Opozita ka ndërmarrë hapin ekstrem, atë të djegies së mandateve, si një lëvizje politike për të detyruar rrëzimin e Ramës nga qeverisja. E bënë këtë pas një proteste plot dritë-hije dhe në kulmin e komenteve negative për të, ku e gjithë vëmendja u fokusua te dhuna e jo të masa njerëzore, kjo për shkak të një strategjie të gabuar e plotësisht të dështuar, pohuar dhe nga media pranë saj. E dy ditë më pas, opozita vendos që në emër të masës njerëzore, rrumbullakosur abuzivisht me përcaktorin absolut “shqiptarët”, të djegë mandatet.
Duket si një vendim që shkërmoq themelet e funksionimit të sistemit, në kuptimin e rregullave të lojës, ku me patjetër duhet të funksionojë opozita. Ndërkohë, kjo e fundit nuk e ndërmerr këtë hap në emër të padrejtësive ndaj saj, por në emër të popullit, pa pranuar të ballafaqohet me garë elektorale, aty ku provohet më votë nëse e ke apo jo vërtet popullin me vete, brenda nocionit numerik të shumicës.
Madje opozita vjen nga një precedent unik, ku në zgjedhjet e fundit mazhoranca i dhuron të gjitha levat e pushtetit në funksion të kontrollit të votës, gjë e paimagjinueshme se mund të ndodhte në të kundërtën. Përkundrazi. Mazhoranca e sotme vjen nga një opozitë stërmunduese në raport me votën.
E tani, kjo që mund ta ngjajë si një apokalips sistemi në kuptimin e funksionimit normal të rregullave të lojës, sepse ky është rasti për të goditur atë pjesë të sistemit, në kuptimin e estabilishmentit të korruptuar politik, mund të përkthehet dhe si një shans i madh historik. Zërat që janë kundër këtij establishmenti, po shohin sot që të bëhet realitet vetlargimi i një pjese, ku veçon partia më e madhe e opozitës me një bilanc qeverisës nën akuzë ndër vite, e pas saj LSI, simboli i korruptimin të sistemit me klientelizimin emblematik. Kush mbetet? Rama, PS-ja…Dhe fjalën e kanë urryesit e denoncuesit e sistemit, pra pjesës së korruptuar, që të faktorizohen politikisht për të ofruar një tjetër opozitë, atë që së bashku me tagrin e pretenduar moral, e padyshim dhe vizionin e drejtë e të mençur qeverisës, të bëhen alternativë; t’u marrin votën shqiptarëve e ta nxjerrin jashtë loje edhe Ramën. Por me garë, më konkurim, me aftësi sfiduese e qeverisëse.
Është koha që emra si Fatos Lubonja, Andi Bushati, Artur Zheji, i zellshmi anti-sistem Ylli Rakipi e të tjerë emra nga jeta publike,pse jo Blushi dhe që duan shuarjen e këtij estabilishmenti, e kësaj kaste politike dominuese, sot kanë shansin e madh që ta bëjnë këtë. Jo me fjalë por me veprim; jo me komente por me garë; jo nga studio televizive por nga terreni; jo si analistë por si politikanë; jo si dhënës mendsh por si vendimarrës; jo si ankimtarë por si veprues; jo si qarramanë por si heronj. Të paktën në këtë pikë të bëjnë atë që bëri Rama, të ndjekin modelin e tij të kalimit nga një denoncues në një ofertues, nga një aktor publik në një njeri me përgjegjësi politike. Thjesht të themelojë një partite re dhe të bëjnë ndryshimin e madh. E bëjnë dot? /tesheshi.com/