Në një takim në Gjenevë, ku përfaqësuesit e më shumë se 90 vendeve janë mbledhur për një takim të OKB-së mbi krizën e refugjatëve, Kanadaja ka dhënë fjalën se do të presë refugjatë të tjerë sirianë.
Ministri kanadez i Emigracionit, John McCallum, e bëri premtimin të mërkurën, ndërsa OKB-ja u bëri thirrjeve vendeve të gjejnë hapësira për rreth 500.000 sirianë gjer në fund të vitit 2018.
Ministri kanadez i ofroi OKB-së gjithashtu mbështetjen për përpjekjen për t’i bindur vendete e tjera të pranojnë refugjatë sirianë.
Nuk ka ende një numër të përcaktuar të refugjatëve që do të presë Kanadaja, por shifra do të bëhet e ditur gjatë këtij viti, me përpilimin e planit dyvjeçar për emigracionin.
Por McCallum bëri të ditur se ky numër do të jetë domethënës, çka do të thotë se nuk do të mbetet në kuota modeste.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhje për të garantuar trajtimin humanitar dhe risistemiminm e refugjatëve sirianë,” deklaroi ministri kanadez gjatë zhvillimit të takimit në Gjenevë.
Kanadaja është nga të paktat vende që u ka ofruar mikëpritje refugjatëve sirianë, duke u garantuar kushtet optimale të jetesës mijëra të tillëve. Ajo ka pranuar më herët të pranojë 25.000 refugjatë sirianë gjer në fund të këtij viti, e deri më tani ka pritur 15.000 prej tyre, që janë nën kujdesin e vazhdueshëm të qeverisë vendase. /tesheshi.com/