Rrjeti informativ britanik BBC njofton se forcat speciale irakiane u janë afruar gjer në 1.5 kilometra rrethinave lindore të Mosulit, e po përgatiten të hyjnë në të dy javë pas nisjes së mësymjes për çlirimin e tij prej ISIS-it.
Qindra trupa irakiane kanë hyrë në Bazvaja, në fshatin e fundit para caqeve të qytetit. Nga jugu, ndërkohë, po përparojnë njësi të divizionit të nëntë të ushtrisë irakiane.
Një ushtarak i lartë i ushtrisë irakiane i ka deklaruar agjencisë së lajmeve Associated Press se synonin të hynin në rrethinat e Mosulit po ditën e sotme. Një tjetër ushtarak tha po ashtu për Reuters-in se tashmë po luftonin në Karama, në një prej lagjeve në periferi të qytetit.
Njësi të ushtrisë kanë marrë gjithashtu një numër fshatrash në juglindje dhe në veri të Mosulit.
Beteja për marrjen e Mosulit nisi më 17 tetor, teksa ishte paralajmëruar shumë më herët.
Qytetin e kanë lënë deri tani më tepër se 17.700 banorë. 700.000 të tjerë mund të bëjnë të njëjtën gjë sipas skenarit më të keq të parashikuar nga OKB-ja, ndërsa besohet që në Mosul të ketë 1.5 milionë civilë. /tesheshi.com/