Qeveria e Kosovës është duke vajtur në një rrugë qorre pasi ka humbur fijen, dhe këtë e dëshmoj me arrestimin e deputetëve opozitarë. Kështu, thotë njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka, njëherit ish-deputet i Kuvendit të Kosovës në një intervistë dhënë për portalin tesheshi.com.
Ai e quan rast të paprecedent, dhe antikushtetues, suspendimin e opozitës nga Parlamenti, duke thënë se në mungesë të zërit opozitar, institucioni ligjvënës është jo demokratik dhe pa legjitimitet.
Ndërsa, paralajmëron se vendi po shkon drejt një revolte popullore antiqeveritare.
Intervistoi: Blendi Gashi
Si i vlerësoni zhvilimet e sotme në Kuvend?
Gjendja shoqërore politike e ekonomike tejet e pavolitshme në vendin tonë, është pasojë e qeverisjes inkompetente, e për të qenë e keqja edhe më e madhe e shkeljes së Kushtetutës, pikërisht, nga kryeministri, apo ai që është më i thirruri dhe më i përgjegjshmi për përfilljen e ekszekutimin konsekuent të saj.
Qeveria përkatësisht kryeminitri ka shkaktuar shkelje flagrante jo të një por të disa dispozitave kushtetuese edhe nëpërmjet parafrimit të marrëveshjeve kosovare malazeze për demarkacionin e kosovare serbe për asociacionin!
Veprimet aktuale të opozitës kuvendore në Kosovë janë pasojë e jo shkak i situatave tejet të pakëndshme që ndodhin kohë pas kohe.
Po arrestimet e deputetëve të opozitës. A duhet t’iu heqet mandati para se të arrestohen dhe ku e çon vendin një veprim i tillë?
Qeveria e Kosovës është panikuar nga dështimet e demaskuara e pakënaqësia e gjërë e popullit të Kosovës me të dhe së andejmi e ka humbur torruan duke vajtuar në rrugë qorre dhe aplikuar dhunë të paarsyeshme kundër qytetarëve përkatësisht deputetëve opozitare deri në burgosje të vazhdueshme edhe të deputëteve me mandate kushtetuese.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, sikundër cilido deputet i legjislativit në përgjithësi, gëzon imunitetin e nevojshëm për t’i ushtruar funksionet e përcaktuara me Kushtetutë në bazë të saj me ligjin për deputetin.
Deputetët opozitarë në kohë të fundit kanë aplikuar disa metoda e teknika, nga pamja e parë, ‘Prima Facie’, pak ca të vrazhda por esencialisht të imponuara nga ekzekutivi përkatësisht Qeveria arrogante, e papërfillshme e cila, ndër të tjera, jo rrallë herë e ka shkel Kushtetutën e të mos flitet për akte ligjore. Gjithësesi për t’u arrestuar deputeti paraprakisht justifikohet heqja e imunitetit ndryshe situata aktuale është kontradiktore referuar funksionit të imunitetit dhe arrestimit të paskrupullt përkitazi me të, imunitetin.
Me vendim të Kryesisë u suspenduan deputetët e opozitës. Cili është mendimi juaj?
Kuvendi i Kosovës paradoksalisht dirigjohet nga qeveria, gjë që do të duhej të praktikohej e kundërta. Për të qenë ironia sarkastike edhe më e madhe, koalicioni kuvendor i urdhëruar nga qeveria e suspendoi opozitën nga Kuvendi dhe ashtu pashmangshëm shkaktoi situatë të papresedencë për të keq e në disfavor të postulateve themelore të shtetit të së drejtës dhe të premisave të demokracive parlamentare.
Koalicioni PDK-LDK, ka kërkuar nga Kryesia që për një kohë të gjatë të përjashtoi opozitën nga Kuvendi. A parasheh Rregullorja një gjë të tillë, dhe a do të shkelej Kushtetuta nëse ndodh që për disa muaj opozita të suspendohet?
Kryesia e Kuvendit e diktuar nga qeveria, gjë që do të duhej të ishte e kundërta, në këto ditë e suspendoi opozitën parlamentare nga punimet në Kuvend. Akti i tillë është irritues, provokativ dhe në kundërshtim me Kushtetutën si dhe me praktikat e mira gjithandej. Ndryshe edhe po të ekzistonte bazë legale për një vendim të tillë i njëjti kurrsesi nuk do të justifikohej me asnjë premisë apo postulat politik e të mos flitet për moral.
Përjashtimi arbitrar i opozitës ‘En Bloc’, me vendim të Kryesisë nga seancat plenare jo që nuk ka mbështetje legale por nuk ka asnjë përkrahje nga shoqëria civile, intelektuale e aq më pak nga ajo demokratike.
Për të qenë situata politike në Qeverine e Kuvendin e Kosovës edhe më bizare , dy subjektet politike pozitare me numra relevant angazhohen që opozita të suspendohet për një kohë të gjatë. Nëpërmjet aktit të tillë Kuvendi i Kosovës nga struktura shumë partiake e politike virtuelisht do të shndërrohej në Parlament monist e për aq antidemokratik dhe ilegjitim.
Sa do të dëmtohej në këtë rast legjitimiteti i Parlamentit?
Tani më Kuvendi i Kosovës në përbërje të mangët, pa opozitën, automatikisht shndërrohet në Parlament antipluralist e për aq monist dhe antidemokratik, pa asnjë farë legjitimiteti, ndryshe, aq të nevojshëm.
Në teorinë e praktikat e demokracive parlamentare nuk mund të imagjinohet funksionim i legjislativit të cilitdo shtet pos të atyre moniste e antidemkratike pa opozitën aktive e të angazhaur.
Si e shihni zgjidhjen, apo po shkon vendi drejt një kaosi?
Kriza politike në vendin tonë, pashmangshëm, madje me fajin ekskluziv të kryeministrit Mustafa, do të përshkallëzohet deri në përmasa të revoltës popullore antiqeveritare.
/tesheshi.com/