Fitim Zekthi, një prej kandidatëve të PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit, ose ndryshe i listës “Basha”, ardhur nga fusha e gazetarisë, ka denoncuar të ashtëquajturën “analizë të humbjes” në PD, artikuluar fort këto ditë nga ligjërimin zyrtar demokrat. Sipas Zekthit, të tilla “analiza” nuk janë gjë tjetër veçse “mbetje” të së kaluarës komuniste, reminishenca të asaj kohe, ku Partia e Punës merrej me “analiza”.
Zekthi ofron një arsyetim kundërshtues të “analizave” duke e pasuruar me referenca përkatëse nga politika perëndimore, ku nuk ekzistojnë “analiza”të tilla; e nga ana tjetër me referenca nga vende të tjera të shenjuara me anakronizëm politik, ku “analizat” janë ende aktive.
Denoncimi që Zekthi u bën “analizave” në partitë shqiptare, ne formën e një shënimi në FB, përbën dhe një rast për të kuptuar se sa larg formimit të duhur politik janë politikëbërësit në Shqipëri.
Edhe pse Zekthi njihet si ndër njerëzit afër Bashës, dhe me gjasë anti-“analiza” e tij është dhe një formë mbrojtjeje ndaj kreut të shumëanatemuar të PD-së nga brenda forcës së tij politike, qasja e tij shkon tej këtij interesi, duke ofruar dijen e nevojshme për një mosdije të thellë dhe padyshim problematike, që ekziston në lidershipin e partive shqiptare, përfshirë dhe PD-në.
Shënimi i Fitim Zekthit:
Përpos shumë sëmundjeve të komunizmit që nuk shqiten në vendin tonë, sa herë ka zgjedhje shfaqet edhe kjo sëmundja e “analizës së humbjes” që duhet të bëjë partia. Kjo është një çmenduri dhe absurditet pa kuptim.
Ç’do të thotë të “bëjmë analizën e humbjes (apo edhe fitores kur vjen)?”. Si bëhet një analizë e një rezultati zgjedhor? Si e bën partia një analizë të tillë? Në kohën e komunizmit, partia në kongrese apo pleniume mbante një raport mbi punën…. raport që hartohej nga kryetari a sekretari i parë, dhe ky raport miratohej nga të gjithë. Në atë raport ishte analiza e gjithë “punës apo arritjeve të partisë”.
Këto raporte vinin në dukje “dobësite” dhe përgjegjësit, dhe kështu justifikohej lufta brenda. Pas vitit 1991 thuajse të gjitha partitë në Shqipëri, në mënyrë të pakuptimte kanë “bërë analiza” të rezultateve tëë zgjedhjeve. Kryesisht këto analiza kanë konsistuar në mbledhje partie në rrethe apo degë, ku fajësohet kot me kot dhe kuturu (sipas dijes dhe interesit të anëtarëve, drejtuesve apo kryetarëve të degëve), ky apo ai faktor, ky apo ai njeri për humbjen. Në fund bëhej një “analizë” apo një raport i madh në Kongres apo Këshill Kombëtar.
Analiza e rezultatit të zgjedhjeve, arsyet e humbjes apo fitores, janë çështje shkence, janë çështje e politologjisë dhe sociologjisë politike. Studiuesit i marrin njëpërnjë variablat dhe masin peshën e tyre njëpërnjë, në mënyrë që të kuptojnë se pse humbi apo fitoi partia, duke i parë ato në kontekst. Ata pikëzojne sjelljen e votuesit, përkufizimin që i bën një parti vetes dhe kundërshtarit, programin, besueshmërinë, inteligjencën emocionale, ekipin etj etj. Edhe këto analiza të studiuesve janë në shumë raste të diskutueshme, sepse dikush niset nga një premisë e ndryshme, apo nga një predispozitë apo pikëpamje e ndryshme nga ajo e tjetrit.
Ndërsa sa i takon analizave të partisë, dihet, ajo nuk do të thërrasë një ekip politologësh që t’i thonë se zgjedhjet u humbën për këtë apo atë shkak, pasi të kenë bërë një studim të hollësishëm. Çdokush në parti do të bëjë një analizë të tijën, krejtësisht subjektive dhe pa njohjen teorike për ta bërë këtë analizë; çdokush do të bëjë një analizë i mbytur nga emocionet e tij dhe i drejtuar më së shumti nga interesat e veta, inatet e veta, që nuk janë ato të kërshërisë shkencore, pra nuk janë neutrale.
Për këtë arsye, Partia Demokrate në SHBA nuk mbledh Komitetin Kombëtar që të analizojë humbjen e Klintonit; për këtë arsye, May në Britani nuk mbledh Konventën Kombëtare për të bërë analizën e rezultatit të para një muaji; për këtë arsye, Bashkimi për Republikën në Francë nuk mbledh forumet e mëdha për të bërë analiza për humbjen e Fillon; për këtë arsye, partitë në Europë dhe Amerikë të Veriut nuk bëjnë analiza, sepse është qesharake që partia të bëjë analiza.
Në një parti njerëzit, anëtarët shprehin mendimin e tyre, bëjnë secili analizën e tyre, dëgjojnë mendimet e të tjerëve dhe votojnë për ta konfirmuar apo rrëzuar liderin që ka humbur zgjedhjet. Duket idiotësi që në PD thonë që duhet kohë që të bëjme analizën e humbjes.
Sot në botë, i vetmi vend demokratik ku partia bën analizë është India, ku partia Aam Admi bëri analizë për rezultatin në Punjab. Vende të tjera mund të përmendim Korenë apo Vietnamin. PD-së nuk i shkon ky budallallëku i “analizës” që do bëjë partia.
N.q.s e kanë me Bashën, siç duket që e kanë, le ta thonë që analizën e duan ashtu siç i duhej dikur mbledhja e pleniumeve partisë. /tesheshi.com/