Mund të keni dëgjuar shpesh të flitet për Nergi, por çfarë është në të vërtetë? Praktikisht bëhet fjalë për një kivi të vogël i zhveshur, i pasur në vitamina e kripëra minerale. Është konsideruar si superushqimi më i ri. Më poshtë po ju tregojmë gjithçka që nuk dini dhe duhet të mësoni për këtë ushqim.
Është i vogël dhe jeshil, i ëmbël dhe me lëng, tretet lehtë dhe ndihmon në tretje, ka shumë kalori, i pasur në vitamina dhe fibra, si dhe ka shumë mënyra përdorimi në kuzhinë.
Nergi është ndër të vetmet ushqime që konsumohet i gjithi dhe që nuk ka mbetje apo pjesë të pakonsumueshme. Përmban vitaminën C (52.5 mg për 100 gramë, shumë më shumë sesa portokallet dhe ribesi) dhe vitaminën E (kundër radikaleve të lira). Njëkohësisht është hiperkalorik dhe ashtu si edhe kivi tradicional, ndihmon zorrën e trashë për jashtëqitjen e ushqimit. Nergi është edhe një ushqim anti stres: përmban magnez, kalcium e fosfor, të dobishme për dietat e atyre që janë nën presion, për fëmijët e të moshuarit, ose edhe për ata që duan të nisin një dietë ushqimore të shëndetshme.
Ka përmasa të vogla dhe mund ta gjeni përgjithësisht në treg apo në supermarkete pranë frutave të pyllit. Ngjan me kivin e zakonshëm por nuk ka nevojë të qërohet. Përmasat e tij janë rreth 2-3 centimetra dhe çdo frut i tillë peshon nga 8 në 15 gramë. Emri i bimës në të cilën rritet është Actinida Arguta, me origjinë nga Azia Lindore.
Bima kultivohet edhe në Zelandën e Re, Francë, Portugali dhe Itali. Ka formën e një peme të zakonshme dhe gjatësia e saj arrin deri në 6 metra. Nergit piqen nga shtatori në nëntor, ndërsa lulet çelin në mes të majit. Çdo bimë prodhon nga 10 deri në 50 kg fruta./tesheshi.com/