Nga Eva Gjura
Koordinatori për Politikën e Jashtme në Partinë Demokratike, Kreshnik Çollaku, në një intervistë për ‘tesheshi.com’, komenton zhvillimet më të fundit politike në vend.
Ai flet për kandidatët e pavarur, Bojaxhi dhe Tafaj, duke i konsideruar ata si të sponsorizuar nga qeveria. Flet për dyshimin se zgjedhjet po tentohet të manipulohen, e për këtë premton se atyre që do fusin duart në kuti, do u priten ato. E nën kustumin e diplomatit flet dhe për përfoljet se ish-kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, do emërohet ambasador në SHBA, zhvillimet në Maqedoni, si dhe vizitën ende të freskët të Vuçiçit në Tiranë…
-Tashmë ka nisur fushata elektorale për zgjedhjet lokale. Çfarë rezultatesh prisni ju si forcë politike në këto zgjedhje?
Partia Demokratike është totalisht e angazhuar në një fitore të thellë në këto zgjedhje. Kjo bindje na forcohet pas çdo rruge ku ecim, pas çdo grupi njerëzish që takojmë, pas çdo dore që rrokim. Ka një revoltë popullore në vend, nga të majtë e të djathtë kundra kësaj qeverie. Ka një revoltë kundra arrogancës, abuziviteti qeveritar. Ka një mjerim e varfëri të frikshme në vend. Papunësia po mbyt vendin. Njerëzit, të vetmen alternativë shohin largimin nga Shqipëria. Ne kemi ftuar çdo qytetar që këtë revoltë ta kthejë në votë kundra kësaj qeverie për të sjell një ndryshim të gjendjes. Dhe jemi të bindur qytetarët do i përgjigjen kësaj thirrje të opozitës.
-Në bashkinë e Tiranës janë edhe dy kandidatë që kanë dalë nga shtrati i së djathtës, Z.Bojaxhi dhe z. Tafaj. Sa mendoni se e dëmtojnë këto kandidatura PD?
Nuk ka asnjë dëm, pasi është krejt e qartë se dy “të pavarurit” janë sponsorizuar nga qeveria me synimin naiv për të bërë diversion apo shmangur ndonjë grusht votash djathtas. E kanë të kotë. Qytetarët janë aq të zgjuar sa ta kuptojnë e lexojnë qartë këtë hile të shëmtuar. Ndaj çdo votë e djathtë e opozitare do të shkojë tek Partia Demokratike.
-Ditët e fundit ju si PD keni pasur disa deklarata publike ku dënoni dhunën dhe presionin e qeverisë në mënyra të ndryshme tek qytetarët, keni përgatitur ndonjë strategji apo masë për të mbrojtur votat tuaja?
Ne po e ndjekin situatën dhe kemi informacion të plotë mbi synimet e strukturave të qeverisë. Këto presione të pranishme kudo janë pjesë e një vullneti qeveritar, të panikuar nga humbja, për të manipuluar zgjedhjet. Diku me para, diku me miell, diku me xhinse, diku me karta identifikimi fallco, diku me presion, synimi mbetet një: të vjedhin zgjedhjet. Ne u themi as të mos guxojnë të fusin duart tek zgjedhjet. Ne kemi forcën dhe çdo kapacitet për t`i mbrojtur ato. Nëse tentojnë të fusin duart në zgjedhje do ua presim e do kenë një përgjigje që nuk e imagjinojnë.
-Ju si opozite keni akuzuar se po blihen vota me para, duke ngritur gishtin mbi LSI-në, kjo e fundit mohon një gjë të tillë, si keni vendosur t`i mbroni votat tuaja?
Jua thashë: ideatorëve që do të tentojnë të fantazojnë e realizojnë futjen e duarve tek votat, do u ngelen duart dhe jo vetëm duart brenda. Forca e demokratëve do i bëj pluhur ide e skema të tilla të padenja.
– Muajt e fundit janë shtuar shumë largimet masive të shqiptarëve drejt vendeve të BE duke kërkuar azil ekonomik. Pse u rikthyem serish në këtë pikë?
Ikja nga vendi është akti ekstrem i dëshpërimit të një populli apo individi. Ikja ka vetëm një shkak: gjendjen e rëndë ekonomike, papunësinë, mjerimin. Bindja popullore se shteti ka rënë në duart e një bande mafioze, bën që shumica e qytetarëve të humbin shpresën e të ndihen të pasigurt te shteti, qeveria dhe institucionet. Prandaj ata largohen masivisht. Largimi është një protestë e heshtur e dëshpëruar.
-Pas dorëheqjes nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi duket se do t’i rikthehet në SHBA si diplomat. Cili është komenti juaja?
Është një incident diplomatik. Zotëria mesa di unë është ende në hetim nga prokuroria për fshehjen e dosjes së një të kërkuari ndërkombëtar. Nuk di që prokuroria ta këtë shpallur të çliruar nga ky hetim. Një individ nën hetim të tillë vishet me imunitet diplomatik, është provokim dhe incident, aq më tepër që kjo ndodh me vendin më mik dhe partnerin strategjik ,SHBA.
-Ju i keni ndjekur ngjarjet e fundit në Kumanovë. Cili është qëndrimi juaj?
Besoj se situata në Kumanovë ka për regjisorë ata që duan të shohin Ballkanin të zhytur në konflikte etnike, dhe që duan kësisoj të mbajnë larg, sa më larg NATO apo BE, Maqedoninë.
-Kryeministri Rama, në Ministerialin Rajonal tha se Shqipëria do të mbështesë Maqedoninë në NATO vetëm atëherë kur dhe vendi fqinjë të respektojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit. Cili është komenti juaj?
Ky formulim është një përpjekje për të revizionuar qëndrimin se qeveria shqiptare do vendosë veton për Maqedoninë, qëndrim, i cili gjerësisht u cilësua naiv ose provokator. Interesi më i mirë i shqiptarëve sot është integrimi sa më parë i Maqedonisë në NATO. Në këtë drejtim duhen investuar përpjekjet tona dhe të shqiptarëve në Maqedoni. Sigurisht respektimi i Marrëveshjes së Ohrit është jetik për ekzistencën e Maqedonisë , por në asnjë rast Shqipëria nuk mund të jetë krah atyre që duan të pengojnë futjen e Maqedonisë në NATO ,dhe zgjerimin e NATO-s në Ballkan.
-Ju e keni ndjekur vizitën e kryeministrit serb në Tiranë, cili është komenti juaj?
Përshëndes vizitën e kryeministrit serb në Tiranë, siç kam përshëndetur vizitën e Ramës në Beograd. Nuk kuptova ekzagjerimin e entuziazmit të Ramës në pritjen e Vuçiç e disproporcionin protokollar të kësaj pritje, në të njëjtin nivel ju kujtoj që Berisha priti presidentin Bush. Rama në këtë proces afrimi me Beogradin nuk duhet të anashkalojë Kosovën. Afrimi dhe pajtimi midis serbëve dhe shqiptarëve nuk realizohet nga miqësia personale apo zyrtare e kryeministrave të Tiranës e Beogradit, por nga reflektimi serb mbi Kosovën, njohjen e pavarësisë së saj dhe kërkesës së një falje historike për krimet e kryera gjatë një shekulli. Pas kësaj dhe vetëm përmes kësaj rruge mund të ketë pajtim dhe afrim të kombeve. /tesheshi.com/