Shqipëria ka bërë debutimin në një kampionat europian, duke pësuar një humbje që mbase mund të ishte shmangur.
Dy gabime fatale i kanë kushtuar Shqipërisë humbjen 0-1 me Zvicrën. Një gabim i Berishës në dalje në minutën e 5-të, dhe Schar nuk e ka patur të vështirë ta dërgojë topin me kokë në rrjetën e kuqezinjve. Dalja e Canës me të kuqe në minutën e 36-të, mu atëherë kur Shqipëria po këmbëngulte dhe kishte marrë frenat e lojës në dorë, qe një tjetër goditje, e cila u rikuperua me shumë vështirësi.
Për të ardhur te dy raste të pastra për tanët. Sadiku në pjesën e parë, e Gashi në fundin e pjesës së dytë, janë gjendur vetëm për vetëm me portierin kundërshtar, duke mos mundur ta çojnë topin në portë.
Raste më tutje kanë patur zvicerianët, me një Berishë që është kujtuar të luajë mirë dhe ka mënjanuar gola të sigurt.
Futja në lojë e Kaçes dhe Cikalleshit nuk ka sjellë diçka të veçantë nga këta lojtarë, por edhe pse me dhjetë lojtarë, pjesa e dytë ka qenë në vijimësi në kontrollin e kuqezinjve.
Sidoqoftë, përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat. Zvicra ka fituar një tjetër ndeshje ndaj Shqipërisë.
Kuqezinjtë kanë humbur si për pasojë të veprimeve diletante, ashtu dhe për mungesë saktësie kur kanë patur rastet e tyre.
Një humbje trishtuese, e pamerituar. /tesheshi.com/