Policia e Shtetit arrestoi mbrëmjen e të martës një të shumëkërkuar për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2011.
Pjetër Pacani, 61 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Kuqe, u arrestua nga forcat Operacionale në një banesë në lagjen “1 Maji” të Fierit.
Pacani ishte pjesë e listës me 50 shtetasit më të kërkuar nga Policia e Shtetit, pasi rezulton i dënuar me 25 vite burg për vrasje të dyfishtë.
Më datë 18.01.2011, pranë një karburanti në aksin rrugor “Lezhë-Tiranë”, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri dy shtetas.
Në banesën ku u kap ky shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 armë zjarri pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, granatëhedhës dhe dy antiplumba.
Policia e Shtetit ka shpërndarë dhe pamjet e operacionit, ku shihen armët e gjetura në banesën e 61-vjeçarit, si dhe momenti kur ai ndalohet nga forcat speciale. /tesheshi.com/