Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Banka Gjermane kfw firmosën një marrëveshje financimi, për projektin e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Të pranishëm në ceremoni ishin ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ambasadorja gjermane, Susanne Schütz dhe i ngarkuari me punë i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Jan Rudolf.
Ministri Gjiknuri tha se kjo linjë nuk ishte arritur ende për arsye politike. “Një nga investimet e rëndësishme ka qenë linja me Kosovën dhe kfw ka qenë një pioner e mbështetjes për forcimin e rrjetit elektroenergjitik. Për arsye politike, kjo linjë akoma nuk është vënë në funksionim megjithë lobingun e përpjekjet tona. Përfitoj nga rasti dhe jam i sigurtë se edhe kryeministri Rama do ta trajtojë në Berlin kur të takojë kancelaren Merkel, sepse na duhet që ky proçess të përfundojë siç duhet dhe kjo linjë të jetë funksionale. Bllokimi dëmton marrëdhëniet, por mbi të gjitha dëmton integrimin e rrjetit energjitik siç dëshiron edhe vetë Bashkimi Evropian”, u shpreh ministri.
Duke ju referuar linjës me Maqedoninë, ai tha se do të jetë një gur kilometrik për formimin e tregut energjitik. “Shqipëria po bën hapat e saj për krijimin e Bursës së Energjisë dhe liberalizimin e tregut, por pa investime konkrete, mbeten në letër. Jam i lumtur se progresi në sektor me mbledhjen e faturave, reduktimin e faturave, formalizimin e sektorit dhe ndërmarrjen e reformave ka bërë të mundur që të shtohen investimet”, theksoi Gjiknuri.
Ambasadorja gjermane deklaroi se sektori energjitik është një nga sektorët kyç të bashkepunimit financiar gjermano-shqiptar, për të cilin qeveria gjermane ka angazhuar më shumë se 270 milionë euro, që nga viti 1998.
“Për momentin, Kfë siguron financime për një gamë të gjërë projektesh, duke përfshirë këtu linjën e transmetimit 400 KV midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, linjën e transmetimit 400 KV midis Shqipërisë dhe Kosovës, linjën unazore 110 kV në jug të Shqipërisë, masa të lidhura me efiçencën e energjisë në ndërtesat publike, rehabilitim efiçent nga ana e energjisë të konvikteve studentore të Qytetit Studenti I dhe II”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, administratori i OST-së Engjell Zeqo deklaroi se projekti, si pjesë e infrastrukturës së korridorit të 8-të evropian përmirëson sigurinë e furnizimit me energji elektrike në rajon dhe veçanërisht për 2 vendet.
“Me këtë investim do të maksimalizohen përfitimet dhe do të minimizohen kostot financiare për sigurinë e shërbimeve që ne do të ofrojmë për tregun e energjisë elektrike”, nënvizoi Zeqo.
Në total huaja e butë e bankës gjermane Kfw për këtë projekt arrin në 50 milion Euro. Në pikpamjen strategjike, projekti përforcon lidhjet interkonektive me rajonin, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën jugore të Shqipërise, dhe si pjesë e infrastrukturës së Koridorit të Tetë Evropian krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabllit nënujor me Italinë. Krijohen kushte për lidhje në rrjetin e transmetimit të burimeve të reja (TEC me gaz në zonën Fier – Vlorë me përfundimin e projektit TAP dhe burimeve të rinovueshme diellore dhe me erë).
Inkurajon zhvillimin ekonomik të rajonit jugor dhe të gjithë Shqipërisë për shkak të furnizimit më të mirë me energji elektrike. Gjithashtu, reduktohen humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit. Parashikohet që punimet të fillojnë në vitin 2017, ndërsa projekti të përfundojë në vitin 2019./tesheshi.com