Raportuesi për Shqipërinë në PE, eurodeputeti Knut Fleckenstein, ka përcjellë mesazhin e radhës mospajtues me rrugën e zgjedhur nga opozita për të dalë jashtë sistemit, me aktin e djegies së mandateve.
Në një prononcim për ATSH-në, pas një komenti kritik për shfaqjen e dhunës në protestat e opozitës, diplomati gjerman e ofroi zgjidhjen në tre pika, ku asnjëra prej tyre nuk merr parasysh kushtet e opozitës.
“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që asgjë nuk duhet ta pengojë Shqipërinë në rrugën e saj për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Për këtë them se protestat janë të rëndësishme dhe një element thelbësor i shoqërisë demokratike, por ato duhet të jenë paqësore. Dhe politikanët që u kërkojnë njerëzve të bëjnë protesta të dhunshme nuk janë produktivë në këtë drejtim.
Duhet të ketë një dialog konstruktiv mes njerëzve, opozitës dhe qeverisë, kështu që Bashkimi Europian kupton se Shqipëria është gati dhe e maturuar si duhet për t’u përballuar me pritshmëritë e mëdha dhe kushtet në procesin e anëtarësimit.
Këshillat e mia janë pra të thjeshta: 1. vazhdoni me reformat. 2. për parlamentin: ktheju punës! 3. Mos keqpërdorni lirinë për të demonstruar duke kryer akte të dhunshme dhe as mos i merrni në konsideratë raste të tilla”, tha Fleckenstein.
Eurodeputeti ndodhet në Tiranë së bashku me kolegë të tjerë, në një përpjekje për të negociuar krizën shqiptare. /tesheshi.com/