Nga Blendi Gashi
“Forcimi i sundimit të rendit dhe ligjit është top-pritoritet dhe të gjithë do trajtohen të barabartë”. Kjo është fraza e vazhdueshme që del nga goja e krerëve të institucioneve në çdo paraqitje publike. Por në realitet situata është krejt ndryshe. Dhe këtë e dëshmon rasti i fundit, ku zv.kryeministri Dardan Gashi dhe kryetari në largim i Skenderajt, Sami Lushtaku gjuajnë me armë nga ambienti i mbyllur, konkretisht nga shtëpia e zv.kryeministrit Fatmir Limaj, ku festojnë lirimin e këtij të fundit nga akuzat për korrupsion si ish-ministër i Transportit.
Dy ditë pasi “të fortët” treguan se ligjin e bëjnë sepse nuk i prek prokuroria e policia, të cilat heshtën duke thënë se nuk janë në dijeni për rastin në fjalë, në Prishtinë janë mbledhur krerë të institucioneve, ambasadorë e drejtues të sistemit të drejtësisë sigurisht jo për të folur për gjuajtjet me armë që ndodhën në shtëpinë e zv.kryeministrit Limaj, por për të diskutuar për gjendjen e sistemit të drejtësisë, konkretisht për punë e gjyqësorit.
“Të arriturat e sistemit gjyqësor nuk janë të pakta”
Ashtu siç pritej, presidenti Thaçi foli për rezultate ku tha se nga shpallja e pavarësisë e deri më tash ka ndërmarr një sërë veprimesh me qëllim të konsolidimit të sistemit të drejtësisë dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.
“Të arriturat e sistemit tonë gjyqësor nuk janë të pakta, por gjatë rrugëtimit ka pasur edhe sfida. Vetëm përgjatë këtij viti kemi ndërmarr hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit tonë gjyqësor dhe në shtrirjen e tij në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Institucionet e Kosovës dhe miqtë ndërkombëtarë, që nga paslufta nuk janë ndalur së punuari që në Kosovë të kemi një sistem të mirëfilltë gjyqësor, një sistem ku të gjithë do të jenë të barabartë dhe do të trajtohen si të tillë”, u shpreh Thaçi në konferencën e shtatë vjetore gjyqësore, të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe të mbështetur nga OSBE-ja.
“Të trajtohen mangësitë e sistemit gjyqësor”
Ambasadori amerikan, Greg Delaëie, pjesëmarrës në këtë konferencë bëri thirrje që të trajtohen të gjitha mangësitë që kanë të bëjnë me sistemin e gjyqësorit, duke thënë se forcimi i sundimit të ligjit është prioritet kryesor.
“SHBA-ja është një mbështetës i fuqishëm i sundimiit të ligjit në Kosovë dhe se sigurohen në dheniën e llogaridhënies. Pret nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj që të marrin vendime të mira për shtetin. Bashkërisht kemi mundësinë që të shënojmë përparimin që e kemi arritur kohët e fundit por dhe t’i trajtojmë mangësitë e sistemit që kanë të bëjnë me gjyqësorin”, thotë Delaëie.
“Sistemi i drejtësisë do të rishikohet”
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka premtuar se sistemi i drejtësisë do t’i nënshtrohet një rishikimi funksional, me ç’rast paralajmëroi reforma në shqyrtimet e lëndëve të ndryshme.
“Ky rishikim do t’i sqarojë shumë cështje për të siguruar një sistem të drejtë dhe të qasshëm për të gjithë qytetarët. Kemi iniciuar një varg masash për të rritur efikasitetin në sistemin e drejtësisë, i cili është përballur me sfida të ndryshme. Kemi punuar në shqyrtimin më të shpejtë të lëndëve, jemi duke konsoliduar legjislacionin”, tha Tahiri.
“Problem krimi e korrupsioni”
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Brathu, ka qenë më kritiku ku qartë ka thënë se krimi dhe korrupsioni janë problemi më i madh i Kosovës.
“Gjyqësori do të jëtë gjyqësor për të gjithë shoqërinë dhe popullatën. Përfaqësimi i diversitet të komuniteteve në gjyqësorin e Kosovës ka shumë rëndësi”, tha ai.
“EULEX-i ta përfundoj mandatin”
Enver Peci i cili është emëruar së fundi si kryetar i Gjykatës Supreme, ka thënë se ka ardhur koha që Kosova ta menaxhojë gjithë sistemin e drejtësisë, dhe se misioni i EULEX-it të përfundojë mandatin.
“Korrupsioni në sistemin gjyqësor është më i dëmshmi sepse cenon rëndë paqen nacionale, toleron dukshëm të drejtat e njeriut. Me bindjen se drejtësia është e shenjtë megjithatë është fakt se besimi i popullsisë është i paktë në sistemin tonë. Ne gjyqtarët duhet të rrisim kredibilitetin si fakt që të shmangim korrupsionin”, ka thënë Peci i cili ka theksuar që lufta kundër korrupsionit sjellë luftë edhe brenda sistemit të drejtësisë.
Ndërsa kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë, Nehat Idrizi, ka folur për punën e gjykatave me ç’rast ka thënë se gjatë këtij viti janë shënuar rritje të konsiderueshme të efikasitetit në zgjidhjen e lëndëve.
“Gjykatat themelore kanë treguar shkallë të efikasitetit mbi 100%, që do të thotë së kanë zgjidhur më shumë lëndë sesa kanë pranuar ndërsa Gjykata e Apelit, ka rritur produktivitetin, duke zgjidhur 6% më shumë lëndë sesa ka pranuar gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016”, tha Idrizi i cili shprehu zotimin se lëndët kundër korrupsionit do të vazhdojnë të trajtohen me prioritet.
Ndërsa kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, pranoi se sfidat e sistemit gjyqësor janë të mëdha.
“Sistemi i drejtësisë në përgjithësi kanë kaluar në periudha të ndryshme reformash. Janë barë përparime të dukshme. Reforma të cilat kanë kaluar KGjK kishin të bëjnë vetëm me ligjet, por edhe me strukturën e gjykatave. Po ashtu është procesi i emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve. Aktualisht sistemi gjyqësor po bënë përpjeke për rritjen e kapaciteteve për gjyqtar dhe për zgjedhjen e lëndëve”, tha Isufaj. /tesheshi.com/