Nga Vepror Hasani
Qyteti i Korçës, ku banonin myslimanët, dhe fshati Peskëpi, ku banonin ortodoksët, ishin dy vendbanime të ndryshme; të tilla mbetën për disa shekuj me radhë.
Qyteti i Korçës u krijua nga 26 familje myslimane, të cilat në kohën e sundimit ottoman banonin te kështjella pranë Mborjes, ku ngrihej xhamia e Sulltan Mehmetit dhe pazari. Me ardhjen e themeluesit të qytetit të Korçës nga Stambolli, Iljaz bej Mirahorit, 26 familjet u zhvendosën aty ku gjendet Korça sot, në krahun e majtë të lumit të Moravës, tre kilometra më poshtë nga vendbanimi i mëparshëm. Për më shumë shih: (tesheshi.com, “Një letër-ankesë e para 500 viteve rrëfen…”).
Ndërsa fshati Peskëpi, ku banonin ortodoksët, shtrihej në krahun e djathtë të lumit të Moravës. Në fillesat e veta Peskëpia kishte dy lagje, të cilat banoheshin nga sllavë të mbetur nga koha e pushtimit bullgar. Emrat e tyre dolën në pah në dekretin perandorak të 10 prillit 1507, i cili përcaktoi kufijtë e fshatit Peskëpi, kërkuar nga Iljaz bej Mirahori Në këtë dokument (sinorname) gjenden emra të tillë, si: Dhimitri Dobroxhik, Juliç Petro, Taleç, Ralemeu Junkiç, Manshe Brajko, Deloviç Virçeka, Stomi e Teodori, Miroviç, Bulmaç, Dulçe Seva, Rajko Kosta etj. (për ekzistencën e ndonjë greku as që bëhej fjalë). Për më shumë lexoni: (S. Pulaha, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, f. 273).
Me kalimin e viteve numri i popullisë në qytetin e Korçës dhe në fshatin Peskopi nisi të rritej. Studiuesit që morën në analizë ritmet e rritjes së popullsisë në dy vendbanimet e mësipërme, mbetën të habitur nga një fakt gati i pabesueshëm. Gjatë vitit 1914 popullsia ortodokse ishte rritur befas me 15 mijë banorë më shumë!
Si kishte ndodhur kjo gjë? Për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të tilla, si: A ishte e vërtetë kjo rritje? Nga kishin ardhur 15 mijë banorët? Kush i solli ata?, etj, do të shohim rritjen e popullsisë nga regjistrimi i parë turk 1431-1432 deri në vitin 1927. Mos e humbisni rrëfimin që vjen më poshtë. Gjatë analizës do të ndeshemi me manipulimin e së vërtetës, por pas shpjegimit të fakteve, gjithçka do të jetë e qartë.
Sipas regjistrit të Korçës dhe Përmetit, viti 1431-1432, kështjella e Korçës pranë Mborjes kishte 26 shtëpi, kurse fshati Peskëpi 71 shtëpi. Në regjistrimin vitit 1568-1569 Kështjella e Korçës ishte rritur me 7 shtëpi; nga 26 që kishte në fillim, tashmë kishte 33, ndërsa Peskëpia ishte rritur me 4 shtëpi; nga 71 që kishte në fillim tashmë kishte 75. Vini re! Ritmet e rritjes së popullsisë në krahasim me fshatin Peskëpi janë më të larta për qytetin e Korçës.
Për vitin 1713 Studiuesi Pirro Thomo sjell këtë informacion: “Në fillimin e shek XVIII Korça duhet të ketë pasur një rënie. Klerikët e qytetit më 1713 ankohen se “… qyteti është katandisur shumë i vogël nga shtëpitë e të ardhurat…” sa nuk mjaftojnë për pagesën e tyre dhe kërkojnë të zbatohet ligji që: “… një prift të ketë më shumë se 50 shtëpi”. Prandaj duhet “…të mos ketë më shumë se pesë priftërinj dhe një hierodjak”. (Informacion i nxjerrë nga Kodiku i Korçës, dok. 105)
Interpretimi i studiuesit Pirro Thomo është ky: “Sipas kësaj llogarie Korça në atë kohë do të ketë numëruar të paktën 300 shtëpi të krishtera dhe po t’i shtojmë këtyre edhe 100-150 shtëpi myslimanësh, atëherë numri do të arrinte rreth 400-500 shtëpi”. (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura” f. 31)
A është i saktë interpretimi i z. Thomo? Sigurisht që jo. Pse? Arsyet janë këto:
Nga e di Pirro Thomo që qyteti i Korçës në vitin 1713 banohej nga 100-150 familje myslimane dhe jo më shumë se kaq, kur ai nuk sjell asnjë referencë për këtë gjë?
