Ndërsa çdo ditë në mediat kosovare shkruhet se partia e Behgjet Pacollit do të dorëzohet në fund dhe do të lidh koalicion me PDK-AAK-NISMA-n, një gjë të tillë e mohon kategorikisht Korab Sejdiu, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR).
Ai thotë se asnjë ofertë që vije në drejtim të tyre nuk do t’i lëkund, ndërsa beson fuqishëm se asnjë deputet nga partia e tij por edhe nga aleatët LDK dhe Alternativa nuk do të japin votën “pro” qeverisë eventuale “Haradinaj”.
Sejdiu, në një intervistë për tesheshi.com tregon për takimet që AKR zhvillon me ambasadorët, se si duhet të veprojë presidenti Thaçi nëse PAN dështon ta bëjë qeverinë, si dhe për zgjedhjet lokale.
Intervistoi: Blendi Gashi
Sot u nënshkruat për herë të parë si deputet. Ç’ndjenjë është të jesh i zgjedhur nga populli?
Sot ju ktheva hollit të Kuvendit por me një përgjegjësi krejt tjetër, pra si i zgjedhur i popullit dhe ishte një ndjenjë jashtëzakonisht e veçant edhe pse ishte veç procedure administrative. Pavarësisht prej kësaj, për herë të parë u ndjeva si dikush që mbi supe ka zërin e të gjithë atyre që më kanë votuar dhe me qenë përfaqësues i tyre. Kështu që ndjenja po them edhe një herë është e veçantë, por në të njëjtën kohë e ndjeva edhe përgjegjësinë si anëtarë i legjislaturës së re.
Seanca konstituive do mbahet më 3 gusht. Përfundimisht, e voton apo jo AKR Kadri Veselin për kryekuvendar dhe Haradinajn për kryeministër?
Nga filimi AKR si subjekt ka qenë konsistent në qëndrimin e vet që ne të gjitha vendimet i marrim në kuadër dhe bashkërendim me partnerët tanë të koalicionit të gjërë pra me LDK-në dhe Alternativën. Pra qëndrimi ynë është se nuk e votojmë koalicionin PAN në formatin aktual, rrjedhimisht edhe nuk mund ta përkrahim për formim të qeverisë.
Nëse ndodhë e kundërta? Dihet se bashkëpartiaku juaj Labinot Tahiri ka dhënë shenja se do japë votën “pro”. A do ta ndëshkoni si parti dhe vendimi i tij a e lëkund koalicionin që keni me LDK-në?
Koalicioni të cilin jemi lidhur ne është mes subjeteve politike e jo deputetëve. Nuk ka asnjë indikacion se deputetët do të dalin jashtë qëndrimit të koalicionit dhe partisë dhe z. Tahiri ka thënë se nuk do të votojë ndryshe nga partia.
Po nëse z. Tahiri voton PAN-in do merr partia ndonjë veprim ndaj tij?
Nuk mund të përgjigjem në pyetje hipotetike sepse do ishte jo fer prej meje lidhur me pasosjat e një deputeti ose zyrtari të partisë.
Nëse z. Pacolli i afrohet posti i zv.kryeministrit dhe AKR-së ministritë që lidhen me zhvillimin ekonomik a do t’i thoni “PO” koalicionit PAN?
Çështja e bashkërendimit të forcave politie të AKR-së nuk është çështje e dikastereve që mund të udhëheq, por ka të bëjë me atë që mund t’i ofrohet më e mira qytetarit dhe Kosovës në përgjithësi. Qëllimi ynë ka qenë që t’i realizojmë opsionet më të mira për të ardhmen e vendit dhe kjo ka qenë vendimi për koaliconin LDK-AKR-Alternativa.
Rrjedhimisht përkundër ofertave që mund të vijnë ose mund të kenë ardhë në të kaluarën, unë besoj se edhe z.Pacolli edhe të gjithë të tjerët kanë qenë të qartë se nuk ka të bëj se çfarë oferte bëhet, por ka të bëj me kalim të egove politike.
Do të thotë AKR mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj pavarësisht ofertave nga PAN?
Pikërisht ajo.
Ju si AKR a keni zhvilluar ndonjë takim me ambasadorët. Nëse ata ua kërkojnë që të hyni në qeveri me PAN-in, cila do ishte përgjigja juaj?
