Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të vendosin sanksione mbi ushtrinë e Mianmarit, e cila akuzohet për shpërnguljen e mbi 400,000 myslimanëve Rohingya.
Thirrja bëhet në ditën kur nis punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Eksodi i myslimanëve Rohingya ka nisur në fund të muajit të kaluar.
Refugjatët kanë akuzuar forcat e sigurisë në Mianmar dhe turmat budiste për djegien e fshatrave të tyre, ndërsa Qeveria ka thënë se forcat e sigurisë janë duke iu përgjigjur një sulmi të militantëve Rohingya kundër postblloqeve policore, që ka ndodhur më 25 gusht.
“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe vendet e interesuara duhet të vendosin sanksione dhe embargo armësh mbi ushtrinë e Mianmarit, për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik kundër myslimanëve Rohingya”, tha përmes një deklarate Human Rights Watch.
Organizata Ndërkombëtare për Migrim konfirmoi se numri i myslimanëve Rohingya, që kanë ikur nga Mianmari dhe kanë hyrë në Bangladesh, ka kaluar mbi 400,000.
“Kemi 409,000 njerëz që kanë ikur në tri javët e kaluara”, tha Christopher Lom, zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.
Udhëheqësja ‘de fakto’ e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, njëherësh laureate e Çmimit Nobel për Paqe, ka tronditur komunitetin ndërkombëtar me indiferencën e saj ndaj situatës së komunitetit Rohingya.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se Suu Kyi ka “shansin e fundit” për të ndaluar krizën në vendin e saj. /tesheshi.com/