Britaniku Lewis Hamilton, kampioni i botës në fuqi në Formula 1, prej ditës së sotme e udhëheq për herë të parë kampionatin. Eshtë dashur të vihet në garën e njëmbëdhjetë sezonale, në atë të Hungarisë, që Hamilton të kthehet ta kryesojë F1-shin.
Rosberg qe fatlum dje kur siguroi vendin e parë në provat zyrtare, një avantazh që u shumëzua me zero që në metrat e para të garës së sotme, pasi Hamilton do ta parakalonte atë menjëherë. Më së paku gjermani arriti të rimerrte vendin e dytë, të cilin për pak në xhiron e parë e mbajti Ricciardo i Red Bull-it.
Dy pilotët e Mercedes-it ndoqën gjatë gjithë garës njëri-tjetrin në vend të parë e të dytë, me Hamilton-in pa ndërprerje kryesues.
Të forta qenë duelet mes pilotëve të Red Bull-it e Ferrari-t, të fituara nga Ricciardo e Verstappen. Veçanërisht tërheqës, e njëkohësisht mjaft i rrezikshëm, qe fërkimi mes Verstappen-it e Raikkonen-it, me finlandezin e akullt që në një moment humbi toruan.
Tre të parët në finishin e Hungaroring-ut përfunduan Hamilton, Rosberg e Ricciardo, të pasuar nga Vettel, Verstappen e Raikkonen. Alonso siguroi një vend të shtatë të merituar, ndërsa shoku i tij i skuadrës te McLaren-i, Jenson Button, qe i vetmi pilot i tërhequr në garë. Sainz, Bottas e Hulkenberg plotësuan dhjetëshen e pilotëve të parë, që marrin dhe pikë.
Gara e Hockenheim-it në Gjermani vjen shpejt, vetëm pas shtatë ditëve. Ajo është e fundit para një pushimi disi të gjatë gjatë gushtit. Me 186 pikë, gjashtë më pak se Hamiltoni, i cili ka 192, për Rosberg-un do të jetë mundësia më e mirë për t’u kthyer në kryesim, pasi do të pilotojë në shtëpinë e tij. /tesheshi.com/