Alberto Livadiotti endet nëpër dhjetra fotografi të vjetra, disa bardh e zi dhe disa me ngjyra, ndërsa vajza e tij e vogël luan qetësisht me Stelën, një mace e përkëdhelur, në dyshemenë e banesës së tyre në shpatet perëndimore të Catanias, në Siçilinë lindore.
Alberto pi kafe turke. Atij i bashkohet gruaja e tij, Rasha, në dhomën e ndenjes të banesës, e cila është zbukuruar me nargjile dhe llamba orientale me mozaikë shumëngjyrësh, për të parë së bashku albumin familjar.
“Ja, ky është babai juaj kur ai ishte në moshën tuaj,” thotë Alberto, duke përqafuar butësisht vajzën e tij 6-vjeçare Fayer., ndërsa tregon për një foto të vetvetes si një djalë i ri me veshje tradicionale siriane. Fotografitë e përhapura në tryezë tregojnë historinë e kohërave më të lumtura në vendlindje, në Siri, para luftës civile që shpërtheu në vitin 2011 dhe ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e tyre të jetës.
Megjithëse mban një emër italian, Alberto, 50 vjeç, lindi dhe u rrit në periferi të Damaskut. Para se të mbërrinte si refugjat në Itali me familjen e tij në verën e vitit 2014, ai nuk kishte asnjë lidhje me kulturën italiane; as gjuhën nuk e dinte e as kishte shkelur në tokën italiane.
Por ai ishte krenar për nënshtetësinë italiane që e kishte trashëguar nga gjyshi i tij Alfonso; një trashëgimi që Alberto gjithashtu ua kaloi pesë fëmijëve të tij.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Alfonso Livadiotti, një çifut nga Siçilia, gjeti strehë në Siri i ikur nga regjimi fashist italian. Si miliona sirianë që gjatë nëntë viteve të fundit rrezikuan jetën e tyre për të arritur sigurinë në Evropë, 80 vjet më parë, mijëra refugjatë evropianë udhëtuan në të njëjtat rrugë në drejtim të kundërt.
Ka pak informacion mbi jetën e Alfonsit në Itali përpara se ai të ikte në Siri. As Alberto dhe nëna e tij Rena nuk e takuan kurrë Alfonsin, i cili vdiq para se të takoheshin prindërit e Albertit.
Që nga viti 1942, Agjensia Britanike për Administratën e Ndihmës së Refugjatëve në Lindjen e Mesme (MERRA) ka punuar me kampe refugjatësh në të gjithë rajonin arab, duke vendosur rreth 40,000 njerëz në kampe në Siri, Egjipt dhe Palestinë.
Rena Cheropoulos, nëna e Albertit, kujton një shoqëri arabe gjithëpërfshirëse që priti prindërit e saj të krishterë ortodoksë nga Greqia në vitet 1940, së pari si refugjatë në Bejrut dhe më vonë në Damask.
“Evropa dhe Siria nuk ishin aq të ndryshme në atë kohë,” thotë ajo me trishtim. Një grua 69-vjeçare me plot vitalitet, Rena është ruajtësja e kujtimeve të venitura familjare.
Burri i saj i ndjerë dhe babai i Albertit, Giuseppe Livadiotti, dikur i tha asaj se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Alfonso ra në dashuri me Damaskun, pasi aty u dashurua me një refugjate nga Jugosllavia me origjinë të krishterë-hebreje. Romanca e tyre u kthye në fillimin e një jete të re në Lindjen e Mesme. Kur lindi djali i tyre Alberto, ai u regjistrua si italian si një formalitet, dhe me kalimin e kohës familja u bë një pjesë integrale e mozaikut etnik të shoqërisë siriane.
Rena ishte një adoleshente në vitin 1967 kur u martua me Giuseppen, një të dashur nga një lagje me rrënjë italiane, në Siri. Por historia e tyre e dashurisë ishte e shkurtër, pasi ai vdiq nga sëmundja e zemrës vetëm disa muaj pas lindjes së Albertit, duke lënë Reno një të ve në moshën 19 vjeç. Alberto ishte fëmija i tyre i vetëm.
Një telefonatë për shpëtimin e jetës
Giuseppe Livadiotti nuk mund ta dinte që trashëgimia e tij do të ishte shpëtimi për psaradhësit e tij të ardhshëm 40 vjet më vonë. Kur trazirat civile u shndërruan në një konflikt të armatosur në vitin 2012, Alberto mori një telefonatë nga ambasada italiane në Damask, para se të pezullonte operacionet. Stafi i ambasadës i tha që ata po përgatiteshin të evakuonin shtetasit italianë dhe e pyetën nëse ai dhe familja e tij donin të largoheshin nga vendi. Të gjithë të regjistruar si italianë morën këtë ftesë; por ndërsa për shumë të tjerë kjo nënkuptonte kthimin në shtëpi, për Alberton kjo do të thoshte të bëhesh refugjat. Si rezultat, ata vendosën të qëndrojnë.
“Siria është shtëpia jonë e vetme,” thotë Alberto. “Ne nuk donim të shkonim në një vend që nuk kishim qenë kurrë më parë. Ne menduam se qëndrimi në Siri ishte vendimi më i mirë”.
Por ndërsa kaluan muajt, lufta po afrohej, duke marrë një dëm të madh për shëndetin mendor të familjes.