Nga sa kuptohet, arsyetimi i z. Thomo është ky: me qenë se në vitin 1431-1432 fshati Peskëpi kishte 71 shtëpi, kurse Korça 26, në total Peskëpia përfshinte 2/3 e popullsisë që ishin ortodoksë dhe qyteti i Korçës 1/3 e popullsisë që ishin myslimanë, (sipas kësaj logjike) ky raport do të vijonte të mbetej i tillë për jetë e mot, mirëpo pak më lart ne vumë në dukje faktin se ritmet e rritjes së popullsisë ishin më të larta në qytetin e Korçës në krahasim me fshatin Peskëpi.
Veç sa më sipër, që nga viti 1431 kur Peskëpia kishte 71 shtëpi dhe Korça 26, deri në vitin 1713 kur priftërinjtë ndanë shtëpitë e ortodoksëve mes tyre, kishin kaluar 282 vjet, gjë që do të thotë se popullsia myslimane që jetonte në qytetin e Korçës duhej ta kishte kapërcyer dukshëm popullsinë e ortodoksëve që jetonin në fshatin Peskëpi. E kundërta nuk mund të ndodhte kurrsesi. Megjithatë, manipulimet vijojnë.
Për fillimin e shek. XIX te libri i Francois Pouqueville, (Pukëvilit) “Voyage de la Grece”, (Udhëtimi i Greqisë), gjejmë këtë informacion: “Korça, që ka humbur’ importencën e parë, ka 1300 fëmiië, (familje) prej të cilavet dy të treta janë të krishterë, me pesë kisha dhe një xhami”.
Edhe ky informacion vjen i manipuluar, sepse:
Së pari, Pukëvili nuk ka qenë ndonjëherë në qytetin e Korçës, por në fshatrat e saj. Informacionin për Korçën e mori nëpërmjet të dërguarve të tij.
Së dyti, për shkak të marrëdhënieve që kishte patur me Ali Pashë Tepelenën, Pukëvili i urrente shqiptarët, veçanërisht myslimanët. Ja çfarë shkruhet për të:
“Mjerisht urrejtja e tij kundër Ali Pashësë, smira që ka pasur kundër këtij dhespoti e shtyjnë autorin të shkruajë kundër Shqipëtareve, të mos ketë as më të paktën simpati për këtë racë”. dhe së dyti, “…simpati e madhe e autorit për grekët, nië admirim dhe adhurim intelektual rrjedhur prej studimit të literaturësë antike”, duket se e nxit dëshirën e Pukëvilit për ta paraqitur Korçën si qytet ortodoks. (Revista “Diturija”, nr 1, viti 1927)
Së treti, si ishte e mundur kur më “1891 Korça numëronte: 2 xhami, 2 teqe, 2 medrese, 3 shkolla për vajza dhe djem, 757 dyqane dhe magazina, 2 imarete, (qendra sociale bamirësie), 23 hane, 34 furra, 12 kazino dhe taverna, 10 kuzhina dhe restorante”, 2 hamame, 2 mullinj, , 1 farmaci etj” , të dhëna këto që i kemi nxjerrë nga statistikat e vitit 1891 të vilajetit të Manastirit. (1891 Manastir salnamesinde, Manastir vilayeti binalar ve arazi listesi), të kishte një popullsi më të vogël se fshati Peskëpi që banohej nga sllavë të mbetur nga koha e pushtimi bullgar, të cilët ishin njerëz të varfër (çifçinjë)?!
