Lëvizja palestineze Hamas tha se Izraeli kishte “dështuar në arritjen e qëllimeve të tij agresive” në Gaza, një ditë para fillimit të një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi pengjesh të arritur me Izraelin.
“Izraeli ka arritur vetëm të kryejë krime lufte që turpërojnë dinjitetin e njerëzimit,” tha grupi në një deklaratë, sipas Agence France-Presse (AFP).
Hamasi tha gjithashtu se mekanizmi për lirimin e pengjeve izraelitë që mban në Gaza do të varet nga numri i të burgosurve palestinezë që Izraeli liron, raporton Reuters.
Në një deklaratë, Hamasi tha se lista e të burgosurve palestinezë që do të lirohen do të publikohet një ditë para shkëmbimit, në përputhje me kushtet e marrëveshjes së armëpushimit të arritur me Izraelin të mërkurën.
“’Furia Al-Aksa’ ilustroi unitetin e popullit tonë të madh me rezistencën e saj fitimtare dhe shtypi arrogancën e armikut. ‘Furia Al-Aksa’ na solli një hap më afër përfundimit të pushtimit, çlirimit dhe kthimit, me dashtë Zoti.
Ne e detyruam okupatorin që t’i jepte fund agresionit kundër popullit tonë dhe të tërhiqej, pavarësisht përpjekjeve të Netanyahut për të zgjatur luftën dhe për të kryer edhe më shumë masakra.
Okupatori nuk arriti t’i arrijë qëllimet e tij agresive dhe e vetmja gjë që arriti ishin krimet e luftës që turpërojnë njerëzimin.
Udhëheqësit e armikut dhe ushtarët e tyre do të ndiqen penalisht dhe dënohen për veprimet e tyre, pavarësisht se sa kohë ka kaluar.
Detyrimi aktual është heqja urgjente e bllokadës, ofrimi i ndihmës për popullin tonë, sigurimi i strehimit, shërimi i plagëve, kthimi i refugjatëve dhe fillimi i rindërtimit dhe ndërtimit.
“rotokolli i ndihmës humanitare, për të cilin është rënë dakord me ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë, siguron zbatimin e masave për ofrimin e ndihmës, akomodimin dhe rindërtimin”, tha Hamasi në një deklaratë.
Armëpushimi është vendosur të hyjë në fuqi në orën 06:30 GMT të dielën, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit.
BBC raporton se një zyrtar i lartë palestinez i përfshirë në bisedimet e Dohas ka ndarë detaje të pazbuluara më parë në lidhje me protokollin e sigurisë, i cili u ra dakord si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.
Sipas një raporti të BBC-së, sipas kësaj marrëveshjeje, pasi të hyjë në fuqi armëpushimi, Izraeli do të lejojë policinë e Hamasit, të veshur me uniformat e tyre zyrtare blu, të veprojë brenda zonave të caktuara të Rripit të Gazës. Ai shtoi se oficerët e policisë së Hamasit do të shmangin mbajtjen e armëve, përveç kur është absolutisht e nevojshme.
Një zyrtar palestinez i paidentifikuar i tha BBC-së se policia e Hamasit do të menaxhojë më pas lëvizjen e njerëzve të zhvendosur nga pjesa jugore e Gazës drejt veriut, duke shmangur afërsinë e forcave izraelite, të cilat do të mbajnë një prani në kufijtë lindorë dhe veriorë të Gazës.
Ai shtoi se Katari dhe Egjipti do të ndërmjetësojnë mes Izraelit dhe Hamasit për të parandaluar konfliktet e mundshme.
Ofensiva ushtarake izraelite në Rripin e Gazës ka vrarë të paktën 46,899 palestinezë dhe ka plagosur 110,725 që nga 7 tetori 2023, tha sot Ministria e Shëndetësisë e Gazës. /tesheshi.com/