Pas sulmit të San Bernardinos dhjetorin e kaluar, kandidati presidencial republikan, Donald Trump apeloi për të ndaluar të gjithë muslimanët nga hyrja në vend. Në një intervistë me Fox Business pas sulmit, Trump e lidhi drejtpërdrejt mos asimilimin e emigrantëve muslimanë me terrorizmin. “Shiko Parisin, shiko gjithandej. Po ndodh diçka që nuk është e mirë, diku ata duan sheriatin, diku ata duan një gjë e një gjë tjetër- e dini- duhet të ketë një farë asimilimi. Nuk ka asnjë asimilim”, tha ai.
Edhe pse politikanët, demokratë e republikanë e më gjerë e dënuan këtë thirrje e propozimin për të ndaluar muslimanët të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, më shumë se një e treta e amerikanëve dhe më shumë se gjysma e republikanëve e mbështetën atë.
Trump, në fakt, po bluan në një frikë të rrënjosur thellë. Eshtë e njëjta frikë që mbështet popullaritetin e shumë partive të ekstremit të djathtë në Europë, që nga Fronti Nacional në Francë e deri tek Agimi i Artë në Greqi. Kështu që është legjitime të ngrihet pyetja nëse vala e fundit e emigracionit në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara nga vendet me shumicë muslimane po kompromenton sigurinë e popullsive pritëse. Por provat tregojnë se frikërat janë të keqdrejtuara: demokracitë liberale nuk po u hapin dyert terrorizmit kur lejojnë emigrantët muslimanë.
Përgjatë vitit të fundit, një numër i paprecedent emigrantësh janë larguar nga vendet e tyre drejt Europës për t’i ikur masakrave në Siri dhe trazirave në vendet e Afrikës së Veriut. Këta emigrantë nuk po integrohen mirë. Por, lidhja e emigracionit musliman me terrorizmin është gabim. Shoqëritë liberale duhet të mos i dënojnë njerëzit thjesht sepse kanë të njëjtin besim, kulturë e tradita me kriminelë vrasës. Do të ishte e njëjtë sikur të fajësojmë të gjithë italianët për vrasje të stilit mafioz. Për më shumë që fiksimi me emigrantët muslimanë fokusohet në shënjestra të gabuara.
Terroristët më së shumti janë të varfër, të paarsimuar, e në shumë raste, me trashëgimi muslimane. Në një studim për xhihadistët francezë, duket se ata për pjesën më të madhe, i përkasin brezit të dytë të qytetarëve francezë me origjinë emigrantësh – ose shtetas me kombësi franceze të konvertuar që nuk kanë asnjë lidhje me emigrantët. Ajo që i bashkon dy grupet nuk është Islami: është një ndjesi e revoltimit në përgjithësi.
Edhe rekrutët perëndimorë që shkojnë në Siri janë të konvertuar në Islam. Ky fakt e ka bërë studiuesin Roy ta përshkruajë kërcënimin jo si radikalizimin e Islamit por si islamizim të radikalizmit.
Mbetet e paqartë përse të rinjtë, që janë në mënyrë të arsyeshme në gjendje të qëndrueshme e janë të mirëarsimuar, bashkohen me grupe radikale. Me kërkimet që kanë bërë ekspertët, duket se integrimi i këtyre njerëzve është i vështirë. Rezultatet janë të qarta. Punëdhënësit në Francë ishin dy herë e më shumë të prirur për t’i ofruar punë një të krishteri në intervistat e sajuara nga studiuesit sesa një muslimani. Në eksperimente të tjera në lagje të ndryshme të Francës, u tregua se francezët ushqejnë një mosaprovim të hapur për muslimanët më shumë sesa për të krishterët senegalezë.
Me fjalë të tjera, ka një diskrimin të qartë kundër muslimanëve në konkurrencën për vendet e punës që pretendon shtresa e mesme, e kjo ka ndikime domethënëse në perspektivën e muslimanëve për të arritur mënyrën e jetesës së shtresës së mesme. Ka një diskriminim në rritje në tregun francez të punës. Një gjë e tillë bëri që personat muslimanë të pyetur në kërkime, të shprehnin shumë më pak besim në institucionet franceze sesa kolegët e tyre të krishterë.
Për me tepër, të anketuarit muslimanë kishin më shuma gjasa të dërgonin remitanca në shtëpitë e tyre e të planifikonin të varrosen në vendet e tyre. Varfëria nuk i tërheq këta muslimanë në klubet salafiste, por ambicjet e paarritshme e kanë këtë tërheqje.
Sigurisht, diskriminimi në tregun e punës nuk i shndërron të diplomuarit në vrasës. Numri aktual i anëtarëve të klubeve salafiste është kaq i vogël saqë nuk lejon përpjekje për të parashikuar përse dikush është i ndjeshëm ndaj ideve radikale. Por arsimimi së bashku me aktivizmin politik, dhe atje ku arsimimi nuk përmbush qëllimet e jetës përfaqësojnë një alternativë të besueshme për pjesëmarrjen në klubet fetare.
Gjëja që vendet nuk duhet ta bëjnë është të mos e ndalojnë emigracionin. Politika të tilla janë të drejtuara ndaj shënjestrave të gabuara e gjithashtu janë kundërproduktive. Ato nuk e zgjidhin diskriminimin që muslimanët ndjejnë kur përpiqen të integrohen në shoqëritë pritëse, dhe madje, mund të përkeqësojnë dështimin e integrimit të muslimanëve duke i inkurajuar ata të izolohen.
Ekonomistët Eric Gould dhe Esteban Klor, për shembull, kanë treguar se dhjetë vjet pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, muslimanët që jetojnë në këtë vend e që përjetuan një shtim të akteve islamofobike, tashmë janë më pak të integruar me normat dhe kulturën amerikane. Ata kanë nivelin më të lartë të lindjeve , nivelin më të ulët të pjesëmarrjes së gruas në tregun e punës dhe një zotërim më të dobët të anglishtes.
Propozimet e Trump nuk ka dyshim se do të largojnë edhe më shumë komunitetin mbi të cilin qeveria amerikane duhet të mbështetet për të identifikuar dhe ndaluar terroristët që njihen e ata që kanë potencialin të bëhen të tillë. Pas sulmeve të nëntorit në Paris, autoritetet franceze mbyllën kufijtë e vendit dhe nisën një gjueti të vërtetë për ideatorin e komplotit, Abdelhamid Abaaoud. Ata e gjetën dhe e vranë atë disa ditë më pas. Kush ishte informatori që dha të dhëna për vendndodhjen e tij? Një i ri musliman.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/