Një video llahtarë po bëhet virale në media, ajo ku një grup nga fisi Rraja në Fushë Krujë rrahin dhunshëm dy vellezër, të cilëve gati sa nuk u marrin jetën. Që të dy janë tashmë në spital ku po kurohen nga plagët e rënda, të cilat i çuan deri në humbje ndjenjash.
Raportohet paraprakisht se është fjala për ankesën e dy vëllëzervë ndaj shpërthimeve në një gurore të Krujës, pronë e Rrajave, pas së cilës ka ardhur ndëshkimi prej këtyre të fundit, ku ajo që shfaqet në video nuk është thjesht dhunë momentale, por tregues i një Far West-i në zemër të Shqipërisë, ku Rrajat bëjnë ligjin.
Prej kur PS ka ardhur në pushtet, Rrajat janë bërë lajm e kryelajm i çështjeve të rendit në Fushë Krujë. Një emër tyre, Ramazan Rrahja, u zgjodh deputet i të majtës. Dhe ka qenë mëse ashiqar fakti se ata kanë marrë forcë e pushtet në zonë që pas ardhjes së PS-së në pushtet.
Pamjet e rrahjes, të cilat për arsye etike nuk mund të publikohen, e tregojnë më së miri këtë. Është ndër ato zhvillime që duhet të sjellin tërmet në rend në mos në qeveri. Është një “mbushje kupe” në një zonë që duket se shteti nuk e kontrollon dot, nisur nga fakti i ngjarjeve të rënda të herëpahershme aty, ku jo në pak raste ngrejnë krye Rrajat.
Nëse 20 e kusur vite më parë ishte Tropoja, gjithsesi në cepin më verior në vendit, tashmë është Fushë Kruja, 10 minuta larg nga Tirana, e cila nuk bëhet dot zap. Më saktë, nuk bëhen zap ata që bëjnë ligjin aty, gjë që e tregon videoja e papërballueshme. /tesheshi.com/