Në kuadër të Samitit të parë të Diasporës, biblioteka kombëtare e Shqipërisë dhe drejtoria e përgjithshme e arkivave çelën ekspozitën “Identiteti kombëtar dhe diaspora”. Rreth 100 dokumente me rëndësi letrare dhe patriotike u shfaqën në këtë ceremoni, ku morën pjesë emra të njohur të politikës, e më gjerë.
Drejtori i Drejtorisë së Përgjthshme të Arkivave, Ardit Bido, vuri në dukje se me këtë ekspozitë vjen historia e mërgatës dhe kontributi i jashtëzakonshëm i saj në jetën kulturore dhe shoqërore të Shqipërisë. “Është kjo mërgatë që ka krijuar këtë shtet, që i kanë dhënë hovin vendit tonë” – shtoi ai. “Rreth 100 dokumente të statuteve të shoqërive patriotike e letrare, aspekte të aktivitetit të shumtë politik e diplomatik të tyre, portrete, imazhe dhe pjesë të tjera dokumentuese, pasuri e Arkivit Qendor Shtetëror, vijnë si një dëshmi e fuqishme për të treguar rolin dhe kontributin e çmuar të diasporës shqiptare dhe personaliteteve të shumta të saj”, -tha Bido.
Drejtoresha e bibliotekës kombëtare, Persida Asllani, u shpreh se “kjo ekspozitë skicon një retrospektivë të historisë dhe jetës së diasporave shqiptare duke theksuar të përbashkëtën e tyre të madhe: ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar”.
Vlerave të kësaj ekspozite iu shtuan simbolikisht edhe rreth 270 libra nga Biblioteka e mirënjohur e Faik Konicës, të cilët tashmë do të pasurojnë fondet e Bibliotekës Kombëtare.
Duke rikujtuar ceremoninë e dorëzimit të shtampës “EX LIBRIS F.K.”, të quajtur ndryshe “Vula e Faik Konicës” në Bibliotekën Kombëtare vetëm një muaj më parë, ministrja e Kulturës, Kumbaro nënvizoi se “falë bashkëpunimit të ngushtë midis Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Kulturës u mundësua sjellja e një pjese të librave të bibliotekës së Faik Konicës, duke vënë në jetë edhe vetë amanetin e Konicës”.
Më tej, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, theksoi rëndësinë e “diplomacisë publike si një instrument për promovimin e vlerave më të mira të shqiptarëve kudo në botë”. Ai shtoi se “kjo ekspozitë është një mozaik shumë i pasur i atij kontributi të çmuar të diasporës shqiptarë për formësimin e identitetit kombëtar. Kjo botë e ndërlidhur ka ekzistuar shumë herët dhe diaspora shqiptare, kudo që ka qenë ka dhënë një kontribut të vyer”.
Në kuadër të Samitit të Diasporës, krahas librave të Bibliotekës së Faik Konicës, të mundësuara, nga Agron Alibali, fondi i vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare u pasurua edhe me një letër dorëshkrim të intelektuales me origjinë shqiptare Dora D’Istrias, shkruar në vitin 1862, e cila u dhurua nga Gjino Luka. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë i akordoi Agron Alibali dhe Gjino Luka “Çertifikatën e Mirënjohjes” si shenjë vlerësimi për përkushtimin dhe punën e tyre të çmuar.
Diasporat ishin të shumta si arvanitase, arbëreshe, ballkanike, ato të Stambollit dhe Misirit, dhe e mirënjohura në SH.B.A. Përmes “Vatrës”, kanë përbërë potencialin thelbësor intelektual, politik, diplomatik, organizativ dhe ekonomik, në të cilin u mbështetën përpjekjet për pavarësi, si edhe ato të mëtejshmet për një zhvillim të qëndrueshëm e demokratik të vendit. Emra të shquar të botës kulturore shqiptare, sot pjesë e rëndësishme e Historisë sonë kombëtare, lindën ose u mirëpritën dhe kontribuuan pikërisht në gjirin e këtyre diasporave, që nga De Rada e Skiroi, Frashëllinjtë e Çajupi, Nikolla Naço e Kristo Luarasi, e deri te Konica e Fan Noli. Lëvizjet, shoqëritë patriotike e kulturore të themeluara prej tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e trashëgiminë tonë kombëtare./tesheshi.com