Mbrëmjen e djeshme dhe mëngjesin e sotëm janë kapur në jugperëndim të Turqisë 11 ushtarakë të tjerë nga grupi që u përpoq mes 15 dhe 16 korrikut ta merrte peng apo ta eliminonte fizikisht presidentin e vendit.
Mes të arrestuarve mësohet të jetë dhe majori Shykry Sejmen, komandanti i grupit.
Operacioni për kapjen e tyre u krye nga forcat e xhandarmërisë në fshatin Shirinkoj, në zonën e Ullës. Nëntë prej ushtarakëve u kapën në orët e vona të së dielës, kurse dy të tjerëve iu vunë prangat këtë mëngjes.
Mësohet të ketë patur shkëmbime zjarri mes palëve, por nuk raportohet për të lënduar apo për viktima.
Shtatë ushtarakë të tjerë do të kapeshin pikërisht një javë më parë. Nga tre komandot e ndaluar të shtunën për të njëjtën vepër, rreshteri Zekerija Kuzu pranoi se të tërë ushtarakët e përfshirë në përpjekjen për eliminimin e Erdoganit ishin pjesë e FETÖ-s, Organizatës Terroriste Gyleniste. /tesheshi.com/