Parlamenti izraelit (Knesset) miratoi të hënën në lexim të parë tre projektligje për mbylljen e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA) dhe shpalljen e saj një “organizatë terroriste”.
Drafti i parë i ligjit e ndalon UNRWA-n të kryejë ndonjë mision, të ofrojë ndonjë shërbim ose të kryejë ndonjë aktivitet në territorin izraelit. Ligji u miratua me 58 vota “pro” dhe nëntë “kundër”, raportoi The Times of Israel.
Një tjetër projekt-ligj miratoi thirrjet për heqjen e imuniteteve ligjore dhe privilegjeve të personelit të UNRWA-s që i ofrohen stafit të OKB-së në Izrael. Një draft i tretë i projekt-ligjit kërkon që agjencia e OKB-së të caktohet një “organizatë terroriste” dhe kërkon që Izraeli të ndërpresë lidhjet me të. Ligji u miratua me 50 vota “pro” dhe dhjetë “kundër”.
Të tre projektligjet tani do të shkojnë në Komisionin e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Knesset për shqyrtim të mëtejshëm. Do të duhen edhe dy lexime të tjera për t’u bërë efektive. Në maj, Knesset miratoi një propozim paraprak për të miratuar një ligj që përcaktonte UNRWA si një “organizatë terroriste”.
Izraeli po lobon fort për të mbyllur UNRWA-n sepse është e vetmja agjenci e OKB-së me një mandat specifik për t’u kujdesur për nevojat themelore të refugjatëve palestinezë. UNRWA u krijua me një rezolutë të OKB-së në vitin 1949 dhe është e mandatuar për të ofruar ndihmë dhe mbrojtje për refugjatët në pesë fushat e saj të veprimit: Jordani, Siri, Liban, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. /tesheshi.com/