Nga Bashkim Kastrati
Dogana e Kosovës dhe Administrata e tatimore e Kosovës janë gjeneratorët më të mëdha të të hyrave financiare të buxhetit të Kosovës. Për këto dy institucione ka pasur kritika për sa i përket përformancës, por edhe sa i përket ndikimit të partive politike në to.
Për të pasur përformancë më të mirë dhe sukses në punën e tyre, këto institucione do të bashkohen dhe do udhëhiqen nga një menaxhment. Pra ato pritet që të shndërrohen në një institucion të vetëm. Por kjo nuk do të bëhet brenda këtij viti, por është planifikuar të bëhet në fillim të vitit 2018, pasi që paraprakisht duhet të krijohet baza ligjore që e rregullon mënyrën e funksionimit dhe organizimit.
Projektligji për bashkimin e këtyre institucioneve në një institucion të vetëm, është përgatitur në shtator të vitit të kaluar edhe në bashkëpunim me zyrën e Komisionit Evropian dhe si tillë është dërguar në Qeveri, por ende nuk është miratuar. Në këtë proces kontribut është duke dhënë edhe Fondi Monetar ndërkombëtar.
Por mbetet të shihet se cili do të jetë vullneti i qeverisë së ardhshme pas 11 qershorit, për ta shtyrë këtë çështje përpara.
Institucionet e Kosovës vitin e kaluar kanë miratuar bashkimin formal të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganave të Kosovës (DK) në një agjenci të përbashkët, të quajtur Agjencia e të Hyrave e Kosovës. Unifikimi i sistemit të mbledhjes së të hyrave për buxhetin e Kosovës, do të përmirësojë shërbimet për tatim-pagues, njëherësh do sjellë rezultate në luftimin e evazionit fiskal.
Bashkimi i ATK-së dhe doganës i domosdoshëm
Sipas njohësve të fushës së ekonomisë, bashkimi i ATK-së dhe doganës ka disa efekte pozitive nëse zbatohet siç duhet.
Së pari shumica e shërbimeve aktualisht kryhen në të dy agjencitë, në të ardhmen planifikohet të kryhen në një vend, me kosto më të ulët dhe më të shpejtë.
Efekt tjetër pozitiv i bashkimit të ATK-së dhe doganës është se bizneset importin nga jashtë nuk do ta paguajnë para se ta përdorin, ta shesin ose të përdorin në procesin e prodhimit.
Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se bashkimi i ATK-së dhe Doganës së Kosovës do të ishte pozitivë dhe do të ndikonte në një bashkërendim të punëve dhe rrjedhimisht në një përformancë ekonomike më të mirë. Sipas parashikimeve të ekzekutivit për këtë vit, Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë mbi një miliard e 100 milionë euro, kurse Administrata Tatimore e Kosovës duhet të mbledh 423 milionë euro.
“Mendoj që është iniciativë me vend, shumë shtete me ekonomi të zhvilluar kanë një bashkim të tillë të institucioneve që e mbushin arkën e shtetit. Shpresoj që do të lehtësohen edhe problemet që kanë bizneset në lidhje me afarizmin e tyre, njëkohësisht mendoj që zyrtarët që punojnë aty kanë me qenë më fleksibil. Siç dihet dogana dhe ATK janë kontrubuesit kryesor në mbushjen e buxhetit andaj do të duhej t’i bashkonin potencialet e tyre dhe të jenë më funksionale”, thotë Beqiri.
Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se procesi i bashkimit të ATK-së dhe Doganës së Kosovës do të varet shumë edhe nga fakti se kush do të dalë fitues në zgjedhjet nacionale që mbahen këtë të diele.
“Mendoj se kjo do varet nga rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, pra këtë të diele dhe varet se cili koalicion do të del fitues e që do të pasojnë edhe politikat ekonomike. Pra do varet e gjitha nga lëvizjet që do ndodhin mbas rezultateve të zgjedhjeve dhe me cilat koalicione dhe subjekte politike do të formohet qeveria e ardhshme, sepse koalicionet dhe subjektet politike kanë dallime të mëdha rreth politikave ekonomike”, theksoi Kadriaj.
Ai thotë se bashkimi i ATK-së me doganën do të ketë efekte të dyanshme.
“Nëse ndodh një bashkim i tillë i doganës me Administratën Tatimore mendoj që i ka dy anët e medaljes. Mendoj se menaxhim nga një drejtor duhet të ketë anën pozitive, sepse nuk mund të abuzohet dhe të ketë evazion fiskal dhe dukuria e korrupsionit do të duhej të zvogëlohej, sepse nuk do të ketë shumë hapësirë për zbrazësi në mes të dyja siç janë tani. Por kjo mund të ketë dhe anën negative sepse potë bëhen grupet jo formale që gjithnjë ka tendenca dhe që për fatin jo të mirë vazhdojnë të funksionojnë besoj që tani do të ju zgjerohet hapësirë si një institucion, sepse nuk do të kenë friken që nëse kalon në doganë mund të ju bëjë problem administrata tatimore dhe e kundërta. Pra varet sesa do të funksionojnë mekanizmat anti korrupsion dhe sa do të jetë serioziteti i qeverisë se ardhshme”, ka thënë Kadriaj. /tesheshi.com/