Së katërti, William Martin Leake që vizitoi Shqipërinë pothuajse në të njëjtën kohë me Pukëvlin, sjell një informacion në kundërshtim të plotë me këtë të fundit:
Këtë qytet (Korçën), Leake e çmon në 450 shtëpi, më tepër se gjysma e tyreve të krishterë”. (“Diturija”, nr 3, viti 1928, “Travels i Northern Greece, prej William Martin Leake”)
Së pesti, nga sa shihet, Francois Pouqueville dhe William Martin Leake mohojnë njëri-tjetrin me informacionet e tyre, sepse të dy janë të pasaktë.
Së gjashti, përshkrimi në librin e tij “Travels i Northern Greece” për rrugë të ngushta e të fëlliqura na lë të kuptojmë që William Martin Leake (Lik) ka qëndruar në fshatin Peskëpi, ku jepet një pamje tejet e mjeruar e fshatit dhe e klerikëve ortodoksë:
(Qytet) “…me rrugë të fëlliqura dhe të ngushta që karakterizojnë një qytet shqiptar; qarku i Korçës po çpopullohet dhe mitropoliti, në të 80 katundet ortodoksë që ka nën urdhër të tij, numëron vetëm 2800 shtëpi; hirësi e tij, sadoqë kreshmë, fillon dhe ha nga gjella allafranga e udhëtarit, duke lënë dhiakon ke dera të ruaj se mos vjen njeri, dhe duke pasur kujdes që të mos duket më tepër se një gropë në pilaf dhe pudding; në bisedim mitropoliti ankohet prej shqiptarëve myslimanë që sillen keq me popullsinë dhe shkretojnë vendin. Pastaj, si edhe shumë grekër të tjerë, dëshiron një bashkim të othodhoksve me katolikët…”. (Po aty, “Diturija”, nr 3, viti 1928, “Travels i Northern Greece, prej William Martin Leake”)
Së shtati, llogaritja e fshatit Peskëpi si pjesë e qytetit të Korçës, është një tjetër manipulim i pastër i udhëtarëve të huaj, pasi Peskëpia nisi t’i bashkëngjitej qytetit në vitin 1879, kur Korça u bë bashki.
Kjo është dhe arsyeja pse për këtë perudhë, (pas vitit 1879), gjenden të dhëna të sakta të popullsisë. Sipas statistikave të vitit 1891 të vilajetit, Korça dhe Peskëpia të marra së bashku kishin 2082 familje.
Tashmë jemi pothuajse në fund të argumentit tonë. Është momenti që pyetja e ngritur nga ana jonë, është apo nuk është e manipuluar historia e popullsisë së Korçës, të marrë përgjigje.
Në vitin 1859 Korça kishte 10.000 banorë.
Më 1879, 13.000 banorë.
Sipas regjistrimit të vitit 1913, 15.453 banorë.
Pas vitit 1913 nuk pati regjistrime të tjera.
Në vitin 1923 Korça kapi një popullsi prej 25.598 banorë, u bë qyteti më i madh i Shqipërisë!
Ky fakt i lë të befasuar të gjithë studiuesit. Si u rrit popullsia e Korçës me 10 mijë banorë më shumë?! Megjithatë, studiuesit lënë pa përmendur edhe një fakt tjetër. Në vitin 1916-1917, për shkak të mungesës së bukës, në qytetin e Korçës vdiqën rreth 5.000 njerëz, gjë që do të thotë se Korça ishte rritur me 15.000 banorë. Që të gjithë ishin ortodoksë, por edhe pse Peskëpia u shtua me 15 mijë banorë, nuk mundi të tejkalonte popullsinë e qytetit të Korçës, gjë që lë zbuluar të gjitha përpjekjet për manipulim mbi popullsinë e Korçës. Regjistrimi i popullsisë në vitin 1927 tregoi se një pjesë e të ardhurve u largua përsëri nga qyteti i Korçës.
Megjithatë pyetje të tjera rrinë pezull: kush ishin 15.000 njerëzit e ardhur? Kush i solli ata? Pse ishin të gjithë ortodoksë? Nëse dëshironi të shuani kureshtjen, së shpejti mund të lexoni shkrimin e radhës, ku do të jepen të gjitha detajet.
/tesheshi.com/