Ne jemi vazhdimisht në takime me përfaqësuesit e shteteve mike që janë prezente në Kosovë. Këto takime mbahen edhe nga presidenti Pacolli por edhe nga të tjerët, dhe thënë të drejtën kemi hasur në bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe ata janë të hapur për çdo qeveri që formohet në mënyrë legjitime. Kështu ata presion nuk kanë bërë assesi, e respektojnë jashtëzakonisht vendimin dhe qasjen tonë.
Aleati juaj, z. Mustafa ka thënë se ju ka bërë të qartë ndërkombëtarëve se nuk hyn në koalicion me PAN-in. Çfarë nëse ju si AKR ju thërrasin në momentet e fundit dhe kërkojnë të bashkoheni me PAN-in?
Prapë ju po pyesni diçka hipotetike që unë shpresoj se nuk do të vije deri te ajo gjendje. Unë tash nuk mund të parashoh a do të ndërrojnë qëndrim ndërkombëtarët apo jo sepse to mund të flasin për vetevete, por mund të flas se deri sot kemi hasur në disa partnerë përkrahës për qëndrimet që i kemi. Ata (ndërkombëtarët) kanë thënë se kushdo që i ka numrat, pra kushdo që e themelon qeverinë në mënyrë legjitime e mbështesin.
Ne po shpresojmë qe me dështimin e koalicionit PAN, do të bëhemi pjesë e një koalicioni të madh pra mes nesh si koalicion dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Ju me profesion jeni jurist. Nëse PAN dështon ta formojë qeverinë, si duhet të veprojë më tej presidenti?
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i lë fatkeqësisht presidenti Thaçi një diskrecion të hapur lidhur me atë se kujt ja jep mandatin për herë të dytë për formim të qeverisë. Mirëpo vetëm pse ka diskrecion nuk nënkupton që mundet me u përdorë në mënyrë arbitrare, të paarsyeshme.
Nëse herën e parë dështon koalicioni PAN për ta themeluar qeverinë, atëherë një përdorim i diskrecionit në mënyrë të arsyeshme, jo arbitrare do të ishte që t’i ofrohej dikuj tjetër që ja dëshmon atij që i ka numrat duke i dërguar listë specifike me nënshkrime të deputetëve që janë të gatshëm ta formojnë qeverinë.
Çfarëdo përdorimi tjetër i këtij deskrecioni do të ishte jashtëzakonisht arbitrar dhe do të ishte në kundërshtim edhe me kompetencat që i ka si president.
A mund të tensionohet situata nëse Thaçi nuk vepron siç po thoni ju?
Them të drejtën të gjithë ne që kemi marrë pozita publike duhet të jemi shumë të kujdesshëm si e ushtrojmë detyrën dhe kompetencat që kemi, veçanërisht kur janë interesat e shtetit para interesave personale apo partiake.
Rrjedhimisht besoj se edhe presidenti në këtë rast nuk do të jetë shkaktarë i ndonjë krize eventuale politike sepse kjo do të dërgonte një mesazh të keq në mbarë botën. Kështu që përgjegjësia e të qenurit president, deputet e me radhë, është përgjegjësi e jashtëzakonshme që duhet të ushtrohet në përputhje me kompetencat, mbi të gjitha në përputhje me interesat e Kosovës, prandaj duhet pasur shumë kujdes se si ushtrohet ato.
Sot janë takuar z. Pacolli me kreun e VV-së Visar Ymeri. A jeni në dijeni se çfarë konkretisht kanë biseduar? A do ketë takime tjera në të ardhmen?
Nuk kam informata, me vonesë e kam parë këtë lajm. I kam pasur disa angazhime dhe nuk mbrrina që të konsultohem ende lidhur me këtë.
Për fund, një pyetje për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. A do të ketë AKR kandidat për kreun e Prishtinës apo do të mbështet ndonjë parti të caktuar?
AKR është në përgatitje e sipër të strukturës për zgjedhjet lokale. Ne do të vlerësojmë pozicionin tonë në secil secilën komunë dhe bazuar në fuqinë politike që kemi në komunat specifike do të bëjmë veprime që janë në përputhje me pozicionin tonë politik në një komunë të caktuar. Pra ajo që do të jetë më e favorshme për qytetarët e asaj komune do të veprojmë në atë mënyrë, qoftë duke garuar vet apo duke i bashkërenduar forcat tona politike.
Në Prishtinë, a keni zgjedhur ndonjë emër me të cilin mund të garoni apo jo?
Nuk kemi ndonjë vendim të prerë ende. Më shumë kemi punuar për konsolidim të strukturës në Prishtinë, por nuk ka ende ndonjë emër të përveçëm./tesheshi.com/