Nga Blendi Gashi
Largimi i Elez Blakajt në Amerikë, ish-prokurorit special që po hetonte listat e fryera të veteranëve të UÇK-së, ka futur politikën e Prishtinës në një qorrsokak më të madh se ishte.
Kjo çështje ka rikthyer fjalorin ofendues dhe rritur tensionet mes pozitës e opozitës.
Dhe për të nxehur gjakrat po kujdeset njeriu i cili do të duhej të kontribuonte në qetësim të situatës, kryeministri Ramush Haradinaj.
Në deklarimet e fundit për media, ky i fundit sulmoi në mënyrë të paprecedentë prokurorin e dorëhequr. E quajti hiç më pak se hajn dhe pishpirik, që nuk mund të vlerësojë numrin e veteranëve, meqë tha se ka ikur në Bllacë e Stankovec gjatë kohës së luftës.
“Hajn institucional, hajn i pulave, ja kemi dhënë të gjitha mundësit për me kry punën dhe ai ka goditur sistemin e drejtësisë nga jashtë me media”, ka akuzuar Haradinaj, deklaratë kjo që ngjalli reagime të shumta nga shoqëria civile por jo vetëm për gjuhën e përdorur.
Por Haradinaj nuk ofendoi veç prokurorin. Ai me fjalor të njëjtë foli edhe për opozitarin, njëherit kryevetëvendosësin Albin Kurti, të cilin poashtu e quajti hajn.
“Sa a është hajn Albini, ai është hajn, ai është një mashtrues, ai është një ordiner, ai i ka mashtruar njerëzit e vet deri sa e kanë marrë vesh dhe sot nuk janë me të. Nuk mundet një njeri si ai dhe disa njerëz që po dalin në rrugë me ndal Kosovën , mund të kenë edhe agjenda tjera”, tha Haradinaj.
Ishte ky një reagim pasi Kurti tha: “paramendojeni po të ishte fizikisht në Kosovë ish-prokurori Elez Blakaj se çfarë do t’i bënte atij kryeministri Haradinaj?”.
Thaçi e Veseli, të matur…
Për dallim nga Haradinaj, më të qetë dhe të kujdesshëm janë deklaruar dy krerët tjerë të vendit, presidenti Thaçi e kryekuvendari Veseli.
Ky i fundit ka akuzuar Blakaj për moral dhe atdhedashuri
“Elez Blakaj, një prokuror që shteti i Kosovës ia kishte dhënë besimin, nuk pati guximin që këtë gjë ta çojë deri në fund, për çka e ka pasur mbështetjen time të plotë – si njeri, si luftëtar dhe si lider institucional e politik. Ai kishte menduar të bëhej prokuror hero pa e luftuar krimin, ashtu sikurse këta mashtrues që duan të bëhen veteranë pa pjesëmarrje në luftën çlirimtare. Me deklarata nga SHBA-ja nuk luftohet krimi, për aq sa lufta nuk është fituar me deklarata pa marrë pjesë drejtpërdrejt. Sido që të jetë, ky është morali të cilin e zgjedh vetë individi, më të cilin i edukon edhe fëmijët e vet. Shteti i Kosovës i kishte besuar z.Blakaj dhe profesionalizmit të tij. Me ikjen e tij, ai tregon se nuk e do shtetin e Kosovës”, tha Veseli.
Ndërsa presidenti Thaçi është treguar më finok. Në reagimin e bërë më 15 gusht pas kumtimit të lajmit për largimin e Blakajt drejt Amerikës, ka folur se si duhet të jetë sistemi i drejtësisë.
“Dënoj ashpër kërcënimet ndaj Prokurorit të Prokurisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Elez Blakaj, në ushtrimin e funksionit të tij. Sundimi i së drejtës është themeli i një shteti dhe shoqërie demokratike dhe një ndër hallkat më të rëndësishme në forcimin e perspektivës evropiane të vendit tonë. I mbështes fuqishëm institucionet tona të drejtësisë në punën e tyre të palodhshme për forcimin e sistemit të drejtësisë që është funksional, transparent, llogaridhënës dhe që gëzon besim të plotë nga të gjithë qytetarët e vendit”, shkruan Thaçi në Facebook.
Pas këtij deklarimi, presidenti nuk është bërë më i “gjallë” për rastin në fjalë, pra fare nuk ka folur për akuzat që Blakaj ka bërë ndaj kryeprokurorit Lumezi se si kinse ky i fundit e ka qortuar pse e ka thirrur kryekuvendarin Veseli për intervistim qoftë edhe si dëshmitar në “rastin e veteranëve”. /tesheshi.com/