Sipërmarrësja Arjeta Puca, që prodhon makina në fabrikën e saj në Shqipëri dhe është përzgjedhur nga OKB për të prodhuar 500 autoambulanca që do të dhurohen për Ukrainën ishte e ftuara e kryeministrit Edi Rama në episodin e 6-të të Podcastit “Flasim”.
Puca prodhon makina në të dalë të Tiranës dhe makinat e saj shkojnë për urgjencën, për të plagosurit e luftës në Ukrainë, për urgjencën spitalore apo Urgjencën Kombëtare Shqiptare, për Forcat e Armatosura dhe ato zjarrfikëse.
Së fundmi, Puca mori pjesë edhe në një garë të Kombeve të Bashkuara në Serbi për 8 zjarrfikëse, të cilën e fitoi.
Duke e cilësuar veten si një një vajzë shqiptare, që e do vendin, Arjeta shprehet se “është një vajzë feministe, rebele, punëtore dhe që e do familjen”.
E lindur në Bulqizë, Arjeta Puca është larguar në moshën 4-vjeçare së bashku me familjen për në Turqi në vitin 1991.
“Pastaj jemi kthyer për pushime në ‘96-ën dhe ishte një ndjesi shumë e bukur dhe kur erdha në Shqipëri, thosha: kur do vijë ajo ditë që do kthehem në Shqipëri dhe do jetoj vazhdimisht aty”, rrëfen ajo.
Duke treguar për pasionet e saj si boksi dhe motori, Puca shprehet se “pasi mora patentën edhe e nisa me motorin dhe aq shumë e pëlqeva dhe kam udhëtuar në shumë vende. Kam ikur në Afrikë, në Amerikën e Jugut, së fundi kam qenë në Marok, duke bërë solo trip me motor. Gjithashtu më pëlqen dhe motori në mal kështu që jam regjistruar edhe në garën Rally Albania sivjet”.
Pyetjes së kryeministrit Rama se si filloi pasioni për makinat dhe për zhvillimin e sistemeve për të ndërtuar makina, Puca iu përgjigj se “edhe babai im ka qenë usta hidrauliku kur ishim në Turqi dhe çdo fundjavë më merrte te puna dhe shikoja mjetet, pjesët hidraulike dhe kështu mu fut pasioni i mjeteve. Pastaj edhe vetë babai hapi një dyqan me gjithë mamin. Nga mësues muzike, usta hidraulik dhe pastaj hapi dyqanin, më lanë të dy punën pas 15 vjetësh emigrim dhe pas universitetit, unë punoja aty. Kështu që vazhdimisht isha me makina dhe më pëlqente pjesa e makinave, tej mase shumë”.
“Çdo vit ne thonim që do ktheheshim një ditë në Shqipëri dhe kështu për gati 25 vjet. Dhe pashë që mami e babi nuk merrnin dot vendimin. Unë thashë, u bë si rreth vicioz dhe fiks kur bëra 30 vjeç, bëra ditëlindjen dhe u ktheva në Shqipëri. Thashë unë do kthehem dhe njëherë mendova që mund t’i shes mjetet qe i kemi tek kompania turke, por pas dy vitesh më doli një projekt ambulancash dhe punuam me një kompani dhe ajo kompani e la në mes projektin po fatkeqësia u bë fat për mua dhe mësova si bëhet ambulanca se edhe vetë jam inxhiniere. Edhe fillova të bëja ambulancat se klientët vinin me kërkesa prapë me ambulanca. Pas ambulancës erdhën më kërkesa makina të tipit policie, berberhane, më projekte të çuditshme dhe me të gjitha thoja po, i studioja. Bashkëpunoj me specialistët, kështu që fillova të prodhoj. Është edhe punë iniciative”, nënvizoi Puca.
Sipërmarrësja Puca tregoi se ka punuar me mjete në Bosch në Gjermani dhe Bosch në Japoni.
“Në Gjermani kam bërë pjesën e display-t dhe disa software për ndjekjen e makinave. Në Japoni kam punuar për Electric Control Unit të mjeteve. Mua shumë herë kur kam ardhur në fillim në Shqipëri ma kanë thënë: të gjithë njerëzit do të thonë që nuk bëhet. Dhe unë e mora si me shaka dhe po që ditën e parë që ika te noterja, hapa kompaninë, më tha “Bravo, por nuk do të ecë puna” dhe u çudita, mu duk me të vërtetë si shaka. Këtu më shumë ishte kjo pjesa, vazhdimisht më pyesnin pse u ktheve, nuk ka për ecur. Dhe kur dëgjonin që kam qenë dhe në Gjermani “Pse nuk i bëre letrat në Gjermani, por erdhe në Shqipëri? Unë thoja “Unë kam kompani këtu, ju thoni të shkoj në Gjermani dhe të punoj punonjëse, nuk e kuptoj logjikën”. Vazhdimisht këto pyetje dhe isha vërtet e befasuar. Kishte disa pyetje që preferonin që të kesh kompaninë tënde, të jesh te shteti jot, por të ikësh të punosh në Gjermani për shembull. Më dukeshin shumë të çuditshme, por që po e ndryshoj mendimin e atyre se e shikojnë që është më mirë të rrish këtu dhe të bësh një gjë”, tha Puca.
