Nga Gjergji Koja
Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së, i ka drejtuar një ftesë publike opozitës për mbajtjen e një tryeze të nivelit të lartë ku do të diskutohen çështje që kanë të përbashkëta, por edhe ndasitë.
Në këtë tryezë, tha Balla, do të diskutohet edhe mbi reformën zgjedhore. “Tryeza duhet të jetë e nivelit sa më të lartë, kryetarii partisë, kreu i grupit parlamentar dhe ndonjë përfaqësues tjetër i lartë, nëse do të jetë në formatin tresh”, u shpreh Balla.
Propozimi i socialistëve, pavarësisht se përfshin partitë kryesore parlamentare, pra edhe LSI-në, duket se është një ftesë direkte për Partinë Demokratike.
Të njëjtin artikulim që shprehu publikisht, kreu i deputetëve të PS e ka paraqitur edhe në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Ky është propozimi i parë konkret që i drejtohet opozitës nga mazhoranca që pas zgjedhjeve të 25 qershorit dhe me shumë gjasa do të konkretizohet me një tryezë.
Shkaku është i thjeshtë: Lulzim Basha e ka të qartë se reformën zgjedhore, sipas kërkesave të tij, nuk mund t´a realizojë pa një dakordësi me Edi Ramën, që duket se ka hedhur i pari hapin për një marrëveshje të re me kreun e opozitës.
Pavarësisht retorikës ditore të politikës në vend, ku hera herës bëhen paralajmërime për revolta popullore, qartësisht mesazhe të tilla kanë si synim vetëm militantët e thekur partiakë, që nuk gëlltisin apo e kanë të papranueshëm takimin me atë që e shohin si “armikun politik”.
Por përtej kësaj retorike, politika shqiptare ka terguar se pa një dialog dhe ulje në tryezë mes palëve, gjërat nuk zgjidhen, nuk çohen përpara, ose gjenden zgjidhje të minutës së fundit, madje edhe me presion ndërkombëtar.
Dhe nisur nga kjo, PD dhe Basha nuk janë aspak të interesuar që të zvarrisë çështjen e reformës zgjedhore, ngritjes së komisionit ad-hoc dhe trajtimit të atyre që opozita i cilëson kushte ndaj mazhorancës, ndërsa kjo e fundit i etiketon si kërkesa apo propozime, që duhen diskutuar.
Ajo për të cilën, të paktën deri tani, ka folur Partia Demokratike, është diçka më e gjerë se reforma zgjedhore, pasi përfshihen edhe ndryshimet Kushtetuese.
PD ka artikuluar kërkesën për rishikimin e ndarjes territorial, duke kërkuar të paktën 30 apo 40 njësi vendore më shumë sesa janë sot. PS jo shfër i duket e ekzagjeruar, por një tryezë mund të përafrojë palët, ku secila do të lëvizë nga pozicioni fillestar drejt një pike të përbashkët.
Po kështu PD ka kërkuar ndryshim të sistemit zgjedhor dhe numrit të deputetëve, nga 140 në 100, çka do të thotë se është një tjetër ndërhyrje në Kushtetutë. Gjithashtu PD ka propozuar aplikimin e ndërprerjes së mandatit të të zgjedhurve, një metodë e përdorur në SHBA dhe sërisht është një çështje që duhet diskutuar dhe impelmentimi i saj kërkon ndryshime në dokumentin themeltar të shtetit.
Në anën tjetër, Ramës i duhet një tryezë e tillë për ti dhënë jetë ndoshta marrëveshjes së 18 majit që herë konsiderohet e vdekur dhe herë ngjallet nga PD, ose krijimin e një marrëveshjeje të re, me synim çuarjen përpara të reformave që konsiderohen si kushte për integrimin.
Kryeministrit i duhet një marrëveshje me opozitën, të paktën edhe për faktin, që sjellja e saj në raport me ndërkombëtarët për çështjet që mund të pengojnë apo sjellin vonesa në proçeset integruese, të mos jetë ajo e shfaqur deri më tani nga opozitat në këtë vend.
Në kushte të tilla, si Rama ashtu edhe Basha, dashje pa dashje, janë të detyruar që të ulen dhe diskutojnë me apo pa bashkëpunëtorët e tyre, në prani të palëve të treta apo jo, përsa kohë në axhendat respektive kanë vendosur çështje që nuk mund të zgjidhen apo të hyjnë në rrugën e duhur pa pëlqimin ose konsensusin e njëra-tjetrës.
Dhe në një tryezë ata janë të barabartë, pavarësisht numrave që kanë në Kuvend, për faktin se asnjë nga palët nuk mund të realizojë asnjë objektiv, pa pasur konsensusin e tjetrës.
Eksperienca e 18 majit, takimet që i paraprinë marrëveshjes, mund të kenë qenë leksione të mjaftueshme për Edi Ramën dhe Lulzim Bashën për të vendosur ura komukimi të drejtpërdrejta, pavarësisht se 25 qershori mund të ketë zhgënjyer njërën palë dhe kënaqur tjetrën.
Në fund të fundit këtij vendi i ka kushtuar shumë konflikti politik dhe për më tepër këto vite të politikës kanë treguar se politikanët që sulmohen dhe shahen më shumë, janë kthyer në miq ose partnerë politikë.
Kjo ndodhi mes Sali Berishës dhe Fatos Nanos, Ilir Metës dhe Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës, Fatos Nanos dhe Ilir Metës. /tesheshi.com/