Enise Mahluf, nëna e shefit të regjimit sirian, Beshar Esadit, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në një spital në Damask. Lajmin e ka bërë të ditur televizioni shtetëror, por pa dhënë më tepër hollësi. Njëkohësisht, lajmi është konfirmuar dhe nga presidenca siriane.
Mahluf u lind më 1930 në një familje të pasur në Latakia, për t’u martuar në vitin 1957 me Hafiz Esadin. Ajo do të ishte zonja e parë e vendit gjer në vitin 2000, kur i shoqi, presidenti i vendit, u largua nga kjo botë.
E sëmurë prej vitesh, Enise Mahluf do ta vizitonte shpesh Gjermaninë deri në 2012-ën për t’u mjekuar.
Nënë e pesë fëmijëve, ajo ishte një prej personave më me ndikim në mbajtjen në këmbë të regjimit të Esadit. Si i shoqi dhe i biri janë të njohur për terrorin e ushtruar mbi popullatën siriane. Mijëra janë të vrarët gjatë luftës së tanishme, së cilës nuk i duket fundit, e miliona janë të zhvendosurit brenda dhe jashtë vendit. /tesheshi.com/