Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Ismail Morinën, të njohur gjerësisht si ‘Ballist Morina”, personi i cili ngriti flamurin shqiptar në mes të Beogradit dhe që vetëm disa ditë para ndeshjes së djeshme me Serbinë, u arrestua për armëmbajtje pa leje.
Morina deklaroi në gjykatë se nuk kërkon mëshirë, por se do të preferonte të ishte përpara një gjyqtari serb për të mbrojtur dinjitetin e vendit të tij.
“Do të doja të gjendesha para ndonjë gjyqtari serb e të mbroja dinjitetin e vendit tim por tani jam para gjyqtarit shqiptar dhe duhet të mbroj veten. Unë nuk kërkoj mëshirë, dua mirëkuptim nga ju, nëse do kem vendim pozitiv do ta nderoj atë deri në fund. Unë kam një familje që nuk e shoh prej dy vitesh, kam dy fëmijë për të rritur të cilët do i rris si patriotë”, ka thënë Ballist Morina”.
Avokati mbrojtës i ka kërkuar një masë më të butë për klientin e tij pasi ky është një rast i veçantë, duke qenë se sipas tij, Morina nuk përbën rrezikshmëri dhe se armën e mbante prej frikës pas ngjarjes në Beograd./tesheshi.com/