Në prag të 1vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, prindërit e tij Xhemile dhe Avni Dehari së bashku me avokatin Tomë Gashi kanë mbajtur një konferencë për media.
Aty është bërë thirrje edhe njëherë që të jepet mundësia Institutit Zviceran që të hetojë mbi të vërtetën e vdekjes së Astrit Deharit, ish-aktivist i Vetëvendosje-s.
Avokati Tomë Gashi ka thënë se ai dhe famija Dehari besojnë në një ndjeshmëri më të madhe të kryeministrit aktual Ramush Haradinaj rreth këtij rasti, prandaj presin mirëkuptimin nga ai që të mundësojë që të një Institut Zviceran të hetojë tutje për vdekjen e Deharit. Ai ka thënë se rezultatin e këtij instituti do ta pranonte familja Dehari.
I ati i Astritit, Avni Dehari, ka thënë se ndonëse për ta është shumë e qartë se çfarë ka ndodhur, ata do t’i besonin çdo rezultati që del nga Instituti Zviceran.
“Për neve është shumë e qartë se çfarë ka ndodhur, Astriti është i vrarë, për këtë flasin shumë fakte. Megjithatë ne duhet të ndjekim rrugë ligjore. Qeveria me veprimet e veta të deritashme ka krijuar vetë mosbesim edhe te ne si familje por edhe te të gjithë qytetarët e Kosovës në lidhje me rastin e djalit tonë. Për këtë arsye ne kërkojmë që të marrim një Institut nga Zvicra, sepse kemi më shumë besim në atë shtet, ngase kemi jetuar atje dhe e dimë se me sa profesionalizëm kryhen punët”, ka thënë Avni Dehari.
E ëma e Astritit, Xhemile Dehari, po ashtu ka thënë me siguri se do t’i besonin të gjeturave të Institutit zviceran, derisa ka shtruar një mori pyetjesh e dilemash që lidhjen me vdekjen e dëshmitarëve të rastit të djalit të saj. Ka përmendur vdekjen e Naser Makollit, shokut të dhomës së Astritit në Prizren.
Kujtojmë se qeveria e Kosovës në mandatin e kaluar kishte kërkuar nga Kuvendi që të lejojë qasje një Instituti nga SHBA ose nga vendet e BE-së që të hetojnë në detaje për rrethanat të cilat quan në vdekjen e të riut. Familja kishte zgjedhur një institutit zviceran, vend që nuk është anëtare e BE-së. Ka mbetur të shihet se si do të veprojë qeveria “Haradinaj”, si dhe Kuvendi në këtë legjislaturë, karshi kërkesës së familjes Dehari dhe avokatit të saj Gashi.
Astrit Dehari ishte arrestuar si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit verën e vitit të kaluar. Kur kanë kaluar më shumë se një vit nga aktakuza, ende po vazhdon procesi gjyqësor ndaj 4 të dyshuarve të tjerë për këtë rast, derisa në seancën e fundit prokuroria ka thënë se nuk ka prova që i lidhin direkt të akuzuarit me sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit.
Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor të vitit 2016, në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, derisa ekspertiza vendore ka konstatuar asfiksinë si shkaktar të vdekjes së tij. Institucionet vendore të drejtësisë insistojnë se fjala është për vetëvrasje, derisa familja ka bindjen se Dehari është vrarë dhunshëm. /tesheshi.com/