Sekretari amerikan i Shtetit ka bërë dje një vizitë të shkurtër në Egjipt, gjatë së cilës ka patur një takim me presidentin es-Sisi.
John Kerry ka shprehur në këtë vizitë mbështetjen amerikane për Egjiptin, duke dhënë një tjetër provë të përmirësimit të marrëdhënieve të ndërsjellta. Marrëdhënie që pësuan krisje me bllokimin amerikan të ndihmës ushtarake për Egjiptin pas ngjarjeve të 2013-ës, kur u largua me forcë presidenti Mursi nga detyra dhe pati masa represive ndaj mbështetësve të tij.
Gjatë takimit është shprehur angazhimi amerikan për stabilitetin e Egjiptit, e për çuarjen më tej të marrëdhënieve dypalëshe.
“Shtetet e Bashkuara e kuptojnë rëndësinë e Egjiptit në këtë rajon,” ka theksuar John Kerry.
“Dhe ne jemi tejet të angazhuar për stabilitetin e Egjiptit,” ka shtuar ai, “në kundërshtim me ca gjëra që shkruhen herë pas here.”
Zyrtari amerikan ka pohuar dhe shqetësimet mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në këtë vend e për vënien në pah të tyre në takim. “Gjithashtu biseduam mbi rrugët në të cilat mund t’i zgjidhim me shpresë disa prej dallimeve dhe çështjeve të ngritura mbi politikën e brendshme dhe zgjedhjet për popullin e Egjiptit.”
Kerry ka premtuar se do të kthehet sërish për të diskutuar ndihmën që mund t’i jepet Egjiptit për sa ka të bëjë me shqetësimet e sotme për sigurinë.
Shefi i politikës së jashtme amerikane do të marrë pjesë sot në takimin e vendeve të Gjirit në Arabinë Saudite. /tesheshi.com/