Prokurori i prangosur sot nga SPAK në kuadër të operacionit italo-shqiptar “Shpirti”, Maksim Sota, e ka pasur aspiratë të tij të bëhej pjesë e Prokurorisë së Posaçme, pra SPAK-ut.
Ai ka kandiduar, madje ka shpalosur edhe platformën e tij se do të bënte në këtë strukturë shumë të rëndësishme të hetimit.
“Unë kam mbi 10 vjet i emëruar si prokuror në Vlorë. Unë kam hetuar dosja nga të gjitha veprat penale, nga më të vështirat deri te ato më të thjeshtat.
Një nga arsyet kryesore që paraqita kërkesën për të qenë kandidat i Prokurorisë së Posaçme sepse kam qenë gjatë gjithë karrierës sime i predispozuar për të hetuar, në kuptimin e plotë të fjalës hetim dhe jo thjesht si rutine pune.
Nuk mendoj ta mbyll karrierën si prokuror i thjeshtë. Unë ndjej më shumë kënaqësi kur kam hetuar dosje vërtet të vështira. Mendoj se nëse unë bëhem pjesë e SPAK kjo strukturë do të ketë hetime më të mira“, tha Sota para Këshillit të Lartë të Prokurorisë më 17 korrik 2019.
Operacioni italo-shqiptar është rrjedhë e zhvillimeve hetimore të operacioneve “Shefi” e “Kulmi” ekzekutuar në 2018 e 2020 nga Drejtoria e Antimafias Italiane të Barit, ku u arrestuan 37 persona, u sekuestruan 40 milionë euro drogë, 4 milion euro asete si prona, automjete e para cash. /tesheshi.com/