Veprimi i Shkupit synon dhënien fund të kundërshtisë greke dhe një hap për t’i bërë ballë ndërhyrjes ruse në Ballkan
Maqedonia do të marrë në konsideratë propozimet e reja për një emër të përkohshëm apo tranzit në përpjekje për të zhbllokuar kundështinë greke ndaj anëtarësimit të saj në NATO, tha ministri i Brendshëm maqedonas. Anëtarësimi në Aleancë do të ndihmonte në qetësimin më të gjerë të rajonit të Ballkanit, pas muaj të tërë tensionesh politike që me raste kaluan edhe në gjakderdhje. Kështu do të jetë deklarata e Nikola Dimitrov kur ai të takojë zyrtarët e lartë të NATO-s, në Bruksel.
Dimitrov ndërkaq, siç raporton “Financial Times” mendon se është ende herët të diskutohet ndonjë propozim për një emër specific, mirëpo ai pritet të takohet të mërkurën me ministrat grekë për të rikthyer besimin midis dy shtetev fqinje pasi Athina vendosi veton ndaj aplikimimit të republikës Ballkanike për t’u anëtarësuar në NATO në vitin 2008.
“Do t’i kërkoj Greqisë të rimarrë në konsideratë faktin se çfarë lloj fqinji dëshiron –a duan një vend të qëndrueshëm dhe miqësor që ofron shpresë për Demokraci dhe Drejtësi?”, tha ai në një intervistë. “Nëse ne jemi fqinjë të mirë, atëherë ka shpresë se forcat politike në Greqi do ta kuptojnë se kjo përbën një mundësi historike”.
Maqedonia, e cila e quan veten Republika e Maqedonisë, i tërbon grekët të cilët besojnë se emri përbën pretendim territorial nga provincës veriore greke me të njëjtën emër. Ish-kryeministri Nikola Gruevski, krijoi edhe më shumë antagonizëm me Greqinë duke i riemërtuar aeroportet dhe autostradat me emrin e Aleksandrit të Madh, luftëtarit të lashtë grek që nga partia e tij imagjinohet të jetë heroi kombëtar i Maqedonisë së sotme.
Ndryshimi i emrit ka dalë disa herë në sipërfaqe në të kaluarën dhe sugjerime të mëparshme për emrin e ri ka qenë edhe ai i Republikës së Sipërme të Maqedonisë. Vendi u pranua në OKB si ish-republika Jugosllave e Maqedonisë por prova të ndërhyrjes ruse në Ballkan kanë nxitur vendosmërinë e Perëndimit për të sheshuar konfliktin dhe për të shtrirë anëtarësinë e NATO-s. Mali i Zi u bashkua me Aleancën më 5 qershor, pas një grushti të dyshuar shteti të mbështetur nga Moska, e cila nga ana e vet ka hedhur poshtë pretendime të tilla.
Analistë perëndimore thonë se progresi në anëtarësimin në NATO do ta ndihmonte gjithashtu, qeverinë e re të Maqedonisë për të sheshuar ndasitë politike që zyrtarët e BE-së kanë kërkuar gjithë këto kohë të negociojnë, tashmë prej gati 2 vjetësh. “Qeveria e re ka nevojë të ketë rezultate dhe asgjë nuk do të ishte shenjë më e sigurtë suksesi sesa marrëveshja në konfliktin për emrin”, thotë Florian Bieber, ekspert i shkencave politike në Universitetin e Gracit.
Qeveria greke e Syrizës e ka përshëndetur qeverinë e re të Shkupit si një partner më bashkëpunues sesa paraardhësja e saj fuqimisht nacionaliste dhe zyrtarët i pritën mirë komentet e Dimitrov. “Ka baza të mira tani për më shumë optimizëm për çështjen e emrit, dhe ne shpresojmë të kemi progress kur ministrat tanë të Jashtëm të takohen në Athinë, javën e ardhshme”, tha një zyrtar grek.
Por, ai përjashtoi caktimin e një axhende për arritjen e kompromisit: “Kjo është një çështje që ka qenë në tryezë për më shumë sesa dy dekada dhe do të ishte e nxituar të bënim ndonjë parashikim”.
Ministri Dimitrov tha se çdo emër i ri do të ishte subjekt i miratimit në referendum dhe se qeveria e Shkupit do të kërkojë konsesus mbi palët përpara sesa të shkonte në votim. Ai shtoi se marrëveshja, që disa analistë besojnë se mund të arrihet brenda vitit, do të ndihmonte në tejkalimin e thirrjeve për riformatimin e hartës politike të rajonit që do të rrezikonte hapjen e konflikteve shpërthyese politike dhe etnike.
“Ballkani nuk është një vend shumë i lumtur: në shumë vende, njerëzit ndjejnë se ka mundësi të ndryshojnë statusin e marrëveshjeve të pasluftës në Jugosllavi”, tha ai. “Duke mirëpritur Maqedoninë, NATO do të kishte një ndikim qetësues në rajon”.
Në kontrast, zyrtarët e Syriza-s, partisë qeverisëse greke, nga e majta internacionaliste, flasin hapur për të rënë dakord për një emër tjetër të zgjedhur nga vetë Maqedonia. Por, në qeveri, kryeministri Aleksis Cipras, duhet të jetë i kujdesshëm. Partneri i tij i koalicionit, partia e vogël e krahut të djathtë, Grekët e Pavarur, është nacionaliste e ashpër.
“Eshtë vështirë të jesh optimist për një zgjidhje kur merr në konsideratë se retorika nacionaliste është apeli i Grekëve të Pavarur për votuesit e tyre”, thotë Thanos Veremis, profesor emeritus i historisë në universitetin e Athinës. “Ka gjithashtu një fraksion të heshtur nacionalist edhe brenda Syriza-s që duhet të llogaritet”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/