Në një fjalim të gjatë në parlament, ku si kryefjalë pati aktin e paprecedentë të presidentit Meta për të ç’dekretuar datën e zgjedhjeve, kryeministri Rama vlerësoi paraardhësin Nishani në Presidencë, duke thënë se ai kurrë nuk e vuri Kushtetutën në shërbim të partisë.
Presidenti Bujar Nishani dy vite më parë na e kërkoi me firma atë shtyrje një javë brenda afatit kushtetues, e cila hyri në fuqi kur letra shkoi e firmosur. Nishani sado që i shkonte partisë pas avazit, asnjëherë nuk e vuri firmën e tij politike në favor të asaj partie. U desh të bëhej president Ilir Meta që edhe Nishani i cili ka qenë presidenti më mediokër e më paertiak, të kujtohej për mirë”, tha Rama.
Sipas tij, e gjitha sapo luhet është një skenar nga dyshja Berisha – Meta, e cila ka për qëllim zhbërjen e Reformës në Drejtësi.
“Pse Meta e bëri këtë ndërhyrje antikushtetuese?
Nuk është kërcënim vetëm për Republikën parlamentare por për logjikën njerëzore. E bëri pikërisht atë ditë kur SHBA dënuan dhunën duke treguar me gisht Bashën dhe Kryemadhin si përgjegjës.
E vërteta e dalë nga ky akt marrëzie është se veprimi i Metës nuk ishte një rrufe në qiell të pastër por një hap për të marrë peng jetën demokratike të vendit dhe për të minuar rrugën drejt BE.
Berisha dhe Meta kujtojnë se mund të më largojnë mua me molotovët e Lulit dhe filxhanët e Monikës por e kanë gabim. Këta janë instrumente në duart e tyre. Dy ustallarët e rrëmujës dhe intrigave e kanë qitjen më të largët. Unë jam shënjestra që dukem, koka që i duhet turmës për ta sjellë në bulevard, iluzioni që i duhet artistit dhe fallxhores, ndërsa preja nuk jam unë por Shqipëria. Katër aventurierë që duan të ndalin shtetbërjen. Doni të dini si do të ishte Shqipëria e tyre, shikoni ata. Doni që Shqipëria t’i ngjajë atyre të katërtëve”, deklaroi Rama.
Shefi i qeverisë, edhe njëherë nuk e vuri në diskutim faktin se zgjedhjet me 30 qershor do të bëhen.
“E pranojmë si të keqen me të vogël zgjedhjen e atyre që na lënë me një kandidat në këtë bashki. Duke shkuar në zgjedhje me këtë dhimbje koke nga arratisja e opozitës ne nuk garantojmë dot larminë e plotë pluraliste të zgjedhjeve. Produkti i zgjedhjeve do jetë një hartë elektorale pothuasje 100% e purpurt nëse nuk do ketë ndonjë surprizë tek-tuk.
Por kjo nuk ndodh se nuk na pëlqen neve të mos ketë garë në çdo bashki, dhe as se ka ndonjë plan totalitarist. Nuk është plani ynë ky, ky është plani i tyre. Ne duhet ta pranojmë realiteti si është për të mos rënë në kurthin dritëshkurtësisë nga meraku se qëndrimi në proces na bën bashkëfajtorë për shkak të zgjedhjes njëngjyrëshe. Jo aspak!”, u shpreh kryeministri. /tesheshi.com/