“Fëmijët qanin gjatë gjithë natës”, thotë Rasha Hamed, gruaja e dytë e Albertit, e cila në vitin 2013 e gjeti veten shtatzënë shpërthente një bombë rreth shtëpisë së tyre afër kryeqytetit. “Si baba dhe si burrë, përparësia ime ishte t’i mbroja ata me çdo kusht”, thotë Livadiotti.
Gjashtë muaj pasi Rasha lindi të dytin e dy fëmijëve, dhe dy vjet pas një telefonate nga ambasada, Alberto shiti gjithçka mundi, morri para hua dhe e çoi familjen me autobus për në Liban. Nëna, gruaja dhe fëmijët ishin me të, duke përfshirë tre nga martesa e tij e parë. Ata kaluan disa muaj në Bejrut, ndërsa ambasada italiane miratoi dokumentet e udhëtimit për Rashan, i vetmi anëtar i familjes pa shtetësi italiane. Pasi u gjetën rrënjët e kësaj familje në Catania të Siçilisë, ata sugjeruan nga ambasada të shkonin atje.
“Asnjëherë nuk kemi dëgjuar për këtë qytet”, thotë Rasha. “Ne as nuk e dinim me siguri se nga ishte Alfonso, sepse shumë nga detajet historike të familjes ishin zhdukur me kalimin e kohës.”
“Por kjo ishte e qartë në regjistrat e ambasadës,” shton burri i saj, duke ia marrë dorën. “Ishte një mënyrë e pazakontë për të zbuluar origjinën time. Por ne pranuam propozimin e ambasadës dhe u kthyem atje ku filloi historia e familjes sonë “.
Një fillim i ri
Ishte një ditë me mjegull më 13 gusht 2014, kur Livadiotti zbarkoi në Aeroportin Ndërkombëtar të Catania spërmes Romës. Edhe pse shumica e sirianëve shkuan në veri drejt Gjermanisë ose Skandinavisë atë vit, ata ishin ndër të paktët që shkonin drejt jugut.
Kur mbërritën, qyteti dukej i shkretë, pasi mesi i gushtit ishte një sezon pushimesh për shumicën e italianëve. “Ne nuk ishim të njohur me kulturën italiane, kështu që përshtypja e parë ishte ajo se ku përfunduam”, kujton Rasha duke qeshur.
Alberto shpjegon se të gjesh veten pa kontakte lokale ose njohuri të italishtes, ishte si të mësosh të ecësh përsëri. Kur filluan të kërkojnë një apartament, askush nuk donte t’u jepte atyre një sosh, sepse ata tani shiheshin si të huaj të papunë.
Kjo situatë bëri që Rasha të kuptojë paradoksin e statusit të tyre. “Ne ishim italianë, po, në letër. Në praktikë, ne perceptohemi si refugjatë nga Lindja e Mesme “.
Pasi ecnin derë më derë për një javë, duke u interesuar për një shtëpi, më në fund gjetën një apartament me tre dhoma gjumi në skajin perëndimor të qytetit. Ky është i njëjti apartament që ata kanë me qira edhe sot. Si të porsaardhurit pa referenca, për të siguruar besimin e qiradhënësit, ata duhej të paguanin qiranë për një vit.
Pesha e jetës në luftë, pritja nervoze në Liban dhe pasiguria për të ardhmen në Siçili, filluan të jepnin efekte netative për Albertin. Pas mbërritjes ai pati një sulm në zemër. Kjo familje filloi të mbështetet shumë te besimtarët që flisnin arabisht, pasi u takuan në një xhami lokale.
“Ne u jemi mirënjohës atyre njerëzve që na ofruan ndihmë gjatë kohërave të tilla të vështira për ne,” thotë Rasha.
Sot, të gjithë anëtarët e familjes flasin në mënyrë të përsosur italisht. Si italianë, ata kishin të drejtën e mbështetjes shtetërore kur arritën, por gjetën ndihmë më sxë shumti në komunitetin musliman.
Kjo dhe nga fakti se 20 vite më parë, Alberto ishte bërë musliman.
“Ne jemi të gjithë vëllezër në komunitetin tonë, nuk bëjmë ndryshim në përkatësi etnike dhe përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin,” shpjegon Abdelhafid Kheit, një imam në xhaminë e Catanias. Kur dëgjoi për shëndetin e dobët të Albertit, Kheit i dha atij ilaçe, mbështetje shpirtërore dhe një mundësi për të punuar.
Gati gjashtë vjet pas mbërritjes së saj, familja Livadiotti më në fund ndjen se ajo ka rigjetur kontrollin e jetës së saj. Me kalimin e kohës, ata kanë rreth vetes një rrjet vendasish që kujdesen për ta dhe që nuk i quajnë më refugjatë por miq dhe fqinj.
“Nuk ka asnjë arsye për t’u rikthyer në Siri tani”, thotë Rasha.
Italia mund të jetë shtëpia e tyre e re, por Siria është ende e pranishme në shtëpinë e tyre, sidomos me foto. “Ne dëshirojmë që fëmijët tanë të mos harrojnë origjinën e tyre, kështu që ne vazhdojmë t’u tregojmë atyre histori rreth Sirisë. Por tani, vetëm ato pozitive,” thotë Rasha. /tesheshi.com/