Rama vlerësoi që në fabrikën e Pucës kishte punëtore vajza.
“Po pastaj për të gjetur të tjerët rreth teje që krijove stafin, more punonjësit sepse pjesa tjetër që mua më la pa fjalë ishte që në fabrikën tënde nuk shikoje punonjës me barrën e jetës mbi supe, burra me duart me kallo, por shikoje ca vajza që dukeshin si flutura”, tha Rama.
“Vajzat janë dhe më detajiste, e bëjnë punën dhe më të pastër. Gjithashtu edhe bashkohet dhe me filozofinë time në punë. Kështu që bashkëpunojmë shumë me vajzat dhe duam ta bëjmë më shumë pjesën që të marrin pjesë tek saldimi, torno, t’i kemi të gjitha vajza aty”, tha Puca.
Rama theksoi se “në gjithë këtë që përshkrove rreziku është që të duket sikur jeta jote kaq qenë një fushë me lule. Ke bërë futboll amerikan, ke shëtitur me motor gjithë botën, ke bërë boks me grushte e me shkelma, je bërë pronare e një kompanie, prodhon, shet edhe gjithçka shkon në rregull. Por me siguri ka pasur momente kur grushtet nga jeta i ke ngrënë ti”.
“Nuk ka qenë fare fushë me lule dhe akoma nuk mendoj që është. Por normalisht që po e bëjmë aq sa duhet. E para e punës të jesh në emigrim është hall më vete dhe kjo. Kur kam qenë në Turqi, duke punuar unë vazhdimisht nga shkolla kam ikur, duke punuar deri në 3 të natës. Kështu që, kam qenë vazhdimisht me sakrifica. Edhe verës kur kam bërë këto punët, të gjithë kur kanë qenë në plazhe, unë kam qenë duke bërë praktikë, gati asnjëherë s’kam bërë pushime. Gjithë jeta ime ka qenë punë, në fakt. Dhe në Shqipëri kur erdha, imagjinoni kam qenë 30 vjeçe. Nuk e dija shqipen gati fare dhe s’kisha asnjë shoqe. Isha komplet e izoluar, vetëm edhe po mundohem të bëj biznes, network, të krijoj gjëra të reja, të mësoj gjuhën. Të gjitha këto dy-tre vjet ka qenë shumë e vështirë vetëm. Gjithashtu edhe pjesa 2020 për mua ka qenë tmerrësisht e vështirë”, theksoi Puca.
E pyetur nga Rama se çfarë mendon për ata që thonë se: “Në Shqipëri nuk jetohet, në Shqipëri nuk ka bukë, në Shqipëri duhet ik një orë e më parë, Shqipëria është e mbaruar, s’ka asnjë shans. Çfarë i thua ti?”
“Kam 5 vjet që jetoj këtu, jam tepër e lumtur. Kam parë dhe shumë shtete të tjera, secili ka problemet e veta, nuk ka ndonjë shtet pa probleme. Unë për vete, personalisht, lumturinë që kam gjetur në Shqipëri nuk e kam gjetur në asnjë shtet, se nuk është thjeshtë një gjë, janë shumë gjera që ty të bëjnë të lumtur”, theksoi Puca.
Duke iu përgjigjur pyetjes së kryeministrit Rama se çfarë mund të bëjë ai që Arieta të prodhojë makinë të markës shqiptare, Arjeta Puca u shpreh se “mendoj që duhet një studim fizibiliteti për këtë. Mund ta prodhojmë. Mund të prodhojmë komplet mjetet tona, nga fillimi deri në fund”.
Rama tha se “ne si Shqipëri, por përmes teje dhe meje, ti në timon dhe unë duke shtyrë nga mbrapa mund të kemi një fabrikë, që, jo vetëm bën prodhime si sot të gjithë këtyre mjeteve që janë manufacturing, por që bën dhe prodhimet e veta ‘bio’. Nga A-ja te Zh-ja?!”. /atsh/