Nga PD është njoftuar se njeriu i saj ish-presidenti Nishani, do padisë kryeministrin Rama pas një deklarate të këtij të fundit në lidhje me të vëllanë.
“Ish-presidenti Bujar Nishani vendosi të padisë për shpifje kryeministrin Edi Rama për akuzën publike të tij se ‘vëllai i Presidentit e ktheu në lloto mencën në Qyteti Studenti’. Ish-presidenti siguron se i vëllai as nuk ka tentuar, as nuk ka nuk ka privatizuar kurrë ndonjë objekt në Qytetin Studenti. Zoti Nishani e sfidon Edi Ramën, si njeriu që ka në dorë çdo pushtet dhe çdo zyrë publike, nga tatimet tek hipoteka, të bëjë publike dokumentat që provojnë se vëllai i ish presidentit është pronar i ish-mencës në Qytetin Studenti apo ka kryer ndonjë aktivitet llotoje aty. Pak kohë më parë, për të vërtetuar se e njëjta akuzë ishte shpifje, ish presidenti Nishani publikoi certifikatat e pronësisë së pronarëve të ligjshëm, që nuk kanë asnjë lidhje me familjen apo të afërm të tij”, njoftohet nga PD.
Deklarata nga Rama që ka nervozuar ish-kreun e shtetit, u bë paraditen e kësaj të shtune, gjatë prezantimit të projektit për korpusin e ri universitar.
“… simbol i zaptimit marrja e mensës nga vëllai i Presidentit të Republikës dhe kthimi i mensës në lloto. Bibliotekat u kthyen në klube striptizi ose në lloto dhe u zaptuan godina për qëllime personale, u ndërtuan pa leje u ndërtuan dhe me leje. Ligjërisht nuk duheshin bërë legalizime se ky është territor universiteti. Kjo është një padrejtësi e jashtëzakonshme”, tha shefi i qeverisë.
Nga ana tjetër, Nishani është paditur nga trajneri Panuçi për fyerje, proces që ende nuk ka përfunduar. /tesheshi.com/