleshtrydhet më të shtrenjta sesa mollët?
Për të zgjidhur enigmën, Marksi u mbështet në “teorinë e punës mbi vlerën”. Ai ndihmoi të provohet se çmimi i mallit përcaktohej nga sa kohë pune shkonte për ta prodhuar – që tregonte sesi shfrytëzoheshin punëtorët. Sidoqoftë, ai “në mënyrë arbitrare përjashtoi lidhjen relative me dëshirën e konsumatorit apo dobinë e mallit”, thotë Stedman Jones, të cilat do të vinin në mendjen e pjesës më të madhe të njerëzve si shpjegimet më të dukshme. Autori përmbledh një ndjesi të shumë studentëve të Marksit: lexo kapitujt e dendur e teorikë “Kapitalit” me kujdes dhe pavarësisht sesa shumë përpiqesh, është e vështirë të mos dalësh në përfundimin se ka shumë mospërputhje aty.
Vlera e vërtetë e një pune të tillë, sipas pikëvështrimit të Stedman Jones, qëndron në dokumentimin e jetës së përditshme të kohës me të cilën përballeshin klasat punëtorë angleze. Marksi sintetizoi “një pasuri të jashtëzakonshme statistikash, raportesh zyrtare dhe pjesësh nga reportazhet e medias” për të treguar sesa e vështirë ishte jeta në vendin me industrinë më të përparuar në botë. Ende, edhe pse kërkimi i tij empirik ka të meta, ka diçka që Stedman Jones e kalon përciptazi. Ai nuk i kushtoi mjaftueshëm vëmendje, përshembull, masave objektive që u morën për standardet e jetesës që po përmirësoheshin qartë deri në vitin 1850.
Përshtypja më e fortë nga libri është se reputacioni i Marksit (të paktën në disa qarqe) si një ekonomist-filozof pa rivalë është gjerësisht pa baza. Marksi kishte planifikuar të shkruante “Kapitalin” në disa volume. Ai përfundoi të parin. Por, kur erdhi puna për të shkruar të dytin, duke kuptuar se do të përballej me sfida të shumta intelektuale, ai u hoq si i sëmurë (edhe pse dukej tërësisht në gjendje të kryente lloje të tjera kërkimesh). “Karli” ishte vërtet në mes të zhvillimeve intelektuale të shekullit të 19-të. Por, miti është shumë më impresiv sesa realiteti.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/